Shqiponja Telhaj, Kryetare e Bordit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, foli për universitetet në Shqipëri.
E ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Telhaj tha se vendi ynë ka profesorë dhe akademikë të shkëlqyer, por sistemi duhet t’i motivojë që ata të japin më të mirën e tyre.
“Vetëm duke studiuar, mund të përmirësojmë jo vetëm nivelin tonë, por edhe nivelin social apo ekonomik. Se sa e ofron këtë arsimi shqiptar, kjo duhet parë por unë e di që Shqipëria i ka kapacitetet për të bërë studime në çdo fushë. Jo vetëm profesorë e akademikë, por edhe studentët janë të shkëlqyer.
Me programin që kam pasur unë nuk kam parë diçka më pak vendeve të tjera, që ne i marrim shembull. Por mënyra se si aplikohen programet te studentët, dhe bashkëpunimi i tyre me pedagoget, kjo duhet parë. Mbase probleme ka, por nuk besoj që do të jenë aq të mëdha sa t’i largohen universiteteve. Por kjo duhet parë dhe ky është qëllimi ynë, t’i shohim universitetet nga afër.
Kemi i dëgjuar informacione nga më të çuditshme gati të tmerrshme. Si për shembull, rrallë mund të gjesh persona publikë në Shqipëri pa doktoraturë. Por do të doja të kisha më shumë informacion dhe të flisja atëherë më gjatë.
Në vendin tonë ka njerëz që bëjnë punë të shkëlqyera, por sistemi duhet t’i motivojë këto profesionistë, që të japin më të mirën e tyre. Qëllimi ynë por edhe i institucioneve akademike, është të nxjerrim një brez të ardhshëm që të jetë i zoti dhe i aftë në çdo sfidë profesionale. Kjo bëhet vetëm me një arsim cilësor”, tha ajo.
Ndër të tjera, Telhaj dha edhe një urim për të gjithë studentët që nisin së shpejti universitetin. “Studentëve i uroj suksese dhe dalshin faqebardhë, siç thoshte gjyshja ime.”