Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua sot me krerët e partive opozitare, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Memli Krasniqin e PDK-së.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku ka dhënë detaje rreth takimit.
Ai gjithashtu ka kërkuar qartësim për hapat që do të merren në vazhdimësi, si dhe i ka kërkuar Kurtit, koordinim të plotë me SHBA-në dhe BE-në.
“Të dashur qytetetarë,
Pas propozimit tonë të djeshëm dhe ftesës së Kryeministrit, sot në mëngjes, së bashku me Kryetarin e PDK-së z. Krasniqi, u takuam me Kryeministrin Kurti.
Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial.
Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet.
Kryeministrit Kurti i kërkova poashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë”, shkruan Abdixhiku.