Partizani nuk ka arritur që të bind në këtë start të kampionatit, ku në tre ndeshjet e para të kuqtë kanë marrë vetëm dy pikë.
Ditën e djeshme Partizani arriti të barazojë takimin përballë Vllaznisë në fund të ndeshjes, duke shmangur një disfatë.
Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, pas ndeshjes në një pronocim për mediat u shfaq i kënaqur me barazimin, ndërsa theksoi se ka besim që nga java në javë ekipi do rritet dhe më shumë.
“Mirë dhe një pikë, nuk është keq. Ekipi nuk luajti keq, në fakt, dhe ishte një barazim i merituar. Shpresojmë që nga java në javë të ecim më mirë. Pritshmëritë ishin vetëm për fitore gjithnjë, por fati nuk ishte me ne”, tha numri një i presidencës së kuqe.
Në vijim Demi nuk nguroi që tu jepte një mesazh dhe stafit teknik për këtë ecuri jo pozitive.
“Duhet pyetur stafi teknik për lojën, Ilir Daja e di pse nuk po merret fitorja e parë në kampionat.
Afrimet? Nuk jam ekspert për afrimet që të them se si janë. Megjithatë, thonë që janë afrime të mira. Të shohim tani. Stafit ia kemi plotësuar kërkesat 100 për qind”, përfundoi presidenti i të kuqve Gaz Demi.