The Guardian: Brenda bazës së braktisur të CIA-s në Kabul

3 Tetor 2021, 13:47Lifestyle TEMA
The Guardian: Brenda bazës së braktisur të CIA-s në Kabul

Emma Graham-Harrison, korrespondentja e britanikes “The Guardian”, ka bërë një reportazh të shkurtër mbi bazën sekrete të CIA-s amerikane, e cila është braktisur në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

“Makinat, minibusët dhe automjetet e blinduara që CIA përdori për të zhvilluar luftën e saj në Afganistan ishin rreshtuar dhe djegur përtej identifikimit para se amerikanët të largoheshin”, përshkruan Graham-Harrison fillimisht.

Kompleksi që ajo ka fotografuar e raportuar ka qenë për 20 vjet selia e CIA-s.

“Ky vend ishte zemra e errët, e fshehtë e luftës kundër terrorit të Amerikës, një vend ku kanë ndodhur disa prej abuzimeve më të këqija në Afganistan”, shkruan më tej Graham-Harrison.

Në fshatin ku ndodhej baza e CIA-s u trajnuan forcat paraushtarake të lidhura me disa nga abuzimet më të këqija të të drejtave të njeriut gjatë luftës.

Deponia e madhe e municioneve, nënvizon korrespondentja, ishte hedhur në erë.

“Kompleksi i shpërndarë në dy kilometra katrorë në verilindje të aeroportit, u bë famëkeq për torturat dhe vrasjet në burgun e tij ‘Salt Pit’, i koduar nga CIA”, shton Graham-Harrison.

“Të ndalurit” e quanin “burgu i errët”, sepse nuk kishte dritë në qelitë e tyre, ndriçimi i vetëm i rastit, vinte nga fenerët e rojeve të tyre.

Baza ka qenë për dy dekada një vend diskret, i dukshëm vetëm përmes fotove satelitore ose nga dëshmitë e të mbijetuarve.

“Ne duam të tregojmë se si i kanë shpenzuar asetet që mund të ishin përdorur për të ndërtuar vendin tonë”, tha Mullah Hassanain, një komandant në njësinë elitare 313 të talebanëve për “The Guardian”.

Njësitë paramilitare që vepronin këtu, të bazuara në kazermat afër ish-burgut të Salt Pit-it, ishin disa nga më të frikshmit në vend.

Kazermat ishin braktisur aq shpejt sa burrat që jetonin atje e kishin lënë ushqimin gjysmë të përfunduar.

“Kryesisht ata kishin marrë ose shkatërruar objektet që përmbanin emra, ose grada”, ravijëzon Graham-Harrison.

Aty pranë, vendi i burgut të Salt Pit-it me sa duket ishte rrafshuar disa muaj më parë.

Një hetim satelitor i “New York Times” zbuloi se, që nga pranvera, një grup ndërtesash brenda kësaj pjese të kompleksit të CIA-s ishin rrafshuar.

Zyrtarët talebanë thanë se ata nuk kishin ndonjë hollësi në lidhje me Salt Pit-in, apo atë që kishte ndodhur me ish-burgun.

1 komente në “The Guardian: Brenda bazës së braktisur të CIA-s në Kabul”

  1. Edkari says:

    Flitet se ne ambasaden amerikane te Kabulit
    ne vend te flamurit te shtetit gjoja me te forte
    ne bote pra ne shtizen e flamurit valeviten
    nje pale brekushe talebani.
    Gjithashtu flitet se lajmi se do terhiqeshin
    nga Afganistani provokoj feste ke ushtaret
    qe thonin-sot lindem perseri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje