Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: I tha jo projektit amerikan, mori vendime të rrezikshme

4 Tetor 2021, 11:39Rajoni TEMA
Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: I tha jo projektit amerikan,

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Kurti. Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka deklaruar se Qeveria Kurti ka marrë dy vendime të dëmshme e të rrezikshme për Kosovën.

Ai ka thënë se kjo qeveri ka refuzuar projektin e gazit dhe u ka thënë jo 200 milionëve amerikanë të alokuara për vendin.

“Qeveria Kurti ka marrë dy vendime të dëmshme pra të rrezikshme për Kosovën. Njëra njihet si marrëveshja për targat, dëmet e saj do t’i përjetojmë dhe do të përballemi me to në të ardhmen, dhe tjetri vendim është refuzimi i projektit të gazit.

Duke refuzuar projektin e gazit, Qeveria Kurti përveç që i kanë thënë jo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju ka thënë jo edhe partnerëve tjerë siç është BERZH të cilët aktualisht janë duke punuar në masterplanin e gazit të Kosovës. Ky qëndrim dhe refuzim i qeverisë është shumë shqetësues dhe si kurrë më parë Kurti lëkundi miqësinë tonë me Amerikën.

Lëkundje që do të ketë pasoja për vendin, prandaj thirrja për dorëheqje e kësaj dorëheqje është legjitime dhe njëkohësisht para dorëheqjes ta rikthejnë vendimin për gazin”, ka deklaruar ai.

Më tej, Haradinaj shtoi se Kurti projektin amerikan e ka quajtur projekt rus, kësisoj edhe e ka njollosur atë.

“MCC ka shpenzuar tre vjet dhe mbi 10 milionë dollarë në studime të ndryshme të fizibilitetit të gazit. Për këto studime MCC gjithashtu angazhoi inxhinierë të ushtrisë amerikane së bashku me kompanitë tjera kontraktuese dhe gjithë këtyre, ekspertët e mëdhenj të qeverisë Kurti ju thanë jo.

Këta ju thanë jo edhe inxhinierëve të ushtrisë amerikane, ju thanë se studimet e juaja nuk janë bindëse. Pra Kurti po ju thotë jo 200 milionëve amerikan të alokuara nga presidenti Biden për Kosovën në maj të këtij viti, për cilin lajm Qeveria Kurti nuk e tha asnjë fjalë të vetme, as nuk u lodhën për të mirëpritur kërkesën e presidentit Biden.

Kurti po i  thotë jo një projekti gjeostrategjik për vendin që do të hapte rrugën për aleanca të reja dhe të rëndësishme për vendin. Kurti po i thotë projektit amerikan projekt rus, mbi të gjitha aspekti më shqetësues është njollosja e projektit nga kjo qeveri”, ka shtuar Haradinaj.

2 komente në “Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: I tha jo projektit amerikan, mori vendime të rrezikshme”

  1. Visi says:

    Ramushi është aç “proamerikan” saqë ish projektit Kosova e Re ,për kontratën e ndërtimit të tij që e pat lidhur Thaçi të gjithë patën reaguar për çmimin shumë të lartë të ndërtimit,kur Ramushi u bë kryeministër ia shtoi edhe 50 milion.
    Gjithë hallin e ka se nuk është në vendin e duhur për të vjedhur se tjetër punë nuk di.

  2. Visi says:

    Të gjithë flasin për gazësjellësin por askush nuk flet se për çka do të përdoret ky gaz ,sepse nuk do të kalojë nëpër ndonjë vend tjetër ,por do të mbetet në Kosovë.
    Qëllimi është që të ndërtohet një termocentral me gaz ndërsa e gjithë Kosova fle mbi qymyr.
    Me sa di unë në Vlorë është i ndërtuar një Termocentral me gaz por që asnjëherë nuk është lëshuar në prodhim për shkak të kostos së.lartë të prodhimit të energjisë elektrike nga gazi.
    Tani ti kërkohet Kosovës së vogël që të heqi dorë nga pasuria më e madhe e saj
    e të investojë miliarda dollarë në gazsjellës dhe termocentral të ri nuk më duket dhe aç dashamirëse.
    Sepse nëse bëhet ky investim pasataj për një dekadë nuk do të ketë investime në arsim,shëndetësi,zhvillim ekonomik etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje