Muli i shqetësuar për debatet gjeopolitike të Foltores

1 Nëntor 2021, 19:21Antena TEMA

Pas debateve të hapura nga ithtarët e Foltores kundër mbështetësve të Lulit, Muli është i shqetësuar për ritmin e debatit.

Doktori ka dhënë porosi që të jenë të gjithë aktivë në rrjetet sociale dhe Muli po e ndjek me vëmendje.

Për këtë, ai dha disa udhëzime për debatin Peka- Gjekmarkaj:

“Së pari, debati duhet të rrezatojë kapacitet të lartë intelektual nga ana e Pekës.

Ai duhet ta lidhë lëvizjen e Bashës me faktin që Xho Bajdeni kishte fjetur në Samitin e Klimës dhe Basha e imiton si pro amerikan duke fjetur, nga ana tjetër Trump është duke u rikthyer dhe Samiti i Klimës do të të anulohet prapë, pasi Trump do të kthejë qymyrin, që do të thotë se Edi Rama i ka ditët e numëruara në pushtet, pasi llogarit që të mbajë Lulin në PD, përmes Konferencës Botërore mbi Klimën, që në fakt është një regres, pasi bota duhet të jetë sa më natyrale, përfshi dhe qymyrin.

Nga kjo analizë e thjeshtë rezulton se Basha ka shkelur statutin e PD, ndaj duhet shkarkuar më 11 dhjetor.

Së dyti, ai duhet të jetë bindës në analizën gjeopolitike të këtij fenomeni, pasi në Maqedoni humbi Zaevi, i cili mbështetej nga amerikanët, të cilët tani bëjnë ujdi me njerëzit e Gruveskit dhe do të punojnë me ata, pasi Zaevi ka shitur Mama Cechap në Rusi, dhe kjo ka rrezikuar interesat amerikane në Maqedoni, ndërkohë që duke qenë mik i Edi Ramës, ai tërheq me vete dhe Edi Ramën, duke lënë fushën e hapur për njerëzit e rinj të PD që do të jenë mbështetës të Doktorit, por do të kenë një lider të ri.

Në këtë aspekt, Gjekmarkaj nuk ka asnjë argument, pasi ai i përket pakicës katolike të Shqipërisë, ndërsa ekuacioni është mes ortodoksëve dhe myslimanëve në Ballkan, dhe këta nuk i llogarit njeri.

Edhe Doktori që ka origjinë të vjetër katolike, pasi i pari i tij quhej Ram Bubreci, pasi vrau priftin e fshatit iku në Kosovë, bëri mbiemrin Berisha dhe hyri fort në politikë.

Së treti, mendoj se ka shumë rëndësi mbështetja e Kujtim Gjuzit dhe vëllait të tij intelektual, pasi kjo e bën dhe më pluraliste frontin kundër Bashës, duke qenë se ja kthejmë reston, duke i përdorur njerëzit që Rama përdori kundër nesh në opozitë.

Së fundmi, Basha do dëmtohet nga dështimi i “Ballkanit të Hapur”, pasi me ikjen e Zaevit, Rama dhe Vuçiq do ta kenë të vështirë të krijojnë mbështetje amerikane për Bashën , duke ndarë veriun e Kosovës, pasi dhe vetë fisi Hoti në Kosovë është kundër kësaj dhe Basha do të braktiset dhe nga fisi i vet.

Për gjithë këto arsye mendoj se Doktori e ka të fituar”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje