Certifikimi i zgjedhjeve, Xhafaj: Basha të kërkojë ndjesë publike, Meta të dekretoj zgjedhjet e pjesëshme. Ja pse SPAK s'mund të bëjë vettingun e politikanëve

4 Nëntor 2021, 20:28Politika TEMA

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj është pyetur lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila i ka konsideruar të vlefshme zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019, duke rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë të drejtuar nga Voltana Ademi, që kërkonte shpalljen antikushtetuese të procesit zgjedhor.

Ai i kërkoi Lulzim Bashës që të dalë dhe të kërkojë falje publikisht lidhur me vendimin e tij për të bojkotuar.

Ndërsa presidentit Meta, Xhafaj i bëri thirrje që të dekretojë datën për zgjedhjet e pjesshme në bashkitë ku aktualisht nuk kanë kryetar.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themelore për një demokraci të shëndetshme. Gjykata Kushtetuese legjitimoi zgjedhjet e 30 qershorit. Është konfirmim i qëndrimit të PS për këtë proces. Nga ana tjetër është një ndëshkim publik dhe moral për të gjithë ata që e bojkotuan. Bojkoti është një akt i papranueshëm për demokracinë dhe shtetin e të drejtës. Është moment reflektimi për ata që iniciuan këtë akt të rëndë anti-kushtetues. Lulzim Basha ka detyrimin moral ndaj qytetarëve të këtij vendi, ndaj anëtarëve të PD që i përjashtoj nga konkurimi zgjedhor demokratik, që të dalë dhe të kërkojë një ndjesë publike.  Presidenti duhet të shpallë urgjentisht datën e zgjedhjeve të pjesëshme vendore për 7 bashki të vendit ku nuk janë në ushtrimin e detyrës kryetarët.  Ky vendim është moment reflektimi për të gjitha palët e përfshira në këtë proces”, u shpreh ndër të tjera Xhafaj.

Deputeti i PS-së u pyet nga gazetarja Juli Kristafi gjithashtu edhe për nismën e mundshme të Bashës për të bërë vetting në politikë.

Ish kreu i komisionit të posaçëm që udhëhoqi reformën në drejtësi, thekson se SPAK nuk merret me çështje administrative, por me hetimin penal.

Ai shtoi se Basha po flet me dy standarde, pasi me këtë projekt duket se e vlerëson SPAK-un, që dikur ka thënë se SPAK nuk ka pasur asnjë rezultat.

“SPAK nuk mund të bëjë vettingun e politikanëve. Kjo sepse SPAK është për të bërë ndëshkimin penal të politikanëve dhe jo për procese administrative. SPAK ka rreth 20 prokurorë, që edhe me këtë ngarkesë që i kemi dhënë është me super ngarkesë, e jo më t’i japim punë shtesë. Ajo që nuk bie dakord me Bashën, është se nga njëra anë tha se për SPAK e ka zero vlerësimim dhe nga ana tjetër me këtë projekt shprehet se SPAK duhet që të hetojë, pra ti japi një përgjegjsi më të madhe!! Kjo është në vlerësimin tim një qasje me dy standarde, është një non sens dhe duket që nuk qëndron”, u shpreh ndër të tjera Xhafaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje