Deputeti i PD Ferdinand Xhaferaj është zënë ngushtë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare i cili në tentativën për të ngritur disa problematika për burgjet, doli se nuk kishte informacionion e duhur.
“Mbipopullimi, orkestrimi i ngjarjeve kriminale nga burgu, kushtet e vështira në burgje”, këto janë disa nga problematikat e nënvizuara nga Xhaferaj për të cilat kërkoi përgjigje nga drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili.
Ismaili tha se problemi i mbipopullimit në burgje ka qenë por që në kuadër të reformës që është ndërmarrë vitet e fundit në sistemin penitenciar është zgjidhur.
Ismaili ka parashtruar vetë një problematike ku është në një institut në Krujë tek i cili trajtohen shtetasit me masë mjekësore.
“Jam i kënaqur për pyetjen që të kem mundësi për të shpjeguar më teknikisht. Së pari problemi i mbipopullimit në burgje është i zgjidhur në masën 100%. Ka vetëm 1 problem për shtetasit me masë mjekësore që i trajtojmë ne ende, ka një institut të posaçëm që është në Krujë që do mbyllet shpejt, aty ka mbipopullim, por ata smund të trajtohen dikur tjetër veçse aty, kemi marrë masa për ta zgjidhur. Nuk është spital i burgut, ai është spital për persona me probleme të shëndetit mendor. Pra persona që janë me masë mjekësore. Kjo çështje do i kalojë ministrisë së shëndetësisë por kjo faza tranzitore për ta marrë ata ende ska kaluar. Kjo ka qenë gangrena, një problem i mbartur ndër vite, aty ka mbipopullim dhe mungesë standardesh, por është problem i ditur dhe që do marrë zgjidhje”, tha Ismaili ndër të tjera.
Drejtori i burgjeve e ka pranuar se janë orkestruar disa ngjarje kriminale nga burgu, por kjo sipas tij ka ndodhur më parë sepse tani janë marrë masa të rrepta.
“Po është e vërtetë që ka patur probleme serioze në lidhje me këtë gjë, organizatat kriminale në burg kanë vazhduar thjesht kanë pasur rezidencë, kanë qenë në hapësirë gjeografike të kufizuar dhë liri mendimi dhe veprimi. Por ky realitet i përket të kaluarës sepse si kanë më ato komoditete, as kushte”, shtoi ai.
Nën drejtimin e Ismailit, sistemi penitenciar ka pësur një reformim të thellë ku përpos investimeve apo nismave të ndërmarra, përforcimi i masave i ka dhënë burgjeve seriozitetin që nuk e kanë pasur në të shkuarën.
Për këtë jo pak herë ai ka marrë edhe kërcenime nga grupe kriminale dhe posaçërisht pas nisjes së regjimit të posaçëm“41 bis”.
I konsideruar si mjaft efikas në Itali, ky është një nga projektet kryesore i implementuar në burgje, i cili është hartuar nga ekspertët në respektim të të drejtave dhe lirive të garantuara në Kushtetutë si dhe përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Forcimi i masave të sigurisë, janë kundërshtuar gjithmonë nga të burgosurit dhe të afërmit e tyre të cilët herë pas here kanë artikuluar ankesa të shumta duke kërkuar më shumë liri brenda IEVP-ve.