Gjykata e Krujës ka vendosur sot masën ‘arrest me burg’ për Saimir Kuçin, i cili është një nga grabitësit dhe dhunuesit e biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Fushë Krujës.
Prokurori i çështjes Olgert Rumnici kërkoi masën “arrest me burg” që u pranua nga gjyqtarja e Krujës, Alma Kolgjoka. Madje gjykata vlerësoi si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Saimir Kuçit, i cili u arrestua në shtëpinë e tij.
Grabitja e Çangut ndodhi në orët e para të 24 tetorit. Autorët kanë hyrë nga pjesa e pasme e banesës duke prerë telat rrethues në dy vende të ndryshme.
Pasi kyçën në dy dhoma anëtarët e familjes, autorët dhunuan biznesmenin Nazmi Çangu duke i marrë atij në kasafortë mbi 100 mijë euro, bizhuteri floriri, si dhe dokumente me vlerë për të, që dëshmonin dhënien me fajde të parave kundrejt të tretëve. Në ikje e sipër grabitësit i morën edhe një armë gjahu Shotgan, që ai mbante në shtëpi.
Kuçi nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi është arrestuar edhe më parë për grabitje dhe vjedhjen e disa bizneseve në Durrës, Tiranë dhe zona të tjera të vendit. Kuçi së bashku me 6 persona të tjerë dyshohen si pjesë e një grupi kriminal që ka kryer dhe të paktën 10 grabitje në vend.