Klasikët, filozofia dhe emancipimi shoqëror i jetës shqiptare

30 Nëntor 2021, 12:46Kulturë TEMA

Nga Gersa Rrudha

Në qoftë se shteti shqiptar u thellua ditën kur bota politike e Europës njohu Pavarësinë e Shqipërisë, kombi shqiptar u themelua ditën që u vendos dhe u shtyp Abetarja shqipe. Po kështu dhe ndërgjegjia kombëtare e popullit tonë, që u shfaq kryesisht me anë të gjuhës, do të realizohet plotësisht vetëm atëherë kur intelektualët e brezit të sotëm dhe të nesërm do të dëftohen të zot që të krijojnë “periudhën e lulëzimit letrar dhe emancipimit filozofiko-shkencor të botës shqiptare”.

Mënyra më e sigurtë për të hyrë në qytetërimin europian, është fillimish pasurimi i gjuhës me të gjitha fjalët që shprehin terminologjinë shkencore, kuptimet filozofike, format letrare dhe ndjenjat politike të këtij qytetërimi.

Dhe vetëm një mënyrë ka që ta bëjnë tonën këtë pasuri të domosdoshme: të shqipërojmë letërsinë më të zgjedhur dhe veprat më të mira filozofike dhe shkencore. Sa më shumë shpirt dhe hije të marrë kultura jonë nga modelet më të gjallë të kulturës botërore aq më mirë do të realizohet edhe vetë kulturëzimi i botës së saj.

Modeli më i mirë kah të cilit duhet të priremi është literature botërore klasike, pasi për një “bibliotekë” kombëtare përkthimesh si kjo e jona, që gjendet akoma në nisje e sipër, nuk ka shëmbull më të mirë emancipues dhe formues se sa kryeveprat klasike, qofshin këto të letërsisë por sidomos të fushave të ndryshme shkencore e humane (filozofi, psikologji, sociologji, etj.).

Gjendet pikërisht në këtë proporcion të zhdrejtë midis këtyre dy lloj literaturave, në dëm të klasikëve të shkencave humane, pika më e dobët e zhvillimit emancipues që duhej të kishte kryer përpjekja jonë letrare. Është e pamundur që ajo të ecë në rrugën e duhur dhe të shtrihet në fushat e modernizimit, siç ka ndodhur shpesh në ditët tona, pa gëlltitur mirë e mirë çdo “pikë të verës së thjeshtë të estetizmit klasik”. Aq më tepër që kombet si yni, kanë shumë nevojë për një literaturë të tillë. Roli ndikues i gjuhës si një truall i jetës sonë shoqërore, mund të na jap mjaftë dritë edhe për të shpjeguar një dallim tjetër mjaft të rëndësishëm, atë midis kulturës dhe qytetërimit.

Madje mund të thuhet se provën e parë të kulturës e shohim tek fjalët e gjuhës, kurse termat e rinj që sajon gjuha e një kombi shfaqin provën e parë të qytetërimit. Fjalët janë institucione shoqërore, kurse termat e rinj instalime individuale, ndaj fuqia e përhapjes së tyre varet shumë nga ajo anë e fshehtë, nga ajo rrymë e padukshme e shoqërisë për ti kuptuar dhe bërë ato të tyren. Jo më kot shkruante Branko Merxhani, se “përkthimi është hyrja jonë në qytetërim”. Po sot, a kemi lëvizur vallë nga këto pozicione, të krahasuara relativisht, me stadin dhe cilësinë kulturore që kërkon zhvillimi i epokës ku jetojmë?

Që nga historia antike e deri në epokën moderne, duke filluar nga Ksenofoni, Makiaveli, Erazmi e shumë të tjerë, janë shkruajtur mjaft traktate të edukimit të princërve. Duket të mos ekzistojnë vepra analoge për edukimin e qytetarit demokratik. Nuk mjaftojnë ligjet e kushtetutat e mira, nevojiten “njerëz të mirë” që të jetojnë me shpirtin demokratik të kushtetutave.

Në këtë kuptim, pra në drejtimin e mbushjes së këtij boshllëku të madh në ekzistencën e një pedogogjie të caktuar për këtë qëllim, mund të përmendim kontributin e filozofes së njohur amerikane Marta Nussbaum. Duke perifrazuar një libër të saj mjaft të vlerësuar si “Kultivimi i humanitetit” (2006), mund të themi me siguri se “analizat e saj mbi edukimin sokratik dhe atë universitar bashkëkohor, janë kultivuar nën dritën e idealit sokratik të “qytetarit të mirë”, deri në pikën që ai arrin të shndërrohet në objektivin e një debati të ndershëm moral dhe në modelin pedagogjik të evolucionit të racionalitetit publik.

Ndërkohë që sot gjërat po përkeqësohen me të shpejtë, “aq sa mund të themi se jemi në prag të kolapsit të idealit sokratik”, pasi demokracitë e të gjithë botës janë duke nënvleftësuar, e për rrjedhim anashkaluar, llojin e njeriut që ai formon, me dije e kapacitete për të cilat shoqëria e sotme ka dëshpërimisht nevojë. Ky është konstatimi alarmist i Nussbaumit, prej të cilit burojnë edhe premisat e projektit të saj pedagogjik.

Tre janë shtyllat e tij. Së pari, spikatja e aktivitetit sokratik në promovimin e kapaciteteve të çdo njeriu për t’u vetë-gjykuar dhe për t’u vetë-qartësuar, duke favorizuar një kulturë publike, të hapur dhe më reflektive, Së dyti, kapaciteti për të menduar si “qytetar të botës”, Pra, në thelb, një “qytetarësi” bote me frymëzim aristotelik. Së treti, kultivimi i të ashtuquajturit “imagjinatë simpatike” ose e emërtuar ndryshe “kopetencë e tretë”.

Çdo qytetar nuk mund t’i referohet në mënyrë pozitive kompleksitetit të asaj që e rrethon duke u bazuar vetëm tek logjika dhe dija e fakteve (që gjithsesi, janë të domosdoshme). Kopetenca e tretë e çdo qytetari, e ndërlidhur ngushtësisht me dy të parat është “imagjinata narative”, që do të thotë kapaciteti për të menduar në “rrobën”, (ose në veten) e një personi tjetër, për të qenë lexues inteligjentë të historisë së tij, për t’i kuptuar kështu emocionet, pritshmëritë dhe dëshirat. Kërkimi i një empatie dhe simpatie të tillë është pjesë thelbësore e konceptimeve më të mira të edukimit ndaj demokracisë. Nga kjo buron edhe ai roli parësor që ky projekt pedagogjik i jep studimit të lëndëve të shkencave humane si çelësi i parë për hapjen e mendjes kah kuptimit të “tjetrit”, aq të rëndësishëm për të kuptuar edhe vet veten tonë. Propozimi pluralist dhe kozmopolit i Nussbaumit, i konsideruar ndryshe edhe si një sistem etikopolitik, i bazuar në konceptin kompleks të “qytetarisë liberale”, është mjaft i pëlqyer pikërisht sepse i hedh rrënjët e veta në kulturën klasike. Nuk bëhet fjalë për një recetë, por për një refleksion mbi metodën e edukimit, ku protagonist kryesor është bota klasike.

Në sintezë, mund të themi se ky model është një orvajtje pedagogjike për t’i vendosur leksionet e autorëve të klasiçizmit në shërbim të mësimdhënies. Rizbulimi i klasikëve në themel nënkupton pashmangshmërinë e një formimi humanist mbi bazën e filozofisë. Të rinjtë kanë aq shumë nevoje për të, sidomos kur edukimi i tyre po rrezikon të qendërzohet kah aspektit tekniko-shkencor, duke mënjanuar pikërisht artin, letërsinë dhe filozofinë, pasi ato arrijnë të japin vetëm kopetenca të përgjithshme, jo specifike. Për këtë arsye, përbri dijeve të shkencës dhe teknikës rekomandohet një rritje e dijeve filozofiko-humaniste të bazuara në modelin sokratik, i cili nuk formon një dije të parafabrikuar, por kapacitetin për të pyetur dhe argumentuar në formë autonome, pa iu bindur gjykimeve jo kritike.

Një edukim i prirur në një kah të tillë është sot mjaft urgjent, jo vetëm për të plotësuar apo ekulibruar tekniçizmin apo specializimin kudo-mbizotërues, por kryesisht për të na ndihmuar të bashkëjetojmë në një botë gjithnjë e më komplekse. Është një orientim pragmatist ky model i propozuar nga Nussbaum, ndaj jo më kot librat dhe teoritë e saj kanë ndikuar, përtej skenës së debateve intelektuale bashkëkohore, edhe praktikat e mjaft qeverive të ndryshme, deri dhe në politikat ndërkombëtare.

Gersa RRUDHA Gersa Rrudha u lind me 1 shkurt 1999 ne Lushnje.

2017-2018 studioi ne Universitetin e Bukureshtit,Fakultetin e Gjuheve te huaja :gjuhen Rumune.

2018-2021 vazhdoi Studimet Bachelor ne Universitetin e Bukureshtit,Fakulteti I gjuheve dhe letersise se huaj : dega gjuhe dhe letersi e huaj Gjermane dhe Angleze.

Aktualisht vazhdon studimet Master ne Universitetin e Bukureshtit, Fakulteti i gjuheve dhe letersise se huaj,Filologji;“Strategji komunikacionale interkulturoreletrare dhe linguistike”.

1 komente në “Klasikët, filozofia dhe emancipimi shoqëror i jetës shqiptare”

  1. Matrapiku says:

    Heheheeee mer Arnauta te Sulltanit, sa akoma do te mesoni per Helladen e madherishme.
    Sokrati (ne barbarisht)
    Isokrati (emertimi i sakt).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje