Fëmijët shqiptarë nën moshën 15 vjeç janë të dytët në Evropë pas ukrainasve, për lejet e qëndrimit të marra në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2020.
Sipas një raporti të publikuar nga Eurostat, 18% e të gjithë lejeve të qëndrimit të lëshuara për fëmijët nën 15 vjeç në vendet e BE-së, kanë qenë për fëmijë me shtetësi shqiptare.
Vetëm ukrainasit gjenden me një pikë përqindjeje më lart, 19%.
Fëmijët nga Kosova renditen të tretët me 11% të totalit, po aq sa edhe rusët. Boshnjakët sakaq, mbyllin pesëshen me 10% të totalit.
Në tërësi nga vendet e BE-së janë lëshuar thuajse 211 mijë leje qëndrimi. Vendi me më shumë të tilla, është Gjermania me 44 mijë e 443. Spanja pason me 43 mijë e 391.
Italia po ashtu ka një numër të lartë lejesh qëndrimi të dhëna për fëmijët e huaj, me 31 mijë e 545.
Mesatarisht, për 100 mijë fëmijë, vendet e BE-së japin 386 leje qëndrimi. Densitetin më të lartë, me mbi 1 mijë për 100 mijë fëmijë, e kanë Suedia dhe Zvicra.
Për sa i përket vendeve të tjera, Maroku ka fluksin më të lartë të lejeve të lëshuara. Ata përbëjnë thuajse gjysmën e lejeve të dhëna në kontinentin e Afrikës, me 48% të 57 mijë e 613 prej tyre.
Vetëm me Spanjën, Maroku ka një fluks prej 20 mijë e 900 fëmijësh. Fluks i lartë është edhe ai i Gjermanisë me Sirinë, me 6 mijë e 500 fëmijë.
Kontinenti me më shumë aplikime të fituara ka qenë Azia, me 32% të totalit. Afrika pason me 27%, Evropa me 24% dhe Amerika e Jugut me 10%.