Mjekja në spitalin Infektiv, Elda Qyra thotë se çdo ditë shtrohen rreth 15 pacientë në spitalin Infektiv. Kohët e fundit vihet re që raporti i të vaksinuarve dhe të pa vaksinuarve ka ndryshuar, ndërsa në mesin e të shtruarve nuk mungojnë edhe moshat e reja.
“Ka një fluks ardhjeje rreth 15-16 pacientë në 24 orë. Moshat janë të ndryshme, kryesisht rreth 70 vjeç, por nuk përjashtohen edhe ato pak më të reja. Qendra ka të shtruar ata që janë më rëndë për shkak të reanimacionit që ka shumë shtretër, por ka një ndarje pak a shumë të njëjtë në të dy spitalet”.
Rastet kryesore të pacientëve të shtruar janë kryesisht nga Tirana dhe ndër simptomat më të shpeshta që shfaqin është nevoja për oksigjenoterapi.
“Mbizotëron Tirana, popullsia është e madhe, por ka edhe nga rrethet. Arsyeja kryesore e ardhjes në spital është vështirësia në frymmëmarrje, pastaj janë edhe simptomat e tjera, temperaturë, kolla, lodhja”.
Ndër të tjera në Spitalin Infektiv trajtohen edhe pacientët post-Covid që e kanë kaluar infeksionin disa javë më parë sipas mjekëve.
“Kemi komplikacionet e afërta dhe ato të largëta. Të afërtat vijnë në spitalin tonë sepse kanë të bjënë drejtpërsëdrejti me anën pulmonare. Më të pakta janë ato që kanë të bëjnë me komplikacione të tjera që mund të jenë kardiake apo tromboza të tjera të trurit. Më të largëtat janë në pavijonet përkatëse, aty ku ka ndodhur komplikacioni”.
Specialistët bëjnë thirrje për vaksinim dhe për respektim të masave anti-covid, pasi mbi 94% e të shtruarve në spitalet Covid janë persona të pavaksinuar.