Nga Cikllopi, te Regani: Fantazia e shfrenuar e krahasimeve që i bëjnë Berishës ne mediat e tij

7 Dhjetor 2021, 17:42Politika TEMA

Nga Ylli Pata

Prej shpalljes non grata nga SHBA, e sidomos pas përjashtimit nga grupi i PD-së, kemi parë një shfrenim fantazie në metaforat, apo krahasimet që i bëjnë Sali Berishës.

Mbështetësit e tij mediatikë, në mungesë të një  horizonti real brenda vendit, ku të mbështeteshin shikimin, për ta ngritur sa më lart figurën e liderit të tyre të dashur, fantazia i çoi fillimisht larg, shumë larg në kohë.

Pas “provokacioneve” mjaft piktoreske në studion e Çanit, ku u thirr në skenë e antikiteti grek, ky variacion mbi tëmën, u kthye në lejtmotiv i aktorëve në lojë që ishin thirrur për të mbrojtur Sali Berishën apo Lulzim Bashën.

E në këtë dalldi gjetjesh alteregosh protohelene apo helene për Doktorin që ishte ndëshkuar nga SHBA, nuk pati kufinj. Nga Cikllopi me një sy, te Kronusi që hante bijtë e vet, por që rrugës kishte takime të tjera hyjnish apo edhe heronjsh gjysëm njerëz e gjysëm perëndi.

Ndërkaq, nuk se mbetën prapa njerëzit që përkrahën Bashën, që si për inat të rivalëve të tyre të rinj, kërkuan një cak për argumentet e tyre, një tjetër fuqi antike siç ishte Roma.

E njëri prej të zellshmëve të Bashës, e quajti atë Brutus, në mendjen e vet për ta ngritur lart, duke marrë shembull nga ngjarja vëllavrasëse në mes senatit të Romës ku u masakrua Jul Çezari, politikani deri më sot më i famshëm i asaj bote, Mirëpo, këtë gafë të mbështetësit të Bashës që i e pagëzoi si Brut, e përdorën Berishianët, duke ju referuar njollës të përjetshme që Shekspiri i ka dhënë ish-djalit politik të Çezarit, në tragjedinë e tij madhështore.

Megjithatë, me kalimin e kohës, sikur “etja” për antikitetin u zbeh nga “shpatarët” mediatikë të dy armiqve që luftojnë për të mbajtur kontrollin e opozitës shqiiptare.

U bë rikthimi sa më shumë në historinë e sotme, natyrisht që t’i japin njerëzve një imagjinatë më të lehtë për argumentet e tyre.

Megjithatë, fantazia në këto krahasime natyrisht nuk u ul asnjëherë në nivelin e saj. Në fillim e krahasuan me Andreas Papandreun. Sipas mbështetësve të Berishës edhe ai ishte Non Grata, por më vonë, SHBA ja hoqi këtë titull. Natyrisht gjithmonë “diçka” kërciste.

Jo vetëm se Papandreu kishte qenë shtetas amerikan, e si pasojë, nuk kishte burrë nëne ta shpallte non grata në vendin e tij,por edhe tek logjika e krahasimit të një burri shteti që e bëri vendin e popullin e vet me mirëqenie të lartë, falë politikave të tij të suksesshme, që edhe sot historia politike ja njeh, edhe pse ndenji gjatë në qeveri e në fund krijoi edhe pushtet dinastik.

Më pas, dikush e krahasoi me rastin e Arafatit, i cili sipas tyre nga armik u bë mik me amerikanët, e dikush tjetër me Dodikun, që në fund të fundit kanë një logjikë më normale, pasi politikanë ballkaniko-perëndimor janë.

Por sot, kjo fantazi arriti kulmin, kur një nga mbështetësit e tij e krahasoi Berishën me Ronald Reganin.

Është një refren ethshëm vitet e fundit kur populistët e djathtë, shikojnë tek Regani e Thatçer-I që të gjejnë alterego për platformën e tyre kundër  “establishmentit botëror”.

E në fakt, me këto thirrje për Reganin i kërkohen vota njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje jo me reganizmin, por as me të djathtën e logjikën konservatore.

Në botë kjo ka një arsye, pasi që në kohën kur Bushi i ri kërkoi të mbështetet President, gjeti si jastëk te Regani, ngaqë nuk mund të përdorte babanë e tij si kartë suksesi për arsye që të mos dilte në konflikt interesi.

Trump riktheu slloganin e Reganit, ngaqë Bush-ët i kishte kundër, po se ç’lidhje ka Sali Berisha me Reganin e reganizmin ec e merre vesh. Pasi fiks e asaj kohe, pra kur Regani ka qenë President i SHBA, ishte data kur idhulli i tyre dilte në foto  me Enver Hoxhën në shtëpinë e tij, i cili ish-aktorin e famshëm që ishte ngjitur në Shtëpinë e Bardhë, e cilësonte një “gjakpirës e vrasës të proletariatit botëror.

Kjo përpjekje e sforcuar duket fiks si ajo ndodhia e 15-20 viteve më parë, kur Koço Kokëdhima, në ëndrrën e tij për tu bërë Donald Trumpi shqiptar thirri disa studentnë shtëpinë e tij dhe i kërkoi që ata të bëheshin dishepujt e “Milton Fridmanit shqiptar” për një ideologji kapitalizmi shqiptar.

E një pjesë e këtyre, vërtetë besuan se janë fridmanistë, sa rreken ta demostrojnë papushim. Veçse modelet e tyre të kapitalizmit janë njëri ish-sekretar i PPSH-së e tjetri ish-sekretar i BRPSSH-së…

1 komente në “Nga Cikllopi, te Regani: Fantazia e shfrenuar e krahasimeve që i bëjnë Berishës ne mediat e tij”

  1. Leo says:

    hahahahahahaha Sali Karaxhic eshte nje rrot kari qe nuk e bo nona

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje