Krimi mjedisor pjesë e aplikacionit “Komisariati Digjital”, Kumbaro: Gjobitini! Po nuk ndëshkuat kot e keni!

15 Dhjetor 2021, 21:26Sociale TEMA

Krimi mjedisor tashmë ka rubrikën e tij të dedikuar në aplikacionin “Komisariati Digjital”. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë një aktiviteti të përbashkët me drejtues të Policisë së Shtetit, IKMT, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Policisë Bashkiake.

“Gjatë pasqyrimit të aktivitetit tonë në përpjekje për të pastruar mjedisin, komentet që bëhen më shpesh janë “Ndëshkojini! Gjobitini! Po nuk ndëshkuat kot e keni!”. Po, ndotjes së mjedisit i kemi vënë emrin që meriton dhe quhet krim! Prandaj jemi këtu sot që të pranojmë se duhet të gjithë bashkë të denoncojmë krimin, të kërkojmë ndëshkim të krimit, dhe te pranojmë kur fajtor mund të jetë secili prej nesh që jetojmë në këtë shoqëri!”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit përsëriti se pastrimi i territorit që ka nisur me Planin e Pastrimit Kombëtar dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve janë prioritete të qeverisë në këtë mandat.

“Historia e problemeve tona me mbetjet për fat të keq ka dekada! E trashëguam nga para viteve 90’, e djallosëm dhe e degraduam shumë, shumë më keq në vitet e tranzicionit. U mësuam me degradimin mjedisor deri sa filluam të ndërhyjmë në përçudnimet e ndërtimeve pa leje. Kemi filluar të flasim për mjedisin si një gjë të dobishme, po ende jemi larg së konsideruari si emergjencë jetike ! Ne kemi sot përgjegjësinë të marrim përsipër mendësitë e gabuara të së kaluarës, sjelljet kriminale mjedisore të të sotmes. Por sidomos e mbi të gjitha duhet të marrim përsipër sigurimin e shëndetit dhe të jetës së fëmijëve tanë”, tha gjatë takimit Kumbaro.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se nga 1 shtatori 2021 e deri sot, janë mbi 40,000 denoncime e ndër to, plotë 276 lidhen me krimet mjedisore.

“Në Komisariatin Digjital për të orientuar më mirë publikun, ne kemi shtuar 5 rubrika specifike në menynë përkatëse për mjedisin. Në butonin “Krimi Mjedisor” të gjithë përdoruesit e aplikacionit do të mund të gjejnë të renditura llojet e krimit mjedisor si: ndotje uji; ndotje e tokës; depozitim i paligjshëm mbetjesh; ndotje me inerte dhendotje akustike”,u shpreh ministri Çuçi.

Gjatë takimit, Mirela Kumbaro theksoi edhe nisma të tjera që po ndërmerr Ministria e Turizmit dhe Mjedisit siç janë plani edukues për riciklimin e letrës që do të vihet në zbatim fillimisht në shkolla dhe universitete, si edhe dërgimi në Kuvend i ligjit për ndalimin e qeseve plastike, version që i
qëndron atij të vitit 2019.

2 komente në “Krimi mjedisor pjesë e aplikacionit “Komisariati Digjital”, Kumbaro: Gjobitini! Po nuk ndëshkuat kot e keni!”

  1. Seriozi says:

    Per çfare ndotje flet ministria e leshit . Nga momenti qe qeveria nuk ben asgje per vendosjen e kazaneve per grumbullim dhe terheqjen ne kohen e duhur asgje nuk behet .
    Fshataret dhe qytetaret do te vazhdojne te mbushin kanalet me plehra dhe deti do jete stacioni i fundit i plehrave dhe plastikes .
    Nje qeveri , si gjithe te tjerat vetem llafe .

  2. ... says:

    Prapë kjo “digjital”? Thuhet dixhital, o çeçena

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje