Përplasja mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për kontrollin e Partisë Demokratike është e gjithanshme. Përveç betejës ligjore dhe asaj dhe asaj në institucionet e brendshme të partisë, një përballje më e ashpër zhvillohet prej ditësh në rrjetet sociale.
Kjo fushë, që mbetet ende e parregulluar mirë në Shqipëri, si teknikisht, ashtu edhe ligjërisht është më e preferuara për të hedhur shashka, foto e lajme gjysmë të vërteta, apo krejtësisht të rreme, pre e të cilëve mund të biem që të gjithë.
Një i tillë ishte edhe një fotomontazh i shpërndarë me shpejtësi paraditen e së dielës në Facebook, Instagram, Whatsapp e mjete të tjera komunikimi online. Imazhi shfaq punonjës të Gardës së Republikës mbi tarracën e asaj që duket si godina e Partisë Demokratike.
Fotomontazhin e mori edhe vetë Sali Berisha dhe ua shpërndau mbi 1.2 milionë ndjekësve të tij në Facebook për t’u thënë se si “Edi Rama po mbronte me polici Lulzim Bashën”. Por, problemi ishte se fotoja nuk është reale. Gjysma e sipërme e saj tregon punonjës të gardës që ndodhen në tarracë godinës së Kryeministrisë në vitin 2019, gjatë protestave të opozitës pas djegies së mandateve, ndërsa gjysma tjetër shfaq në dritaret e selisë së PD-së.
I sinjalizuar, apo ndoshta e ka kuptuar vetë, Sali Berisha nuk e la gjatë këtë foto në Facebook-un e tij. Ai e fshiu imazhin përmes të cilit i çonte Edi Ramës mesazhin kërcënues që “të mbante larg duart nga shtëpia e demokratëve”.
Por, nëse Berisha e kuptoi që ishte një fotomontazh dhe e kaloi në “heshtje” gafën e tij, shumë të tjerë vazhduan ta përhapin për të thënë se si “Lulzim Basha dhe Edi Rama ishin bashkë”. Imazhi vazhdon ende që të qarkullojë si i tillë, ku sipas perceptimit të rremë të krijuar forcat RENEA dhe Garda janë shfaqur në majë të godinës së PD-së për të mbrojtur Lulzim Bashën nga Sali Berisha.
“Fotomontazhet e halleve të Sali Berishës janë sa shpifëse, aq dhe të dëshpëruara, si çdo akt i tij gjatë muajve të fundit. Në epokën moderne të internetit me një kërkim në Google gjendet lehtë se fotomontazhi i SB është një foto e shkrepur në vitin 2019 në tarracën e Kryeministrisë”, shkroi Enkelejd Alibeaj.
Nga ana tjetër, fotomontazheve të Sali Berishës, Lulzim Basha u është përgjigjur me një rritje të beftë të ndjekësve të tij në rrjetet sociale. Nga një vëzhgim i përgjithshëm i Facebook-ut të Lulzim Bashës, mesatarisht ai ka pasur nga 1500 deri në 2000 shikues gjatë transmetimeve live në këtë platformë.
“Rekordet” u thyen gjatë Kuvendit të së shtunës, ku shifra shkoi mbi 20 mijë ndjekës. Beteja virtuale mes Bashës dhe Berishës pritet që të vazhdojë, ndoshta edhe më gjatë se beteja reale e tyre, për shkak të “komoditetit”…edhe për “fakenews”, fotomontazhe, apo ndjekës të rremë.(SI)