Kolegji i Apelimit për shpërblimet: Qeveria na dha shpërblim pa fond

29 Dhjetor 2021, 18:43Kronika TEMA

Nepermjet një njoftimi për shtyp, Kolegji i  i Apelimit, shkalla e dytë e vettingut ka bere transparencë lidhur me një shpërblim të supozuar për personelin, duke nënkuptuar se “e kanë mbushur me lugë të zbrazët”.

Sipas Kolegjit, vendimi i Këshillit të Ministrave për shpërblimin nuk është shoqëruar me fond shtesë dhe përcakton që shpërblimi i fundvitit të mbulohet nga fondi i pagave të institucionit, ndërkohë që nga pagat thuajse nuk ka tepricë.

Njoftimi i plotë:

Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 801, datë 20.12.2021, për një ndryshim në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 929/2010, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, vendosi që punonjësit e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të mund të përfitojnë një shpërblim, që nuk tejkalon nivelin e një page mujore. Sipas këtij vendimi efekti financiar i shpërblimit duhet të përballohet nga fondi që kishte gjendje Kolegji për pagat e personelit, sipas buxhetit të vitit 2021.

Bëjmë me dije se, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me ligjin vjetor të buxhetit për vitin 2021, i është miratuar një fond për pagat e personelit më i vogël se nevojat e tij për të paguar punonjësit sipas strukturës organike të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, problematikë kjo, e cila është rekuperuar vetëm në muajin tetor të këtij viti.

Në këto kushte, fondi i destinuar për pagat e personelit në Kolegj, ishte e pamundur që të kishte teprica, të cilat lejonin mundësinë e shpërblimit të gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tij. Institucionet përkatëse të ekzekutivit, kanë qenë të informuar nga sistemi i thesarit, por dhe zyrtarisht nga Kolegji për situatën e fondit të pagave të personelit në muajin dhjetor 2021. Teprica e vetme në këtë fond, në momentin e miratimit të vendimit të sipërcituar, ishte në shumën 465 000 lekë, për rrjedhojë pa efekt real domethënës për punonjësit e Kolegjit.

Për shkak se ky fond i papërdorur, është i pamjaftueshëm për të mundësuar dhënien e shpërblimit për të gjithë punonjësit e Kolegjit, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që të mos përfitojnë shpërblim sipas këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, gjyqtarët dhe këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor. Shuma prej 465 000 lekësh do të ndahet ndërmjet punonjësve administrativë të Kolegjit, në një shumë bruto prej 25.833 lekësh për person.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje