“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte… Addio caro David, riposa in pace”.
Me këto fjalë kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen e parakohshme nga jeta të presidentit të PE, David Sassoli.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, shprehu ngushëllimet e saj.
“Jam thellësisht e dëshpëruar për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. Evropa humbi një politikan e shtetar të shquar, Parlamenti Evropian liderin e tij vizionar, Shqipëria humbi një mik të madh, të rrallë e të çmuar, që ishte, siç u shpreh Ai vetë në takimin që patëm para një muaji, “zëri i Shqipërisë brenda BE-së”. Ngushëllime familjes! Pushofsh në paqe, i dashur David!”, shkruan Nikolla.
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ndërroi jetë në moshën 65-vjeçare. Ai ishte në gjendje të rëndë prej më shumë se dy javësh dhe kishte anuluar të gjitha aktivitetet zyrtare. Sassoli ishte shtruar në spital në Itali muajin e kaluar për shkak të disa komplikacioneve të rënda me sistemin imunitar. Ai vdiq në orët e para të së martës në një spital në Aviano.