ANALIZA: "Shtrenjtimi i energjisë elektrike do ta shkatërrojë ekonominë në Kosovë"

2 Shkurt 2022, 09:07Rajoni TEMA

Për njohësit e çështjeve ekonomike, propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e çmimit të rrymës në Kosovë do të sjellë pasoja socio-ekonomike të pa përballueshme për qytetarët e vendit, marrë parasysh se të ardhurat e tyre mujore janë po të njëjta me vite.

Sipas ekonomistëve propozimi i ZRRE-së është i pa drejtë dhe diskriminues pasi barrën e çmimeve të importit do e mbartë një pjesë e shoqërisë kosovare e cila do të detyrohet ta zvogëlojë konsumin në fusha të tjera esenciale, për ta paguar faturën me tarifa të papërballueshme.

Sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ngritje e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë – që është e pa mundur të mos ndodh – do e tkurr ekonominë e vendit.

“Duhet të kemi një qasje lineare jo selektive në ngritjen e çmimit të rrymës, në të njëjtën kohë duhet të punohet për një pako stimuluese ku targetohen familjet bizneset në nevojë për t’i mbështetur dhe për t’i subvencionuar”, ka thënë Gërxhaliu për Albanian Post.

Në të njëjtën linjë të mendimit – se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë fatale për ekonomitë familjare – është edhe njohësi i politikave ekonomike, Mustafë Kadriaj, i cili potencon se rritja në fjalë nuk duhet të ndodhë në tre mujorin e parë, kjo pasi që me kalimin e stinës së dimrit shfrytëzimi i energjisë elektrike do të bie në mënyrë drastike.

“Kosova më nuk do të ketë nevojë të blejë energji elektrike pra janë në pyetje edhe dy muaj”, ka thënë Kadriaj për AP.

Ndërsa për ekonomistin, Erton Bega, trefishimi i çmimit të energjisë për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatë orë në muaj është treguesi më i mirë për diskriminimin dhe padrejtësinë që ka bërë ZRRE.

“Në rastet e krizave duhet të mendohet për tejkalimin e tyre. Çmimet astronomike në berzë nuk mund të shërbejnë si bazë për planifikime afatgjata pasi raportet e agjencive të specializuara energjetike parashikojnë normalizim të çmimeve të energjisë elektrike në pranverën e vonshme”, ka thënë Bega për AP.

Bega, madje ka propozuar edhe disa alternativa se si do të mund të tejkalohet kjo periudhë problematike kështu duke theksuar se ZRRE do të duhej fillimisht të shqyrtonte tejkalimin e krizës përmes subvencioneve të qeverisë.

“Në një fazë të mëvonshme, pas stabilizimit të çmimeve në tregun global energjetik duhet të vendosen bllok tarifat, por pragu prej 600 kilovatë orë në muaj është nën mesataren e shpenzimeve të amvisërive në Kosovë. Duhet të rritet në 1000 kilovatë orë”.

“Çmimi mbi bllokun e parë nuk duhet të jetë trefish më i lartë. Nuk duhet të tejkaloj më shumë se 50 për qind çmimin e bllokut të parë. Mund të vendosen 3 bllok tarifa me rritje çmimi 50 për qind nga njëra-tjetra”.

“Qeveria duhet të hartoj strategjinë nacionale energjetike me konsensus të gjerë shoqëror e politik me synim plotësimin e nevojave energjetike për dekadat e ardhshme. Konsensusi është tepër i nevojshëm që të sigurohet qëndrueshmëria e strategjisë dhe planifikimeve pasi bëhet fjalë për projekte me kosto të mëdha dhe afatgjata”.

Në anën tjetër Gërxhaliu thekson se në këtë kohë të krizës energjetike dialogu në mes partisë mazhoritare dhe atyre opozitare duhet të jetë parimor.

“Dialogu në mes të mazhorancës dhe partive opozitare duhet të ndërtohet në interes të qytetarëve dhe të shtetit e jo vetëm për të mbrojtur interesin e një partie politike ose të grupeve të caktuara të interesit”, ka shtuar ai.

Ndryshe ZRRE e cila javë ma parë kishte propozuar ngritje të çmimit të energjisë elektrike kështu duke propozuar disa bllok tarifa, ka njoftuar se ajo është e hapur të pranoj edhe komente nga partitë politike, institucionet e vendit dhe shoqëria civile.

Partitë opozitare të cilët e kanë kundërshtuar kategorikisht propozimin e ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike kanë dërguar komentet e tyre në drejtim të këtij institucioni, përveç Partisë Demokratike të Kosovës.

Përpos partive opozitare komente në drejtim të ZRRE-së kanë dërguar edhe Zyra e Presidentes së Kosovës, Ministria e Financave duke përfaqësuar kështu Qeverinë e Kosovës si dhe partia mazhoritare, Lëvizja Vetëvendosje.

Megjithatë kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, gjatë një konference për media nuk kishte dhënë detaje se kur do të merret vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike si dhe nuk kishte treguar nëse tarifat e reja do t’u faturohen qytetarëve në mënyrë retroaktive prej datës 1 shkurt.

“Sipas legjislacionit deri më 31 janar është afati për dorëzimin e komenteve, pas pranimit të komenteve ZRRE-ja do të del me një raport përfundimtar dhe do t’i përgjigjet të gjitha komenteve. Aty do të vendoset për tarifat”, kishte thënë Fejzullahu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje