Kanë shpërthyer polemikat në Suedi për rastin e Silas Nwankwo, sulmues nigerian 18 vjeç që në sesionin e merkatos së janarit është transferuar te Mjallby nga Nasarawa United.
Nwankwo ka rënë në sy në kampionatin nigerian falë 19 golave dhe 8 asisteve. Shifra që e kanë ndihmuar të dalë në ekipin e vitit të Nigerian Professional Football League dhe të sigurojë një kontratë në Europë.
Megjithatë, në ditën e prezantimit të tij kanë filluar problemet. Drejtori sportiv i klubit suedez Harse Larsson i ka bërë elozhet: “Për moshën që ka, ka qenë protagonist me shifra mbresëlënëse. Një lojtar 18 vjeç do të ketë nevojë për kohë për t’i integruar, por ka shumë cilësi”.
Në rrjetet sociale kanë shpërthyer polemikat. Shumë tifozë kanë ngritur dyshime mbi moshën e tij. “Je i sigurt që ke lindur në 2004-ën?”, kanë pyetur tifozët.
Gjithçka ka lindur nga denoncimi i një gazetari, Rasim Reiz, që ka publikuar në rrjetet sociale një imazh të lojës së famshme Football Manager, sipas së cilës, Nwankwo është 24 vjeç, duke cilësuar 11 qershorin e 1996-ës si datën e lindjes së tij. Kjo evidentohej në edicionin e vitit 2021 të lojës.
Në edicionin që sapo ka dalë, futbollisti është 18 vjeç. “Si është e mundur?”, ka pyetur gazetari. Polemikat sjellin në mendje rastin Minala, mesfushori që debutoi në Serinë A me Lazio-n dhe për të cilën u hap një hetim nga FIGC, për të verifikuar moshën.