“Se si i zgjedh një koalicion kandidatët, nuk ka lidhje me KQZ”, Celibashi sqaron regjistrimin e “Shtëpisë së lirisë”

8 Shkurt 2022, 20:20Politika TEMA

Ilirjan Celibashi, komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, në një lidhje direkte me studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, regjistrimi i koalicionit “Shtëpia e lirisë”, pa Komisionin e Rithemelimit të PD-së, është korrekte “nga pikëpamja e ligjit”.

“Ne kemi regjistruar një koalicion të përbërë nga dy parti politike (LSI dhe PDK), duke plotësuar kushtet që kërkon Kodi Zgjedhor për regjistrimin e një koalicioni zgjedhor. Çdo gjë nga pikëpamja e ligjit është korrekte. Ne kemi një koalicion të regjistruar, i cili ka të drejtë për të paraqitur kandidatët e vet. Se si i zgjedhin ata kandidatët, ky është proces politik dhe nuk ka lidhje me përgjegjësitë e KQZ-së”.

“Nuk ka vlerë që të komentohet jashtë kuadrit rregullator dhe ligjor”, shtoi komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

“Jemi në fazën intensive të përgatitjeve për këto zgjedhje. Koha është shumë e shkurtër, më pak se 45 ditë kishim në dispozicion, por mendoj që procesi deri tani po shkon shumë mirë”, tha më tej Celibashi.

Në lidhje me datën e regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet e 6 marsit, Celibashi u shpreh se më parë do duhet bërë verifikimi: “Këtë herë kemi afat më të shkurtër për verifikimin e kandidatëve. Nëse do të ketë nevojë për verifikime të thelluara, do të marrim më shumë kohë. Gjithsesi, afati për verifikimin është 30 ditë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje