Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me sektorin e turizmit në Sarandë ku ka kërkuar bashkëpunim mes aktorëve për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Sipas Kumbaros disa kushte janë të panegociueshme.
“Detyrimi për çdo subjekt që do të menaxhojë një plazh, një njësi sanitare, detyrimi për të pasur vrojtues të plazhit është kusht i panegociueshëm. Na kanë ndodhur fatkeqësi në bregdet, pushues që kanë humbur jetën pikërisht aty ku ka munguar vrojtuesit”.
Sipas ministres, pushteti lokal do hartojë një orar për grumbullimin e mbetjeve në subjektet që operojnë në zonat turistike, duke paralajmëruar ndëshkime për ata që nuk respektojnë rregullat.
“Do ketë një grafik të caktuar të bërë nga bashkia ku çdo subjekt t’i nxjerrë mbetjet e veta vetëm njëherë në ditë në orën kur do të kalojë makina për t’i mbledhur”.
25 Marsi është afati i fundit për dorëzimin e projekteve të strukturave të lokaleve në plazh.
“Pas datës 1 Maj, çdo strukturë, qoftë hotel 30-vjeçar, qoftë hotel me emër të madh, qoftë hotel ku shkon fle ministri apo Kryeministri, nëse i kanë strukturat të papajisura me lejen e KKT-së, do t’iu prishen”.
Aplikimi për marrjen me qera të një nga 1359 stacione plazhi që janë në total në vijën tonë bregdetare mbyllet më 27 Shkurt, kusht për të aplikuar është se subjektet nuk duhet të kenë detyrime të prapambetura te tatimet.