Ekzekutimi i rapsodit dhe mikut të tij, zbulohen armët e groposura nga vëllezërit Përdoda

14 Shkurt 2022, 13:38Kronika TEMA

Gjykata e Lezhës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Edmond Përdodën, i akuzuar si një nga të dyshuarit e vrasjes së kryer në bashkëpunim të rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni dy vjet më parë në Lezhë.

Përpara trupës gjykuese, Përdoda pranoi krimin e rëndë të vrasjes së dyfishtë, ku ka ndihmuar vëllain e tij dhe ka fshehura provat e krimit.

Policia ka gjetur edhe armët e krimit, dy kallashnikovë, që dyshohet se u përdorën për vrasjen e Murranit dhe Simonit.

Armët u gjetën të groposura në Lalm Lukaj dhe u zbuluan pas një përgjimi ambiental mes Edmond Përdodës dhe një familjari të tij.

Ndaj 39-vjeçarit pritet të ketë edhe një seancë për masë sigurie të dytë për akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Edmond Përdoda ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Më herët për vrasjen e dyfishtë, është arrestuar edhe vëllai i Edmondit, Aleksandër Përdoda, si dhe një person i tretë me iniciale A.Ll.

Në 27 prill 2020, në fshatin Lalm i Ri, Lezhë, u vranë me armë zjarri Kol Murrani dhe Preng Simoni, ku autorë të ngjarjes ishin vëllezërit Aleksandër Përdoda (aktualisht në burg, i dërguar për gjykim për vrasje në rrethana cilësuese) dhe Edmond Përdoda, i cili u arrestuar tre ditë më parë nga RENEA.

Murrani dhe Simoni shkuan për të vizituar banesat e tyre të vjetra në fshatin Lalm Lukaj, por u përballën me dy vëllezërit e armatosur, të cilët dyshohet se kishin mbjellë kanabis në tokat e dy viktimave, duke pretenduar se ishin pronat e tyre.

Rapsodi i njohur Murrani dhe miku i tij u ekzekutuan me breshëri arme kallashnikovi pas debatit me vëllezërit Përdoda.

Trupat e viktimave u gjetën në pyll nga djali i Preng Simonit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje