Muli i alarmuar nga njoftimi i rrezikut iranian

1 Prill 2026, 20:39Antena TEMA

Njoftimi i Ambasadës së SHBA-së se Shqipëria mund të rrezikohet nga grupe të lidhura me Iranin, e futi në panik. Në shënjestër mendohet se do të jetë opozita iraniane në Manëz, afër Gjirit të Lalzit.
— S’e kam hallin për shtëpinë time, — i tha Lelos, — por ata mund të godasin vilën e Doktorit. Ne mirë që këta amerikanët nuk na hoqën "non grata", por tani të hamë edhe goditje nga Irani për llogari të tyre.
— Hallall vila, — tha Lelo, — vetëm të na qëllojnë, pasi ai do jetë një rast i madh që Presidenti Trump të informohet për Doktorin direkt dhe të mësojë që është edhe armik i Iranit dhe i SHBA-së, dhe nuk ka ezet. Kjo mund të na shpëtojë. Në fund të fundit, vila në Lalëz mund të bëjë 1 milion euro. Ne kemi paguar 6 milionë e s’kemi fituar gjë.
— Nuk më shkoi mendja këtu, — tha Muli. — Po që ke të drejtë. Kjo është një pistë interesante. Madje ne këtë edhe mund ta sajojmë vetë nëse këta iranianët nuk qëllojnë, se ajo shtëpia edhe ashtu nën sekuestro është.
— Mirë është ta qëllojnë ata, — tha Lelo. — Ashtu bëhemi lajm botëror më shumë se me protestat, pasi jemi viktima të armiqve të SHBA-së. Ashtu shpëtojmë.
— Po sikur të mos na bjerë te vila e Doktorit, po të bjerë te vila e Metës? Fiton ai, — tha Muli.
— Po ç’rëndësi ka, qoftë edhe ai të fitojë. Rëndësi ka të merremi vesh, — tha Lelo. — Dhe ky është një rast i mirë.
— Ke të drejtë, s’më kishte shkuar mendja, — tha Muli. — Mua kot që të më qëllojnë, se nuk them dot që është imja. Po këta e kanë në emër të tyre, mund të heroizohen.

Lini një Përgjigje