Pas debatit të kandidatit të PD në Seman me Sekretarin Antony Blinken, Muli mori sot një notë proteste nga shoqata e kamionistëve shqiptarë në SHBA, e cila i tërheq vërejtjen që debati rreth personit në fjalë të mos prekë nderin e kamionistëve shqiptarë në SHBA.
“I nderuar zoti Muli, kemi vënë re se gjatë ditëve të fundit ka një përpjekje për të denigruar shoferët e kamionëve në SHBA, duke i identifikuar me atë tipin që keni pasur kandidat për deputet në Seman dhe që replikoi me zotin Blinken.
Ne nuk duam të merremi me politikë, pasi shumë nga ne janë votues të Doktorit e të tjerë të Ramës, por në një pikë bashkohemi të gjithë: ne nuk jemi aq pisht si ai sa i përket nivelit kulturor dhe mënyrës së të menduarit si njerëz normalë.
Ndaj çdo përpjekje për të na identifikuar me të fyen një komunitet të tërë që mban familjet me bukë me punë të ndershme dhe sakrificë. Ne nuk merremi me politikë në punën tonë, ndaj edhe ju mos bëni politikë duke përmendur zanatin tonë. Me këtë rast i tërheqim vërejtje edhe shtypit që përpiqet të na krahasojë me të.”
Muli mori letrën dhe pyeti Lelon se ç’mund të bëhej me të.
– Ktheju një përgjigje private, tha Lelo, dhe falënderoji për mirëkuptimin, duke u premtuar që herë tjetër do ketë primare edhe mes kamionistëve për të zgjedhur kandidat për deputet. Madje mendoj që t’u premtojmë se, ndryshe nga herët e tjera, ai që del i pari në primare do jetë kandidat, që të kenë besim.
– Ke të drejtë, tha Muli. Nuk duhet të humbasim mbështetjen e tyre.
Lini një Përgjigje