Muli i shqetësuar dhe nga Alimehmeti

26 Korrik 2025, 20:16Antena TEMA

Pas deklaratave të fundit të Alimehmetit, Muli u shqetësua seriozisht.

– Kemi dy probleme, – i tha Lelos. – Problemi i parë është se nga nevoja për njerëz të rinj, thirrëm këtë Alimehmetin, duke e ditur që nuk bënte, por se njihte njeri. Tani demokratët, ngaqë na besojnë ne, menduan se bënte dhe e votuan shumë. Tani atij i është mbushur mendja që është lider dhe po kërkon të na fshijë ne.

Problemi i dytë është: tani nuk themi dot që nuk bën, se e kemi shpikur vetë. Si duhet ta zgjidhim këtë çështje?

– E vështirë është, – tha Lelo. – Është më e vështirë se ajo e Salianjit, pasi ai të vetmen meritë që kishte, atë burgun, e dhjeu me ato flokët dhe hundën. Kurse këtë e kemi pompuar vetë.

– Për atë punë s’ka problem, – tha Muli, – e shfryjmë po vetë. Mjafton një deklaratë e Doktorit që është i kapur nga mafia dhe ikën ai. Por s’dua t’i zhgënjejmë demokratët.

– Nuk është aq e lehtë, – tha Lelo. – Do ta vuajmë ca këtë gënjeshtrën tonë.

– Si hap i parë, mendoj që duhet këshilluar, – tha Muli. – I duhet dhënë skema. Të flasë siç flasin politikanët me përvojë, si Ina Zhupa. Fjala vjen, të thotë: “Doktori nuk preket dhe gara duhet të nisë nga baza, poshtë.” Pastaj si kriter duhet të jetë besnikëria, kontributet dhe në fund edhe një kuotë për të rinjtë. Vetëm kështu reformohet PD-ja.

– Dakord, – tha Lelo, – ja sugjeroj unë, por mos më thotë që duhet të ikësh dhe ti, se je humbës.

– Atëherë është i kapur nga mafia, – tha Muli. – Duhet të ikë një orë e më parë, se është kolona e pestë e Edi Ramës. Do t’i ngulë thikën pas shpine PD-së. Ne s’po pyesim për Salianjin që ka bërë burg, jo për këtë që do të vijë me lugë në brez. Tregoji skemën, po nuk është dakord, le të shikojë hallin e tij.

1 Komente

  1. W
    Whitesnake

    ????????????

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje