Muli shpjegon pse nuk flet për Bordin e Paqes

22 Shkurt 2026, 20:30Antena TEMA

Lelo i tërhoqi sot vërejtje Mulit se duhet ta rrisë pak profilin e tij si politikan.
— Je identifikuar shumë në publik si njeri që merresh me punët ordinere të partisë — i tha Lelo. — Dhe kjo rrahja e atij qytetarit që të ka paditur e ka forcuar shumë këtë. Të gjithë të shikojnë si roje skelash, badigard ose maksimumi si ndërtues podiumi. Duhet t’i japësh pak vetes një profil politik.
— Po çfarë të bëj — i tha Muli. — Se me politikë merret ai burri.
— Po s’ka problem — tha Lelo. — Pasi flet ai, ti mund të përsëritësh disa teza të tij, të dukesh i informuar. Ja për shembull dhe Klevisi punët e tua bën, por aman flet për Samitin e Munihut apo Bordin e Paqes. Dhe bën sikur ka dhe info.
— Për këtë Bordin nuk flas dot — i tha Muli. — As unë, as Çim Peka, asnjë kuksian. E kemi një problem.
— Çfarë problem? — tha Lelo.
— Vallai nuk ta them çfarë problemi, por është problem serioz. E kemi si zonë — tha. Vetëm pak kuksianë kanë mundur t’i shpëtojnë këtij halli. Dhe ata nuk janë me ne, kryesisht janë me PS.
— Po ç’problem? — tha Lelo. — Më thuaj se nuk ka problem që nuk zgjidhet.
— O tip, u shkoj 55 vjeç e s’e kam zgjidh, nuk e zgjidh dot tani. Madje as Jozefina s’po e zgjidh dot. Tentova ta them dje dhe desh u rraha me Klevësin, djalin e Fariut.
— Po pse mo burrë, çfarë i the?
— Asgjë mo, i thashë: ore ti, ç’ma flet me kompetencë për Bordin e Paqes.
— Kujt i the Bordi i Paçes? — tha. — Se mendova se u tall me Paçen e Fariut.
— Unë i thashë, jo me ç si çekani, me ç si qeni, por ai s’kuptonte.
Tani si ta them unë “Bordi i Paqes” se “q” unë s’e them dot e them “ç”. Ja për kaq desh u rraha me Klevësin. Tani s’dua të bëhem gaz i botës se do thonë njerëzit e bën kastile që të harrohet kjo rrahja e atij pisit në protestë.

Lini një Përgjigje