Muli shpjegon pse po prodhojnë molotov me shumë benzinë

15 Shkurt 2026, 19:32Antena TEMA

Një nga problemet më të mëdha që hapi protesta e fundit ishte se molotovët ishin shishe të mëdha, mbushur me benzinë dhe të lidhur me fishekzjarrë që e përhapnin flakën më shumë.

Zbulimi i përket repartit të përgatitjes së municioneve që drejtohet nga Zeni, i cili që pas shpërthimit të Gërdecit ka hequr dorë nga demontimi dhe është përqendruar tek montimi i armëve të reja operative në treg, siç është molotovi.

Por Lelo ishte i pakënaqur për rrezikshmërinë e saj.

– Duhet të bëjmë kujdes, tha, se mund të na vdesë ndonjëri dhe pastaj do na kthehet kundër. Ka shumë benzinë. Duhet ta ulim pak sasinë.

– S’kemi çfarë të bëjmë, tha Muli. I kërkuam njërit nga këta oligarkët e naftës benzinë se gjoja do na duhej për gjeneratorin që do ngrinim çadrën. Meqë çadrën nuk e ngritëm, na ka mbetur gjithë ajo benzinë dhe duhet ta përdorim.

– Po mirë, ne kemi ku ta përdorim, tha Lelo, se edhe unë makinën me benzinë e kam, nuk kemi pse ta përdorim vetëm për molotov. Molotovët janë simbolikë, kurse ne po i bëjmë të rrezikshëm.

– Kjo qeveri meriton ta djegësh me benzinë, tha Muli.

– Atë e di, tha Lelo, por mund të na kthehet ndonjë molotov mbrapsht dhe mund ta pësojë ndonjë nga ne.

– Aq më mirë, tha Muli. Atë ditë po presim. Ata nuk thonë dot pastaj që u vra nga molotovi ynë, se po thanë kështu, atëherë ka të drejtë edhe Doktori që tha më 21 janar u vranë me çadër pistoletë.

– Dakord jam, tha Lelo, po mirë është të mos të të bjerë në pjesë të vdesësh nga molotovi, se është lemeri e madhe. Plumbin ku ta gjesh.

– Liria kërkon sakrifica të mëdha, tha Muli. Doktori e ka thënë vazhdimisht, por s’e paske pasur mendjen.

2 Komente

  1. A
    Arma Vlora.

    Bravo si gjithmon bravo. Penë e arët je Mero Baze.

    Përgjigjjuni
    1. S
      Salija

      Hahahaha.... ????

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje