A i lejohet burrit të qajë?

8 Prill 2024, 11:04Blog TEMA
A i lejohet burrit të qajë?

Nga Çapajev Gjokutaj

A i lejohet burrit të qajë? Opinionet janë të shumta dhe shpesh përjashtojnë njeri-tjetrin.

Burrit i ka hije loti, por jo të qarat e vajtimet; këto janë për gratë, thonë se thotë qëndrimi tradicional.

Nuk është e rastit që në disa krahina, kur vdes dikush, burrat zhvendosen tek ndonjë fqinj a i afërm. Gjithsesi pak larg, të mos dëgjojnë vajtimet e grave se ligështohen e mund të qajnë dhe ata.

Burri nuk duhet të qajë me të madhe, por a nuk qe burrë Lekë Dukagjini që kur vdiq Skënderbeu ‘si i marrosur nga hidhërimi, rendi në shesh të qytetit e, duke çjerrë krahërorin e duke çkulur mjekrën dhe flokët’ dha lajmin e kobshëm?

Vajtime të tilla, bërë prej burrash që çkulin mjekrën e çjerrin krahërorin, kanë qenë të zakonshme, madje gati-gati të detyrueshme, gjatë gjamës, një rit vdekjeje që mbijetonte në malësitë e veriut deri në mesin e shek XX. Paçka se disa thonë që, në raste të tilla nuk dihej ku mbaronte përjetimi real i dhimbjes dhe ku fillonte spektakli.

Mundet që zakoni ‘burri s’qan se s’është grua’ të jetë disi i vonë dhe më shumë se ndjenjave të burrit, i ka shërbyer pushtetit të tij. Fshihi ndjenjat që të dukesh më i fortë e më autoritar.

Po cili është ai autoritet që mund të caktojë se ç’duhet të ndjejë njeriu, si duhet të qajë e si të qeshë; sikur të ishte kukull teatri, marionetë dhe jo njeri prej mishi e gjaku?

Por përtej dilemës ‘të qajë apo të mos qajë burri?’, shfaqet një tjetër, shumë më jetike. A duhet që njeriu, burrë a grua qoftë,  t’i shfaqë përjetimet e veta natyrshëm, si t’i vijnë, - doemos pa bezdisur të tjerët dhe pa dëmtuar veten -, apo duhet të hyjë në kallëpe zakonesh e normash dhe të sakatosë jetën e vet e ta bëjë më të varfër e më të shkurtër seç është?

3 Komente

  1. L
    Loni

    E kam të vështirë të marrë vesh arsyen e këtij përjetimi të autorit. T'a ketë vallë për situatën ku rrojmë, e cila është "për të qarë"? Nuk besoj, sepse kjo situatë për një pjesë është shumë e bukur, ose po të perifrazonim autorin e këtij shkrimi, është jo për të qarë, por për të qirë.

    1. J
      Jorgo

      ketij i kane roitur bletet

      1. X
        Xha Jahua

        E ka per Romeon e BBV

      Lini një Përgjigje