Alibeaj, lideri stoik i opozitës shqiptare!

6 Mars 2023, 18:55Blog TEMA

Alibeaj, lideri stoik i opozitës shqiptare!

Reldar Dedaj

Që nga dita kur u vendos në krye të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar betejën më të fortë në këtë parti, ndoshta më agresiven që nga themelimi i saj, 32 vite më parë; luftën se kush do ta zotërojë atë: ai si kryetar i komanduar dhe me vulën zyrtare apo Berisha i zgjedhur dhe me mbështetje në bazë? Enkelejd Alibeaj ndoshta s’mund të ketë oratorinë politike, karizmën, mprehtësinë e batutës, sarkazmën, dëshirën për të dëgjuar deri në fund atë që kritikën ja thotë nga perspektiva e një miku dhe jo e një armiku, mund të ketë pasur shumë mungesa të cilësive që ne kategorizojmë një lider politik, por përballë Sali Berishës, ai tregoi atë më kryesoren: Rezistencën.

Të gjithë kapitulluan përballë liderit historik të PD-së, edhe ata më të rinjtë, të cilët sapo kishin dalë nga veza e kuqe e politikës dhe ku pretendohej se mëkate s’kishin për të shlyer, por gjunjtë e brishtë të moshës, me sa duket s’e përballonin dot duhmën e tij dhe për hir të së vërtetës edhe agresivitetin. U tundua Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku, iku Ervin Salianji dhe Grida Duma, dezertoi Agron Gjekmarkaj dhe disa të tjerë. Askush prej tyre se parashikoi dot se do ishte Enkelejd Alibeaj, ai, personazhi politik më i vështirë për karrierën politike të Sali Berishës brenda PD-së. Njeriu që kishte mundur dhe larguar nga skena politike një numër të lartë figurash politike si Gramoz Pashko, Aleksandër Meksi, Ylli Vejsiu, Petrit Kalakula, Neritan Ceka etj, dhe befas i ngeli sharra në gozhdë me një personazh që kur e afroi në 2005-ën të ishte pjesë e PD-së dhe më pas ministër i Drejtësisë, as që e imagjinoi se pas 18 vitesh do kthehej në njeriun që do “i pamundësonte” kthimin në Parti.

Pas një viti betejë mund të thuhet me siguri se Enkelejd Alibeaj është futur në histori, jo për faktin se arriti të shndërrohej në një mur të madh për Berishën, por entuziazmi është se me qëndrimin e tij stoik, Alibeaj e kthej PD-në tek qytetari. Tashmë, duan apo s’duan disa, ajo është pjesë e të gjithëve dhe jo më vetëm pronë e një individi apo klani të caktuar. Ajo parti ishte konsideruar gjithmonë si pronë e Sali Berishës dhe një grupi të vogël njerëzish shumë pranë tij, me qëndrimin e Alibeajt, u kuptua qartë nga opinioni publik se një subjekt politik s’mund të jetë kurrë pronë e një individi, pavarësisht fuqisë së tij dhe klaneve që lëvizin rreth e rrotull, sepse do të ishte e papranueshme nëse Partia Demokratike do të shkatërrohej, së bashku, me shkatërrimin politik të Sali Berishës.

Alibeaj e kishte kuptuar se në kushtet që ndodhej partia që po drejtonte, ndarja e saj, ishte e vetmja mundësi që mund të sillte përparim. Bashkimi hipokrit i saj, nuk mund të ishte asgjë tjetër veçse një llum, ujë i mbetur apo një moçal që kujtdo që i binte rruga të kalonte pranë saj, ishte i detyruar të kapte hundët me dorë. Ndarja e qartë në parti, në Kuvend dhe kudo, sjell unitet në elektorat. Uniteti i sëmurë, fals e përçan elektoratin, përkundrazi ndarja si qartësim në grupin e deputetëve dhe parti, e bashkon elektoratin.

Qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm e kanë të nevojshme për të kuptuar se kush është kush. Enkelejd Alibeaj në detyrën e kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike duhet të vijojë deri ditën e zgjedhjeve të 14 majit të mbajë linjën euroatlantike brenda subjektit të tij politik, sepse logo, vula dhe simboli i saj janë hipotekë e patjetërsueshme e kësaj linje, të paktën që nga dita kur lindi Partia Demokratike e Shqipërisë.

Dhe në fund fare Alibeaj nuk mund të largohet nga drejtimi i partisë dhe vetë kjo e fundit nuk shkon dot në fitore pa zgjidhur dualizmin në drejtimin e saj, as kryetari s’bëhet kurrë kryetar e as ish-kryetari nuk ikën kurrë, nëse partia pas zgjedhjeve vendore të 14 majit nuk hap datën e zgjedhjeve për kryetarin e ri të PD-së. Do jetë gara ajo që do zgjedhë liderin e vërtetë të kësaj partie, sepse në fund të fundit, është vetëm gara ajo që e nxjerr liderin.

2 Komente

  1. a
    astrit

    E te mendosh qe kete njeri stoik plaku nongrata e cilesoi "mize"

    1. D
      Drejtësia

      Edhe lider, edhe stoik Alibeaj? Po cfare mutin ka bere qe qenkerka edhe lider, edhe stoik? Ku ka qene ky kur PD-ja e tij beri 21 Janarin 2011 ku pushkatoi nje popull te tere qe protestonte?!?!

      Lini një Përgjigje