“Bartebli” apo sistemi që po na gëlltit

7 Nëntor 2025, 10:57Blog Nga Ben Andoni

A ia vlen më të angazhohesh kundër pushtetarëve, kur ata veprojnë në dëm të demokracisë? A duhet të protestosh për ta arritur ndryshimin? Pse nuk dëgjohet më publiku? Ku janë dhe pse nuk funksionojnë më mekanizmat e kontrollit? Pse pushtetarët nuk na përfillin më? Si mund të ndikohet nga intelektualët tek mendimi i pushtetit? Pse regjimi i sotëm demokratik s’është më i dëgjueshëm? Përgjigja e të gjithave është negative, sepse sistemi mbetet i tillë. Të shtyp me arrogancën e pushtetit. Format e ndryshme të protestave dhe rebelimeve tek ne, të paktën në 25 vitet e fundit, kanë rezultuar nul. Publiku shikon se kauzat e protestave nuk i arrijnë dot qëllimet dhe ca më keq e shikojnë se nuk mund të ndikojnë më. Paçka çfarë thotë publiku dhe opozita, kryeministri Rama përsërit se nuk mban asnjë përgjegjësi se vartësit e tij janë marrë si të pandehur apo të tjerë që janë në burg! E më kaq, tashmë e imitojnë të gjithë. I fundit ishte një deputet rishtar i PS-së që mohoi të kishte përgjegjësi për të vëllain (e sapo arrestuar me një bandë) qoftë dhe morale! Sot Rama, dikton ato që do ndikojnë në strukturën e shtetit qysh prej forumeve të partisë. Kreu i opozitës Sali Berisha humb zgjedhjet dhe harxhon shifra marramendëse, por sërish ankohet, ndërsa demokracia në parti e vuan hapur mosfunksionimin. Faji që i kërkohet nga baza shkarkohet në eter, ose në fjalinë: Na vodhën dhe nuk pranojmë zgjedhjet dhe PD futet dhe konfirmon parlamentin!!

Akti i fundit i Gjykatës Kushtetuese e ka rrëzuar si të paligjshëm vendimin për shkarkimin e Veliajt si kryebashkiak i kryeqytetit. Propozimi i Këshillit Bashkiak i Tiranës, ‘bëri’ që qeveria të vendosi shkarkimin e tij, kurse Presidenca konkludoi menjëherë me datën e zgjedhjeve. Në fakt, mandati i Veliajt ishte prerë prej fjalimit të liderit në Asamblenë Socialiste, ku askush nuk guxoi të bëzante dhe t’i thoshte Ramës: Jo, Ligji nuk e lejon! Tashmë në ngërçin që ka futur vendimi opinionin publik, analizën mediatike dhe sidomos interpretimet e juristëve të ndryshëm, po flitet deri edhe për rikthimin fizik de facto të Erion Velisë në krye të bashkisë më të madhe të vendit. Kryeministrit Rama nuk i ka shpëtuar situata dhe pas një ngazëllimi të madh të opozitës për shuplakën, dackën që hëngri duke i kërkuar dorëheqje, e ka kthyer edhe këtë situatë në favor të vet, madje në formë tejet demokratike, sikur të mos ketë ndodhur asgjë: ”Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo?”, ka thënë. Vallë, kujt ia bën këtë pyetje retorike, para se t’ia bënte vetes apo t’ua drejtonte njerëzve që e rrethojnë dhe që duhet ta paralajmëronin. A nuk e dinin vallë juristët e tij që argumenti kishte probabilitetin e mjaftueshëm për t’u sanksionuar? Përgjigja dihet: Nuk do dëgjonte askënd.

Jo në këtë argument, por në fushatën e ankimimeve të saj të vazhdueshme, opozita është gjendur i goditur, kur pak ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi shifrat zyrtare të shpenzimeve të fushatës 2025, ku kryesonte Partia Demokratike!! Drejtuesi i fushatës së PD-së, amerikani Chris LaCivita, ka marrë për konsulencën e tij 139 milionë e 111 e 686 lekë ose rreth 1.4 milionë euro, të shpërndara në katër transhe gjatë vitit. Gazeta “The New York Times” do të shkruante se: “LaCivita dhe Manafort paraqitën Berishën si viktimë të një gjuetie shtrigash të orkestruar nga rivalët e brendshëm dhe demokratët, përfshirë miliarderin George Soros, dhe administrata e ish-Presidentit Joseph R. Biden Jr…Pas humbjes së partisë së Berishës kundër Partisë Socialiste në pushtet të Kryeministrit Edi Rama, LaCivita forcoi pretendimet e Berishës se zgjedhjet ishin të manipuluara. Një rinumërim i kërkuar nga partia e Berishës nuk mbështeti këto pretendime”. Kujt duhet t’i kërkojnë llogari demokratët e thjeshtë për paratë e shpenzuara që më shumë shkuan për heqjen e “non gratës” dhe përmendjen e rastit në disa forume amerikane sesa në efikasitetin e fushatës? Si mund të ndryshohet e ardhmja e PD-së? Përgjigja lidhet vetëm me Berishën: “Partia i takon optimistëve, kush ka për të ikur le të ikë”, u tha pak orë më parë njerëzve të tij që kanë filluar të firojnë. Në një farë mënyre, e vetmja mënyrë që mbetet nuk është më dhënia argument “të fortëve”, por fakti që Rama dhe Berisha nuk duhen begenisur…

Një filozof cinik si Zhizhek që i flet shumë kohës sonë e shpjegon shumë hidhur këtë lloj situate: “Është më mirë të mos bësh asgjë sesa të angazhohesh në akte lokale, funksioni përfundimtar i të cilave është ta bëjnë sistemin të funksionojë më mirë. Kërcënimi sot nuk është pasiviteti, por pseudo-aktiviteti, dëshira për të ‘qenë aktivë’, për të ‘marrë pjesë’, për të maskuar Asgjënë e asaj që ndodh. Njerëzit ndërhyjnë gjatë gjithë kohës, ‘duke bërë diçka’; akademikët marrin pjesë në ‘debate’ të pakuptimta, etj., por gjëja vërtet e vështirë është të tërhiqesh, të shmangesh nga e gjitha. Ata që janë në pushtet shpesh preferojnë edhe pjesëmarrjen ‘kritike’ ose një dialog kritik ndaj heshtjes, por pasi na angazhojnë në një ‘dialog’ të tillë sigurohen që pasiviteti ynë ogurzi të thyhet…”. Propozimi i tij për këtë lloj përballje është i ashtuquajturi “Akti bartlebian” që sipas tij është vërtetë i dhunshëm, pasi nuk pranojmë të gëlltitemi nga sistemi dhe ku “gjëja më radikale është të mos bësh asgjë”. Tek libri i tij “Në mbrojtje të kauzave të humbura” gjen shumë argumente për një ide të tillë. Sistemi vritet me indiferencë dhe neglizhencë, sipas Zhizhek.

Me pak fjalë, Erjon Veliaj do të mbetet në burg edhe për pak kohë, Rama do të vazhdojë të qeverisë edhe do të distancohet nga njerëzit e tij që ka në burg dhe përpara ligjit, kurse Berisha do t’i mbajë të fjetur anëtarët e vet, pasi paratë që përdori…duheshin për një kauzë të madhe. Non-gratën e tij!!! Sa më shumë të ngacmohen, aq më shumë e kthejnë në favor të tyrin, këtë ide, duke na shpalosur “të drejtën demokratike”. Zhizhek e solli këtë rast (dukuri) me një alegori të shekullit XIX të një personazhi të Herman Melville, të quajtur Bartlebi dhe që tashmë ka marrë prej tij emrin “Akti i Bartlevian” në filozofinë politike: Personazhi për çdo gjë që nuk pëlqente dhe ato ishin shumë përgjigjej fare thjeshtë: “Do të preferoja të mos e bëja fare”. Koncepti do të thotë refuzimi pasiv në vend të protestës ose rezistencës aktive. Është tërheqja nga një sistem në vend të përpjekjes së vazhdueshme për ta ndryshuar atë nga brenda. Argumentimi i saktë mbetet se është më radikale të mos bësh asgjë sesa të marrësh pjesë në atë që Zhizhek e quan “pseudo-aktivitet” ose “debate pa kuptim” që në fund të fundit i shërbejnë sistemit të duket më i mirë, siç po ndodh në Shqipëri dhe kudo në Ballkan. Kërcënimi sot, sipas Zhizhek, nuk është pasiviteti, por pseudo-aktiviteti, dëshira për të “qenë aktivë”, për të “marrë pjesë”, për të maskuar asgjënë e asaj që ndodh në të vërtetë.

Kjo të vjen sot ndërmend, kur Rama dhe Berisha nuk ndryshojnë, por pas çdo hapi e kthejnë çdo minus publik në favor të tyrin me propagandë dhe retorikën demokratike. Me sa duket ky është edhe paradoksi ynë: Ne dashurojmë sistemin që na gëlltit çdo ditë.  (Homo Albanicus)

4 Komente

  1. r
    rikthim ne vilajetin oriental

    Rama dhe Saliu,jane thjesht nje aksident i madh tragjik historik i ketij vendi, qe minuan ne themele etnine tone europiane, duke ringjallur ripushtimin oriental ne trute dhe ne trupin shqiptar, duke mbytur dhe vrare shpresat shume shekullore te shqiptarit, per tu ndjere si europiane te vertete, ne kontinentin ku na ka vendosur vet zoti. Dhe Rama, per hire te se vertetes eshte me diabolik se Saliu, pasi me djallezine e tij diplomatike, cfrytezon gjeopolitiken, e atyre,qe jane ne krye te europes, per tja paraqitur shtetin e tij me dysfunksional ne europe, ne komponententet bazale te funksionimit te nje shteti, si me te mirin ne Ballkan!!!!.Kurse brenda vendit ky diabolik, tere kohen me lugen e corbes se hidhur, ate te afrimit te karrigeve, ka korruptuar gazetare, politikane etj, nga krahu kundershtar.Dhe tani me paturpesi te skajshme, mbas bashkepunimit rama-duman-sali, per te rasur Veliaj,nje personalitet,qe prej kohesh pritesh ta zevendesonte ate, ne burg dhe tani,vazhdimsi komploti. per ta shkarkuar ne menyre te paligjeshme si kryetar bashkie, ku dhe deshtoi keq,cfaqet dhe mbasi surrati i tij nuk e njeh ngjyren e kuqe dhe thote: Qe spaku duhet ta ndjeke Veliajn, ne gjendje te lire.Gjirizi i ngjyrave, qe vazhdon te prodhoje sundimi i ketij piktori medioker dhe djallezor, sa vjen dhe zgjerohet, duke permbytur dhe ato pak vlera te mbetura.

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Perfekt! Ama thjesht si nje leksion akademik, që pak e lexojne dhe e kuptojne. Pyetja është: Kur realiteti eshte i tillë si i behet? Të pakten në kete shkrim, kete nuk na e thote dot autori, por besoj as Zhizhek-u. Ka që per daljen nga stanjacioni, mendojne si zgjidhje revolucionin, por ka që kane më shume besim tek evolucioni, në kete rast evolucioni demokratik, per te cilin duhet punuar shume çdo ditë. Mendoj se ky i dyti zë më shume vend dhe ka treguar se vërtet vonon ca, ndonjehere nuk i mjafton as një apo me shume brezave, por nuk sjell pasojat shkaterrimtare që sjellin revolucionet dhe qe historia na ka treguar se çfarë sjellin. Sipas aforizmes: "Uji që rrjedh, pihet!", rruga evolucionare është më e sigurt dhe dobiprurese.

      Përgjigjjuni
      1. X
        Xoni

        Dakort,heshtja flet,shqiptaret nuk jane dakort me Ramen dhe aspak dakort me Berishen.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Altin Pellumbi

          Te lumte mendja dhe pena! Jam dakort100% me analizen tuaj. Por,sa kohe mund te rrije njeriu I thjeshte menefrego karshi qeverisjes me problems? Sa kohe mund te rrije nje gazetar,nje intelektual,shoqeria civile etj pa "mosperfshirje" ose sipas "aktit Bartevlian"? Ndergjegjesimi siç duket nuk kryen pune akoma. Jemi popull qe rendim pa's berihajit

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje