Bisturia e vetme që mund t’i shpëtojë jetën këtij vendi është SPAK

8 Dhjetor 2025, 18:32Blog Nga Feti ZENELI

 
 
Në historinë e letërsisë franceze, Tristan Bernard mbetet një figurë e veçantë: dramaturg i hollë, romancier me penë të mprehtë, gazetar që nuhaste ironinë në çdo qoshe të realitetit, si dhe avokat që e njihte mirë natyrën njerëzore me të gjitha dredhitë dhe hijet e saj. Jeta e tij, e shtrirë mes dy shekujve të 19-të e të 20-të, qe një skenë ku ai alternonte artin me satirën, humorin me të vërtetat therëse që vetëm njerëzit e vëmendshëm të vëzhgimit dinë t’i shfaqin.
Rrëfimi i tij i shkurtër nga salla e operacionit mbetet një perlë e humorit të zi, aq delikat sa arrin të të bëjë të qeshësh, por edhe të mendosh thellë. Para se të futej në sallën e opercionit për një ndërhyrje, doktori, ndoshta për të lehtësuar atmosferën e tensionuar, ndoshta për t’i bërë qejfin pacientit të famshëm, i thotë me buzëqeshje:
-Ti, si humorist që je, ndoshta na krahason me kasapët…
Dhe përgjigjja e Bernardit erdhi e qetë, por e mprehtë si bisturia që doktori mbante në dorë: -Aspak. Kasapët, përpara të therin… pastaj të rrjepin lëkurën.
Në këtë batutë të vetme qëndron një filozofi e tërë: një reflektim mbi mënyrat se si njerëzit trajtojnë njëri-tjetrin, mbi etikën e profesionistëve dhe mekanizmat e pushtetit, dhe sidomos mbi atë marrëdhënie të brishtë që kemi me ata që kanë në dorë “profilaksin” për trupin apo jetën tonë. Kirurgët operojnë për të shpëtuar pacientin nga sëmundjet e rënda natyrore; kasapët therin bagatitë për të ushqyer njerëzit. Të dy ndjekin një rregull të pashkruar, një rend natyral të gjërave: më parë duhet akti i narkozës e më pas ai i prerjes (operacionit) në rastin e doktorit dhe ai i therjes e pastaj ai i rrjepjes, nga kasapi.
Por ka një kategori tjetër “profesionistësh”, të cilët këtë rend e përmbysin me cinizëm. Këtu lind edhe detyrimi apo reflektimi im publicistik, si një shtojcë e re e këtyre kohëve mbi ironinë e hershme të Tristan Bernardit: më të frikshëm se “kasapët” e tij janë politikanët tanë - kasap, sepse ata të rrjepin të gjallë. Atyre nuk u mjafton të të “therrin” së pari, më fjalë, e pastaj të marrin produktin e fjalëmbajtjes së tyre; jo, ata nisin me rrjepjen dhe zhveshjen e njeriut nga dinjiteti, nga shpresa, nga xhepi dhe nga besimi; e vetëm pasi e kanë lënë atë lakuriq në çdo kuptim, vjen edhe “therja” morale, shpesh e padukshme, shpesh e pandëshkueshme.
Në këtë kuptim, anekdota e Bernardit fiton një aktualitet të frikshëm. Në botën moderne, politikanët shpesh sillen si mjeshtra të një “operacioni” pa etikë: një ndërhyrje, ku pacienti, pra qytetari, nuk synohet të shërohet, por të tolerojë, të durojë, madje edhe të kërcejë nga “belaja” e të buzëqeshë, teksa i pihet gjaku. Rrjepja e tij e gjallë nuk është më një akt i dukshëm fizik; është një proces i ngadalshëm, që nis me retorikën, vijon me premtimet, vazhdon me taksat, thellohet me korrupsionin dhe përfundon me zhgënjimin.
Nga thertoja e kasapit dhe salla e operacionit, vijmë tek realiteti shqiptar - një realitet që të ngrin buzëqeshjen në buzë. E si të buzëqeshësh teksa sheh se shqiptarët ikin me të katra jashtë vendit, jo nga dëshira për botë të reja, por nga tmerri se vendi i tyre nuk u ofron më as të ardhme, as dinjitet, as drejtësi? Varfëria është ulur këmbëkryq në çdo vatër shqiptare, si një mysafir i papangopur që refuzon të largohet. Paligjshmëria është bërë mjedisi natyror ku hidhet çdo hap i jetës. Krimi është bërë normalitet, korrupsioni - moral i shoqërisë, ndërsa grabitja me makinacione politike është bërë fe sunduese. Normat morale dhe traditat shoqërore nuk zhduken më me heshtje - ato shpërfillen me zhurmë dhe brohorima. Demokracia është bërë një letër pa vlerë, që nxirret nga sirtarët sa herë duhet mbuluar një mashtrim i ri. Polarizimi ka arritur formën e tij më të egër: shqiptarët jo vetëm nuk besojnë më tek njëri-tjetri, por as tek vetja. Shpresa është venitur; pritshmëria është zëvendësuar nga cinizmi. E kështu me radhë… një përmbledhje e trishtë e tre dekadave e gjysmë tranzicion, ku e vetmja gjë që s’ka ndryshuar është zhgënjimi.
Dhe sikur gjithë kjo të mos mjaftonte, këto dy-tre vitet e fundit vendi u gjend para një fatkeqësie të re: shkërmoqja e opozitës. Ajo, nga institucion kontrolli, u shndërrua në një detashment interesaxhinjsh të shpallur “non grata”, në një grup qeramanësh politikë që kanë humbur jo vetëm identitetin, por edhe cipën e faqes. Në çdo vend normal demokratik, mungesa e opozitës është alarm kombëtar. Në Shqipëri, është bërë pjesë e panoramës social-politike; një boshllëk i frikshëm që askush nuk ka më fuqinë as ta mbushë, as ta kuptojë deri në fund.
Në këtë situatë buzë greminës, ndërkombëtarët, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u përpoqën të rikthejnë oksigjenin institucional në vend. Në mungesë të një kirurgu politik, rekomanduan dhe mbështetën krijimin e një kirurgu institucional: Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të cilën lideri i opozitës me humor të zi e quan “SKAP”. Ironia “…me litar në grykë”, sidoqoftë, nuk ia ul vlerën atij që realisht ka bërë më shumë për drejtësinë shqiptare se çdo institucion tjetër në 35 vite.
SPAK-u, në këto tri vite të ekzistencës së tij, po rikthen buzëqeshjen e munguar të qytetarëve. Jo me premtime, por me pranga. Jo me propagandë, por me prova. Në sallat e gjykimit nuk kanë kaluar më “peshqit e vegjël”, por ish-presidentë, ish-kryeministra, zëvendëskryeministra, ministra, deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë që dikur shiheshin si të paprekshëm. Të gjithë përballë akuzave më të rënda për krim dhe korrupsion. Ajo thika ironike e Bernard-it, më në fund, po pret duart e atyre që i kishin zgjatur për të rrjepur vendin.
Ky është paradoksi i madh shqiptar: drejtësia sapo ka nisur të veprojë, por politika po përpiqet t’i presë duart me haxharin e pazareve politike pozitë - opozitë, ta neutralizojë kirurgun e vetëm shpëtimtar të vendit, para se të jetë tepër vonë e të marrin goditjen përfundimtare prej “SPAK” dhe organeve të tjera ligjzbatuese të vendit. Nëse Bernard-i bëri humor nga shtrati i spitalit, Shqipëria sot ndodhet në shtratin e lëngimit – dhe bisturia e vetme që mund t’i shpëtojë jetën është SPAK-u. Në këtë realitet, ai nuk është thjesht institucioni më i rëndësishëm i momentit; është shpresa kirurgjikale e një vendi të rrjepur për së gjalli.
 
 

1 Komente

  1. S
    Skapi i Fetiut

    Zoti Feti Koqja SPAK eshte një organizat si inkuziconi për të kenaqur turmat e irrituara dhe për të gjetur se pse nuk e ka fituar tenderin Kallashi por e ka fituar Pallashi se këta molokdarë të arsimuar per drejtësi në Institutin për mesuesi pedagogjik të Shkodrës janë një tufë qensh që i janë sulur mbi shpinë qeverisë jashtë funksionit te tyre dhe në mbrojtje të krimeve të Berishës që milona dollarë lobim nga tre grushte shteti e deri te 21 Janari, Gërdeci dhe dhjetra vrasjeve të përgjakshme në Tropojë. Ndaj or fiti mos ha mut po rrinë në shtëpi se nuk e ka mendjen tënde njeri por vetëm ndonjë kafsh si ti

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje