Nga Enver Robelli
“Tortat nuk i zgjidhin problemet, por as mollët!”
M’u kujtua sot kur u zgjova në orën 03:00 për të pjekur bukë, tha bukëpjekësi duke i fshirë duart me miell.
E kishte shkruar këtë fjali me shkumës mbi një dërrasë të zezë. Fjalia i kishte shkrepur nga mendja sërish, kur po bëhej gati të fuste duart në magje. Bukëpjekësi është burrë i hareshëm, i mirësjellshëm, ai e përshëndet secilin që vjen për të blerë bukë, i uron një ditë të mirë dhe pastaj zhduket në kthinën e tij mes brumit, makinave të mëdha për përzierjen e miellit, thasëve me miell. Kur vjen blerësi a blerësja tjetër për të blerë bukë, bukëpjekësi shfaqet sërish, reciton përshëndetjen e tij rituale dhe kthehet prapë në kthinën e tij. Kështu i shkon dita bukëpjekësit. Dikur pasdite bukëpjekësi lodhet. Në orën 18:00 ha darkë dhe dëgjon lajmet e radios zvicerane.
Pakistani dhe Irani bombardojnë rajonin kufitar.
Lufta e Gazës dhe roli i Forumit Ekonomik Botëror.
Tregtia me drogë zgjerohet në portet e vogla holandeze.
Në Bruksel fillon një proces i madh kundër tregtarëve të drogës.
Mirlindi, 33-vjeçar, i martuar me një meksikane, është një burrë poliglot, shkruan gazeta. Ai flet gjermanisht, anglisht, spanjisht, frëngjisht, holandisht. Mirlindi ka humor. “Zonja prokurore, kam lozur dhe kam humbur”. Pastaj Mirlindi zuri vend në bankën e të akuzuarve. Prokurores i shkoi buza në gaz. S’kishte parë moti një të akuzuar të tillë, i cili tregtinë me drogë e merr edhe si lojë bixhozi: në lëvizje e gabuar dhe papritmas ke rënë në grackën që ka ngritur shteti.
Mirëdita, Ferrari, tha bukëpjekësi. Kështu i drejtohet bukëpjekësi zotit Müller.
Zoti Müller është një burrë me syze, me mustaqe dhe bart një kapelë të trashë, e cila ia mbulon edhe veshët. Bukëpjekësi e quan Ferrari zotin Müller për shkak se ky, përkundër 88 viteve të tij që bart mbi supe, ende ecën pa shkop nëpër fshat. Zoti Müller ka plane për vitin e ri. Do të shkoj në Namibi, i thotë zoti Müller bukëpjekësit pa e shikuar në sy, ndërsa vazhdon të lexojë gazetën me zërin e tij të mbytur.
Shoferi iku nga vendi i ngjarjes, bashkëudhtari vdiq më vonë në spital.
Çfarë rëndësie kanë alpet për ju.
Horror në Çeki: një burrë i hutuar, me penis e veshë të prerë, sillet vërdallë nëpër qytet.
Zoti Müller tund kokën.
Zoti Müller shikon përmes dritares rrugën e mbuluar me borë.
Po shkrihet bora, po ngrin bota, tha ai, më shumë duke folur vetë më vete se me bukëpjekësin.
Lidhi shallin trefish për qafe, veshi pallton e rëndë, vendosi kapelën me strehë mbi kokë dhe futi në xhep librin “Biblioteka e argëtimit dhe dijes”, vëllimi i trembëdhjetë, botim i vitit 1913, Union Deutsche Verlagsgesellschaft, Stuttgart, Berlin, Leipzig. Zoti Müller dukej i lumtur kur hodhi hapat e parë mbi borën që po shkrihej.
Lini një Përgjigje