
Marrëdhënia e shqiptarëve me teknologjinë dhe inteligjencën artificiale ishte ndoshta një nga gjërat më magjepsëse kulturalisht të vitit që shkoi, por edhe më gjerë të këtyre tri viteve të fundit. Është diçka që nuk mund të mos e vësh re në mënyrën se si diskutohet edhe publikisht për të, me ndjesinë e një lloj çlirimi se më në fund, dikush apo diçka tjetër ka marrë përspiër që të mendojë dhe gjykojë në një sferë publike ku këto aktivitete, së bashku me vendimmarrjen, janë bërë jo vetëm procese të lodhshme, por edhe aspak shpërblyese.
Shenja e parë e qartë u dha një vit më parë, në shtator të 2025-ës, me shpalljen e ministres së parë me inteligjencë artificiale, përgjegjëse për prokurimet publike. Diella u prezantua si një zgjidhje përmes teknologjisë ndaj korrupsionit, sipas logjikës së thjeshtë se një “makinë” nuk ka të miq dhe të afërm, por as interesa personale. Ndryshe nga ministrat njerëz, ajo nuk ka nevojë të paguhet dhe nuk ndihet e kushtëzuar nga ndonjë ndjenjë besnikërie. Në pamje të parë, e gjitha tingëllon si një zgjidhje praktike: nëse heq individin me cene dhe e zëvendëson me një sistema neutral, problemi nuk do të ekzistojë më, ose të paktën do të reduktohet.
Megjithatë, ajo që u injorua në të shumtën e rasteve është se kush do të jetë përgjegjës për atë sistema, në cilat të dhëna do të mbështetet dhe si mund t’i analizojmë vendimet e saj? Një algoritëm, ndoshta realisht kompleks, u paraqit si forcë korrigjuese, por çuditërisht pa prezantuar asnjë mekanizëm përgjegjësie. Një “makinë” që supozohet të shërbejë si forcë neutrale, thuajse higjenike, e rrethuar nga një sistema politik që do të vazhdonte të mbetej po aq opak sa ç’ishte para saj. Dhe ne duartrokitëm.
Pak kohë më pas, në lajme qarkulloi për pak kohë ideja e një kandidati për Bashkinë e Tiranës, i ndërtuar gjithashtu përmes inteligjencës artificiale. Sërish nuk pamë asgjë më shumë se sa idenë e një avatari, të reklamuar nga ekspertë të teknologjisë, por që në shumicën e rasteve duket sikur kanë ngecur në zanatin e gabuar, pasi iu pëlqen më tepër të paraqiten si njerëz të spektaklit, klikimeve, poezisë e letërsisë “cheap.” Projekti i tyre për kandidatin e parë AI pushtoi për pak kohë titujt e lajmeve, që e përshkruan si eksperiment politik, edhe pse nuk arriti kurrë të kapërcente pragun e skenës së spektaklit, për të mbërritur tek ajo e politikës. Nuk pamë e as dëgjuam ndonjë politikë prej tij, siç nuk dëgjuam për ndonjë vizion apo prioritet buxhetor. Po tek e fundit, ka kohë që nuk dëgjojmë të tilla gjëra edhe nga kandidatë njerëz, qoftë për pushtete lokale, qoftë për atë qendror. Ndërkaq, sapo zgjedhjet e parakohëshme për bashkinë Tiranë u anuluan, edhe kandidati AI u zhduk pa asnjë shpjegim, duke konfirmuar edhe një herë atë që shumëkush e priste, se nuk qe fjala për ndonjë dëshirë për të qeverisur se sa për pak më shumë vëmendje dhe spektakël. Kandidati i supozuar nuk ia doli të ishte diçka më shumë se sa një ushtrim marketingu dhe një mënyrë për të sinjalizuar modernitet, pa u përfshirë seriozisht në risqet e politikës substanciale.
Pati më pas një valë “krijuesish” sintetikë në fushën e kulturës, por shpejtësia me të cilën u zhdukën dhe u harruan i bën të parëndësishëm t’iu japësh më tepër vëmendje.
Do të ishte e lehtë që zhvillime të tilla të shpërfilleshin si çudira të padëmshme nëse nuk do të koinçidonin me një ndryshim edhe më të gjerë që diskursi publik shqiptar po përjeton kohët e fundit. Gjithnjë e më shpesh, gazetarë dhe prezantues citojnë pa kurrfarë sikleti përgjigje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, duke iu referuar shpesh kësaj të fundit si burim autoritativ. “Të shohim ç’thotë çati,” është kthyer në një mënyrë për të përmbyllur shumë debate pa u përfshirë seriozisht në to. “Makina” trajtohet prej tyre, por tashmë edhe nga një numër intelektualësh publikë, si një lloj arbitri i jashtëm, i aftë të depërtojë përmes zhurmës politike pa mbajtur përgjegjësi për pasojat e asaj që thotë.
Inteligjenca aritficiale duket se ka gjetur ndër ne një mjedis mjaft mirëpritës, por do të ishte sipërfaqësore që si arsye për këtë të përmendnim dembelizmin apo paaftësinë tonë për të menduar. Përkundrazi, arsyeja përse IA ka gjetur tek ne shqiptarët partnerin perfekt, është se gjithë sistemet që rrethojnë procesin e të menduarit, e shkurajojnë atë. Të menduarit kritik është proces i ngadaltë, që shpesh krijon pasiguri te ai që përfshihet në të, por prodhon edhe konflikt dhe, në një mjedis mediatik që i jep prioritet shpejtësisë dhe të tingëlluarit i sigurt në vete, “makina” gjen vendin e përsosur për të shkrirë me njeriun.
Sigurisht, ironia qëndron në faktin se vetë “makina” nuk kupton asgjë nga këto. Ajo nuk e di nëse ne e shohim si lodër apo si zot; nuk gjykon dhe di të marrë parasysh pasoja për atë që “bën”. “Makina” thjesht gjeneron përmbajtje bazuar në propabilitet dhe deri këtu frika prej saj mund të shihet edhe si panik moral. Megjithatë, rreziku qëndron tjetërkund. Kur përgjigjet janë gjithmonë gati, zakoni i të bërit pyetje më të mira, dobësohet.
Me kalimin e kohës, kjo mund të riformësojë pritshmëritë tona politike. Vendimet nuk merren më duke patur parasysh përgjegjësinë e pasojave, por kthehen në proces përzgjedhjeje, ndërsa kufiri i asaj që konsiderojmë kuptimësi bie, pasi mjedisi rrethues nuk e shpërblen më thellimin, marrjen e kohës dhe dyshimin.
Ky është një model që Shqipëria e ka përjetuar disa herë edhe në të shkuarën. Në pjesën më të madhe të historisë sonë, e kemi kërkuar mendjen autoritative gjithmonë diku gjetkë tek perandoria, ideologjitë dhe më vonë, në institucionet ndërkombëtare, duke shpresuar se mund të na japin sadopak qartësi përballë dështimit të institucioneve lokale. Sot, inteligjenca artificiale bëhet pjesë e kësaj tradite pa shumë vështirësi, pasi ashtu sikurse “mendjet e jashtme” të përmendura më sipër, edhe ajo mbërrin pa interesa të dukshme dhe pa njolla politike. Është gjithmonë më e lehtë t’i besosh një “mendjeje” pa të shkuar.
Por, delegimi i procesit të të menduarit tek këto “mendje të jashtme” ka pasojat e veta, pasi është e pamundur të mbash përgjegjëse sisteme që nuk janë ndërtuar për të mbajtur përgjegjësi. Cili do të jetë autori i këtij apo atij vendimi në momentin që aktorët politikë do të mund të fshihen pas algoritmeve? Si mund të kundërshtohen pasojat e një vendimi, kur duket se askush nuk e ka marrë atë dhe gjëja thjesht ka ndodhur, e mundësuar nga “perëndia neutrale” që është inteligjenca artificiale?
Edhe pse fans i serisë “Terminator”, nuk dua që kjo të lexohet si paraljmërim se “makinat” do të marrin në kontroll njerëzimin. Ajo çfarë duhet të na shqetësojë realisht është hapja e krahut që jemi duke i bërë si shoqëri inteligjencës artificiale, duke e lejuar të mbushë boshllëqet e lëna nga institucionet tona të dobëta dhe mosbesimi ndaj politikës. Për më tepër, do të ishte gabim ta shihnim këtë përqafim pa kushte të teknologjisë si progres, sikundër mund të proklamohet shumëkund, pasi progresi real konsiston në ndërtimin e institucioneve të afta për të menduar – dhe për t’u vënë në dyshim – kolektivisht nga të gjithë ne. Pa arritur diçka të tillë, inteligjenca artificiale nuk do të na bëjë një shtet më racional dhe as shoqëri më të sinqertë. Thjesht do ta bëjë shmangien e përgjegjësisë edhe më efikase, por i vetëm efikasiteti nuk ka qenë kurrë virtyt politik.
Së pari nuk është problem shqiptar , por ndërkombëtar. Së dyti, unë jam 65 vjeç dhe prap e shoh IA si shpëtim për gen z. Së fundmi bandat ekstremiste të majta janë bashkuar me bandat ekstremiste islamike dhe me budallenjtë e lgbtqi . Ky mishmash i tmerrshëm ka helmuar shumë nga brezi i ri, kështu që IA është shpëtimi, ajo shuan çdo debat idiot. Brezi i ri nuk ka nevojë për ideologji të majtë. Jeta është punë, mundim, sakrifica.
Ky Bjorni dhe Lea ta heqin petllën. Ëndërrimtarë të pashpresë që shikojnë veç atë që duan vetë, krijojnë argumente nga hiçi dhe pastaj monologojnë sesi të tjerët hipotetik e mendojnë diçka. Nuk ke as çfarë t'i kritikosh se shkrimet e tyre të stërgjatura nuk thonë asgjë fundja. Po aq steril sa edhe LLM ("AI" në këtë rast) mund të shkruajë. Përgjegjësit i kanë ata që i posedojnë këto vegla, thjeshtë çështja është a do ketë vullnet për t'i detyruar të mbajnë përgjegjësit... Problemi i gjithmonë gjendur në Shqipëri.