Nga Mateo Spaho
Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, e nxitur nga tensionet dhe lufta në Iran, ka prodhuar një efekt të dyfishtë në ekonominë shqiptare: ndërsa qytetarët dhe bizneset përballen me kosto gjithnjë në rritje, buxheti i shtetit po regjistron të ardhura në rritje të ndjeshme.
Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 tregojnë qartë këtë prirje. Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) kanë ndjekur një kurbë në rritje, duke kaluar nga një rritje modeste prej 2.1% në Janar, në 5.5% në Shkurt, për të kulmuar me 14% në Mars, ku arkëtimet arritën në rreth 20.5 miliardë lekë.
Një pjesë e mire e kësaj rritjeje lidhet drejtpërdrejt me shtrenjtimin e produkteve bazë dhe karburanteve, ku vetëm nga rritja e çmimit të naftës buxheti përfitoi të paktën 4 milionë euro më shumë në një muaj.
Ky është mekanizmi klasik i një tatimit mbi vleren e shtuar: sa më i lartë çmimi, aq më e madhe shuma që paguhet në TVSH.
Në një ekonomi si ajo shqiptare, që importon mbi gjysmën e mallrave bazë, çdo rritje e çmimeve në tregjet globale përkthehet automatikisht në më shumë të ardhura për shtetin në dogana dhe në tregun e brendshëm.
Por rritja e çmimeve nuk është i vetmi faktor. Frika nga shtrenjtimet e mëtejshme ka nxitur bizneset të rrisin importet, duke krijuar një efekt mbifurnizimi.
Importet e grurit janë rritur me 55% në sasi gjatë tremujorit të parë, ndërsa ushqimet me rreth 20%. Kjo ka sjellë më shumë volum mbi të cilin aplikohet TVSH, duke rritur edhe më tej arkëtimet.
Në të njëjtën kohë, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe rritja sezonale e aktivitetit ekonomik, e nxitur nga turizmi dhe gjallërimi i pranverës. Megjithatë, diferenca e madhe mes rritjes së janarit dhe marsit tregon se pesha kryesore mbetet tek çmimet dhe jo domosdoshmërisht tek rritja e mirëqenies.
Në këtë panoramë hyn edhe një element tjetër i diskutueshëm: ndërhyrja direkte e shtetit në tregun e karburanteve përmes Bordit të Transparencës.
Ky mekanizëm ka vendosur çmime tavan për naftën dhe benzinën, të cilat në datën 22 prill 2026 u caktuan respektivisht në 202 lekë për litër për naftën dhe 176 lekë për litër për benzinën.
Në dukje, ky është një instrument për mbrojtjen e konsumatorit. Por në praktikë, ai ngre pikëpyetje mbi rolin e shtetit si njëkohësisht rregullator dhe përfitues i rregullave qe vete vendos!
Nga njëra anë, shteti përcakton çmimin final në treg. Nga ana tjetër, ai përfiton drejtpërdrejt nga çdo rritje e këtij çmimi përmes TVSH-së dhe akcizës, e cila në kushtet aktuale po aplikohet në nivel të plotë.
Kjo krijon një konflikt të qartë interesi: sa më i lartë çmimi, aq më të larta të ardhurat për buxhetin. A ka leverdi Shteti Shqiptar te uli cmimet tavan mbi karburantin? Natyrisht Jo!
Ndërkohë, barra reale bie mbi qytetarët dhe bizneset. Konsumatorët përballen me kosto më të larta për ushqimet dhe energjinë, ndërsa bizneset shohin të rriten shpenzimet operative, duke ngushtuar marzhet e fitimit dhe duke rritur presionin për çmime më të larta në zinxhir.
Në shumë vende të rajonit dhe më gjerë, situata të tilla janë shoqëruar me paketa lehtësuese për shtresat në nevojë, duke rishpërndarë një pjesë të të ardhurave shtesë të mbledhura nga shteti.
Në Shqipëri, një qasje e tillë nuk njihet, duke e vertetuar perceptimin se përfituesi kryesor i kësaj krize është vetë Shteti.
Kur ekonomia ecen mire shteti rrit te ardhurat, kur ekonomia ecen keq, shteti prap rrit te ardhurat!
Në fund, kriza ndërkombëtare ka nxjerrë në pah një realitet të ashpër ekonomik: kur çmimet rriten, shteti arkëton më shumë, ndërsa qytetarët dhe bizneset paguajnë më shumë.
Në këtë ekuilibër të brishtë, pyetja që mbetet është nëse ky model është i qëndrueshëm dhe i drejtë? Shteti ka ne dore edhe gurin edhe arrën!
**Ky shkrim është pjesë e projektit “PRODEMOCRATIA”, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe Media MAPO, për të analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.
Presim, shume me teper shkrime specialistesh, qe i bejne nje skopi objektive, vecanerisht sunduesve injorant dhe te pashpirte, qe i ofrojne nje vdekje te mundimeshme dhe te ngadalte, qindra mijra shqiptareve, me te ardhura te vajtueshme.
Në përgjigje dhe të ...stanit. ___ Z. Spaho! Dikur thuhej se kripa ishte e lirë në Durrës por e shtrenjtonte qeraja e udhës. Ky mall, kaq i kërkuar u jepej si monopol sunduesve, por edhe shtetit. E nxirrej në kripore, por gjatë rrugës, kur kalonte "gardh më gardh", se qëmoti, ç'do gardh që kaloje duhet të paguaje, veç transportit dhe kështu i rritej çmimi sa më shumë gardhe dhe sa më larg e çoje. _____ Në gjithë këtë paraqitje ka disa probleme, të autorit z. Spaho, që nuk janë dhe aq pa rëndësi. Po mundohemi t'i shtjelloj, duke bërë më parë një marrëveshje dhe për disa abstragime që janë të nevojëshme në rrafshin botkuptimor dhe shkencërisht të popullarizuara për tu kuptuar nga të gjithë. Besoj se zoti Spaho e di, por edhe ju duhet ta dini, se ekonomia i ngjan një ene komunikuese, sa më shumë uje hedhim aty, aq me lart ngjitet niveli i ujit në tubat përkatës të enes njëjtë, si në tubat e hollë edhe në të trashët. Pra, nivelin e gjithë enës e përcakton volumi i ujit (çmimi në treg). Po e supozojmë enën me tre gypa: një të madh, sa 2/3 e erës (kosto, blerje shpenzime manipulimi) dhe nga 1/6 dy tubat e tjerë (Taksa dhe tatime shteti) dhe (Fitim). Kur e shtojmë volumin e erës (çmimin) me 10%, duhet që kjo të reflektohet në të gjithë nivelet e tubave më nga 10%. Tani llogjikën ekonomike e nisim nga tubi i madh, dmth nga kostot e blerjes shpenzimet e manipulimit dhe, për efekte të ngjashme, me rritjen e kësaj lloj kostoje do të rriteshin edhe të ardhurat për shtetin, por edhe të fitimit të shitësit, se kjo është mënyra e llogaritjes së taksave dhe tatimeve: mbi bazën e një vlere të caktuar, pjesë përbërëse e çmimit. _____ Në aspektin teorik: tatimet taksat nga njëra anë, dhe fitimi i bosit, nuk janë pjesë e kostos, ato në kuptimin e ekonomisë politike janë pjesë e mbivlerës së famshme (ose të fitimit të pandarë në kuptimin klasik), që shfaqet kur malli del më treg si vlerë përdorimi. Pra duhet të dallojmë këtu qartë: vlerën dhe vlerën e përdorimit, në kuptimin konkret: malli në magazinë nuk ka veç një vlerë, kur del në treg nga kërkesa konsumatore merr një vlerë shtesë, mbivletën, prej kësaj kërkese, që lëviz në lirësi a shtrenjtim nga mundësia e ofertuesit për ta plotësuar (dy mallra mund të kenë punë shoqërisht të domosdoshme të barabartë, por në botën e mallrave, çmimet mund të mos jenë të barabartë dhe varen nga vlera e përdorimit - sa i kërkuar është). ______ Do të qe mirë që ndoshta, të qe e mundur, që kjo mbivlerë të llogaritej në natyrë: lekë/kg ose lekë/copë etj, dhe mbi këtë bazë, sa i takon shtetit dhe sa bosit. Por e di se një mënyrë e tillë është mjaft e vështirë për tu llogaritur duke u nisur nga baza vlerësore, e deri tek shumëllojshmëria dhe fleksibiliteti i kërkesës në treg. Kjo mënyrë do të rriste të ardhurat e përfituesve jo nga rritja e kostove në blerje, por nga sasia në natyrë e mallrave, me ndonjë korrigjim të herëpashershëm të kësaj baze për efekte inflacioni etj. ______ Eshtë krijuar përshtypja, nëpërmjet këtyre artikujve, sikur shteti po i shtrydhur dhe po i shfrytëzon konsumatorët. Bosët shtypin e shfrytëzojnë, se ata fitimet që rrjedhin nga kjo mbivletë (e ashtuquajtur punë e papaguar) e sipërpërmendur i kapitalizojnë në xhepat e tyre dhe krijojnë Elion Maskët e çmendur, por edhe të zgjuar, që bëjnë të mundur të polarizojnë shoqërinë! Epo nuk kanë të gjithë mundësi të vjedhin me ligj aq sa nuk dinë sa kanë; sikur do ti marrin me vete. Shteti, sado që grumbullon edhe ky me ligj, njëlloj si bosi, nga kjo "mbivlerë" e krijuar, i shfrytëzon ato për të mira publike, pra, në një kuptim, ua merr popullatës, nëpërmjet çmimit të mallit që shet bosi, për ta përdorur në dobi të tyre si investime, shërbime publike dhe të ardhurash për përfitime të tjera të mirëqenies së popullatës (rritje dhe indeksim i rrogave dhe pensioneve, psh). Siç shihet forma e prodhimit dhe mënyra e përvetësimit dhe përdorimin ndryshojnë mjaft. _______ Këtu nuk kemi të bëjmë fare me sistemin ekonomik; Spahoja, ma ha mendja është i qartë dhe i qetë: kemi sistem ekonomik kapitalist liberal, falë dhe autorëve të tillë si ai, por ndryshimin e sistemit ekonomik na e paraqet si pengesë që duhet ndryshuar(!) edhe si apogje të bosëve, që fitimet e tyre duan ti maksimizojnë në kurriz të shtetit dhe për faj të shtetit. _____ Këtu nuk kemi pikën e konfliktit të intetesit mes shtetit dhe qytetarëve. Bosi nuk e vret mendjen nëse rritet a jo çmimi i mallit të blerë. Ai sapo e ndjen këtë rrit çmimin, pa pyetur për pasojat, duke ia kaluar barrën konsumstorit dhe fajin shtetit, siç sygjerohet në artikull, duke kërkuar që të ruajë fashën "fi"% të fitimit. Ju them, kini parasysh enët komunikuese, shëmbull ndoshta vulgar, por shtjellimi teorik i prodhimit, qarkullimit dhe mbivlerës që rëndom quhet fitim, janë çështje teorike që diskutohen edhe sot. Sa për sqarim; edhe një herë: shteti, në kuptimin e institucionit, nuk e vjedh qytetarin, por nuk e lë bosin të vjedhë dhe shfrytëzojë pa kufi qytetarët, akumulon me qëllim rikthimin në të mirë publike. ______ Tashti dy fjalë për autorin. Baza ekonomike prodhuese kanë shkuar mjaft përpara, por sot kanë mbetur pas superstruktura, or djalë. Mbetur pas, akoma me Rikardon e Smithin, ngjituni pak më afër. Edhe ata që i kanë kritikuar, kanë thënë diçka për të kuptuar sistemin ekonomik që kemi zgjedhur, të paktën në kuptimin që trajtohet në artikull. Sistemin kur edhe gurin edhe arrën e kishte shteti, dhe përfitimet i kishte të gjitha populli, e lamë. Por sistemi kapitalist liberal (jo libertal), e do nga pak edhe dorën e shtetit në favor të popullatës, jo si e paraqet e kërkon ti. Ekonomi liberale është dhe lëvizja e kapitalit atje, ku ka efektivitet më të lartë dhe konkurruese për përmirësim dhe rendimente në të larta, me qëllim plotësimin sa më të madh të nevojave, jo dhe maksimizimin privat edhe të pjesës më të madhe të mbipunës më kurriz të pjesës që i takon shoqërisë dhe polarizimit gjithnjë e më të madh të shoqërisë njerëzore, se atëhere do të kërkojnë dikur, një ndryshim të vërtetë të sistemit ekonomiko-shoqëror. Të sjellin atë kohë që shteti ta ketë vërtet edhe gurin edhe arrën. E hoqëm, e diskredituam, por ajo sillet ende nëpër botë; është objektiviteti është dialektika historike, siç duket, që e sjell atë si fantazmë. Duhet me u bo ka i çik vaksina, se t'infekto, or lal.
Din paku, the ne fillim te komnetit qe ta kuptonim te gjithe shpjegimin Po na e bere çorbe midis shpjegimeve per hidrauliken e énervé komunikuese dhe fjalve te medha te nxjerra nga fjalori i kush edi se kujt. Me Pak fjale Po te doje shteti, ja shtrydh bolet tregtarit qe mos ta teproj me ngritjen e çmimit por te fitoj sa duhet ne baze te rritjtes se çmimit ne tregun e blerjes, te ndihmoje firmat e transportit ne rritjen e çmimit te karburantit, e mbi te gjitha shteti mundet te propozoje nje TVSh me te ulet per produktet e nevojshme per jetese.