Diktati i fëmijëve

28 Prill 2023, 16:50Blog TEMA

Diktati i fëmijëve

Nga Ervin Qafmolla

Kur kalamajtë u përplasën pas nesh për herë të dytë, dhe njëri prej tyre fluturoi poshtë tavolinës, u ngrita në këmbë dhe me ton qortues por të butë, i pyeta se ku i kishin prindërit dhe i udhëzova për atje.

Jo fort larg meje, në restorant po harepseshin dy familje që i kishin lëshuar fëmijët të kullosnin vërdallë. Njëra nga gratë bëri sikur i qortoi, por i la sërish të lirë. Familjarët iu kthyen gëzimit me zëra dhe mimika që ekspozonin tipare të fisnikërisë rustike të jugut të Shqipërisë, teksa deri te ne mbërrinin pasthirrma emotive që kishin të bënin me “dajo” dhe elementë të tjerë farefisnorë.

Pa u bërë pesë minuta, kalamajtë në fjalë – dy djem dhe një vajzë – mësynë përsëri hapësirën tonë, pikërisht kur njëri nga djemtë ia futi me ballë karriges sime dhe nisi të qajë.

U ktheva sërish nga prindërit, kësaj radhe pa folur dhe pa shprehi në fytyrë. Djali vazhdonte të qante edhe pse nuk ishte vrarë seriozisht, dhe brenda meje po zgjohej parehatia e mendimit që nuk më takonte mua të më vinte më shumë keq për të sesa prindërve të vet.

Me një ngërdheshje të keqe, një burrë rreth të 50-ave mu kthye agresivisht: “Na fal ë? Se janë fëmijë...” E përshëndeta duke tundur kokën dhe bëra një mimikë universale që nënkuptonte: “S’ka gjë.” U ktheva te pjata ime, kur pas shpine dëgjoj sërish, kësaj here me një ton të acaruar: “Se janë fëmijë ë, e ke parasysh?!” Burri ishte një buçko i pamodeluar, veshur me komplet tutash dhe atlete të shtrenjta, që përveç se uniforma universale e gangsterëve, në ato vite përkonte me petkun identifikues të agjentëve ekonomikë pranë një force politike në pushtet.

Pavarësisht orvatjeve të mia për të ruajtur një elegancë sociologjikisht korrekte, babai dukej sinqerisht i nxehur, me gjasa ngaqë nuk kisha shfaqur empatinë e pritshme për situatën. “Nuk kam asgjë me fëmijët”, i thashë me qetësi. Por ai ishte gati për shpërthyer.

- Po me tutë si ia bën?

- Nuk i kam bërë. Faleminderit.

- Prandaj bën kështu!

- Nuk po bëj gjë. Faleminderit.

(Një zë më pëshpëriste në vesh: Thuaji katunarit: "Fëmijët e tu nuk janë problemi im". Por fatmirësisht nuk e mora parasysh.)

Dhe asgjë nuk i irriton më shumë rustikët sesa elokuenca formale me distancim social. Ndaj edhe unë buzëqesha gjithë mirësi dhe tunda dorën lehtë, siç bëjnë njerëzit e famshëm kur dikush i përshëndet nga ana tjetër e rrugës. Burri lëshoi ca hungërima fisnore që qartazi buronin nga kontekste më të lashta gjenetike. Gratë në tavolinë e përmbajtën.

Në një incident tjetër, dy gra të veshura me shije dhe me një karrocë bebesh, po pinin çaj në oborrin e një bari, kur foshnja filloi të qajë me lebeti. E ëma i tundi një lodër të varur mbi karrocë. Por vetëm aq. Fëmija vijoi të lebetitej si i pushtuar nga demonët, ndërsa ato vijuan bisedën të pashqetësuara.

Kishin kaluar gati 10 minuta me këtë performancë fonetike - qartazi dëshmi e nevojës së rikthimit të mjeshtërisë së ekzorcizmit në ditët tona - dhe disa nga klientët po shfaqnin shenja të fshehta bezdie, por pa guxuar të hidhnin sytë nga burimi i trazimit. (Sepse është fëmijë, apo jo?!) Por unë ktheva kokën dhe nisa t’i hetoj me nge. Shoqes së nënës nuk i pëlqeu veprimi.

- Çfarë ke?!

- Meqë zëri vjen fort, thashë ta plotësoj me figurë.

- Çfarë?

- Fëmija po bërtet shumë, ndoshta mund të gjeni një zgjidhje?

- Shih punën tënde.

- Do doja shumë.

Në këtë pikë, nja dy klientë qeshën mbyturazi. Gratë u çuan dhe ikën duke më lëshuar një të sharë që nuk po e përsëris këtu. Një vajzë në tavolinën ngjitur më falënderoi. Por ca familjarë më tutje po hetonin vetullngrysur.

Të pasurit e një fëmije, për shumëkënd duhet të jetë një farë licence për sjellje të papërgjegjshme, një amnisti paraprake për çdo bezdisje apo kundërvajtje që mund të ndodhë si rrjedhojë. Dhe ndodh që edhe forma më e sjellshme e tërheqjes së vëmendjes shpesh ndërkëmbehet me reagime të shpërpjesëtuara si nga nënat ashtu edhe nga baballarët.

Gjërat bëhen edhe më problematike kur puna vjen te qarkullimi publik. Për shembull, shtigjet për biçikleta ndanë Lanës pushtohen rregullisht nga familjarë me karroca bebesh, të cilët ia besojnë investimin e tyre riprodhues zotësisë së çiklistëve dhe gjendjes së mjeteve të tyre. Një herë, dy gra që ecnin me karroca paralel shoqja-shoqes, me gjasa edhe të bezdisura nga çiklistët e tjerë para meje, refuzuan të hapnin rrugën: “Kalo nga të duash!”

Në njërën anë ishte gardhi me hekura, kurse në tjetrën rrëpira me bar dhe baltë që të hidhte në përrua. Kështu, u shtira sikur do u mësyja karrocave me biçikletë – një blof mizor, por blof gjithsesi – dhe ato e hapën rrugën menjëherë. “Vrasës!” – ulëriti njëra pas shpinës time, teksa unë rrëshqita drejt horizontit. Në anën tjetër të Lanës ndodhet një trotuar në gjendje të shkëlqyer, i bërë enkas për këmbësorët, por po aq i nënpërdorur. Familjarët dhe këmbësorë të tjerë parapëlqejnë anën me gardh dhe të vijëzuar bukur për biçikletat.

Po në këtë rruginë nisi të mi binte borisë nga pas një motor shpërndarjeje. Unë po lëvizja në korsinë time, por mjeti i tij ishte aq i gjerë sa nuk i mjaftonte hapësira e vet. Supozohesha që të ngjishesha në cep dhe praktikisht të ndaloja në mënyrë që ai të kalonte. Vazhdova rrugën i patrazuar deri te semafori i parë. “Pse nuk e hap rrugën or ti?” – tha tjetri hakërryeshëm kur u ndalëm të dy.

“Po ti çfarë bën këtu?” – ia ktheva duke i kujtuar që ai shteg nuk ishte për motoçikleta. Ai u ngreh idhnak dhe bëri sikur do zbriste nga motori. Unë zbrita i pari nga biçikleta dhe iu afrova. Aty për aty u qetësua dhe më shpjegoi (me dorë në zemër) se duhet ta mirëkuptoja ngaqë po punonte për “bukën e fëmijëve”. I thashë që ky argument nuk kishte asnjë lidhje me situatën, sikurse unë nuk kisha asnjë lidhje me faktin që ai kishte bërë fëmijë. Më vështroi me urrejtje dhe neveri sikur po shihte djallin vetë.

Por prindërit me karroca mbeten më interesantët. Nganjëherë të shohin drejt e në sy, dhe papritur ta lëshojnë kolopuçin para këmbëve. Në atë çast, ti supozohet që të zhbëhesh në asgjë.

Dhe ka një shpjegim shkencor për këtë. Riprodhimi vjen me ndryshime domethënëse neurologjike për prindërit. Këto ndryshime rezultojnë kryesisht në mpakjen e lëndës gri në tru, si edhe në pakësim të aspekteve të vetëperceptimit për nënat. Por edhe baballarët pësojnë hisen e vet të goditjes. Mekanizmi që tërheq këmbëzën edhe për burrat mbetet i paqartë. Por çka është dokumentuar shkencërisht tregon edhe këtyre u shtohet prolaktina – një hormon që ndër të tjera zmadhon gjoksin dhe ndikon te prodhimi i qumështit te gjitarët femra – kur partnerja e tyre është shtatzënë. Efektet përfshijnë shtim të peshës, me gjasa për ta përgatitur organizmin e babit për netët pa gjumë që do pasojnë. Paralelisht, prolaktina ul edhe testosteronin, i cili për burrat është hormon vendimtar për mirëqenien e përgjithshme.

Evolucioni dikton që e gjithë qenia prindërore duhet të përkushtohet te mbijetesa e pjellës së vet, ndaj teksa disa funksione përforcohen dhe vigjilenca zmadhohet, aftësi të tjera që mund t’i shpërqendrojnë nga fëmija, tkurren, në mos asgjësohen. Prej këtu, mund të kuptojmë që batutat rreth “dad jokes” apo “dad belly” mbështeten mbi rrethana të vërteta shkencore. Mësimi më serioz është që prindërit sakrifikojnë për fëmijët e tyre edhe në mënyra mbi të cilat ata nuk janë të vetëdijshëm. Lajmi i mirë është që këto ndryshime, shpesh përkeqësuese, janë të përkohshme.

Dhe ndërkohë që të tilla modifikime janë në veprim, duhet të merren të mirëqena dhe të mirëkuptohen edhe ndryshimet praktike të sjelljes, përfshi ato me efekt në hapësirën publike dhe ndërveprimin më të gjerë shoqëror.

Për shembull, shumëkujt mund t’i ketë ndodhur të pikasë kur në pika kalimi në rrugë, pasi semafori hapet, një çift me karrocë fëmijësh ndeshet me një çift tjetër me karrocë fëmijësh. Këta do të priren të ndalojnë për t’u lumturuar me njëri-tjetrin teksa bllokojnë pa teklif vendkalimin për këmbësorët e tjerë – shpesh duke i vendosur karrocat përballë njëra-tjetrës si postbllok.

Në një reflektim të parë, mund të hamendësohet që familjarët thjesht gëzohen kur ndeshin familjarë të tjerë, po ashtu prindër të rinj, dhe si rrjedhojë harrojnë ku janë dhe çfarë po bëjnë. Por hamendësimi tradhton dhe është shkenca ajo që edhe në këtë rast mbizotëron. Janë, në fakt, hormonet debile të njërës palë që perceptojnë hormonet debile të palës tjetër, duke i tërhequr të riprodhuarit drejt njëri-tjetrit dhe duke çliruar dozat përkatëse të shpërblimeve kimike në trurin e gjitarëve të përfshirë.

Duke qenë se këto ndryshime hormonale, neurologjike dhe fiziologjike të trurit ndikojnë tek ulja e perceptimit, mendimit krijues dhe zgjidhjes së problemeve, disa funksione zëvendësohen me shprehi të çrregullta instinktive.

Por ka dallime. Jo të gjithë njerëzit e saporiprodhuar janë automatikisht kundërvajtës të zombifikuar publikë. Ekzistojnë edhe ata prindër që mbajnë anën e vet në rrugë, që nuk u mësyjnë qytetarëve të tjerë në hapësirën personale, që nuk shqetësojnë rendin shoqëror me sebepin e një foshnje. Këtu mund të ketë rol edukata qytetare.

Kështu, prindërit e rinj me formim të dobët qytetar, duke qenë se tashmë kanë vetëdije të cunguar hapësinore dhe janë të patrazuar për norma dhe rregulla, priren të funksionojnë në një modalitet gjysmë-somnambulik në hapësirën publike. Rrjedhimisht, këta vërtiten në këtë realitet si qenie të pavetëdijshme – ngjashmërisht me bots-at te GTA V, sa për të dhënë një ilustrim mizor – pikërisht ngaqë u ka munguar edukata paraprake qytetare.

Por ata që kanë qenë paraprakisht të mirëformuar, ndonëse subjekte të të njëjtave kufizime dhe automatizimi vepror, arrijnë t’i zbatojnë të njëjtat adete ndërvepruese me hapësirën publike dhe të tjerët pothuajse siç i kanë ndjekur më parë. Kjo, sepse këto sjellje u janë shndërruar në shprehi të automatizuara, ndaj edhe kur nuk janë të vetëdijshëm për to, sërish i zbatojnë për inerci.

Prej këtej, mund të interpretohet që prindërit e rinj që sillen në mënyrë bezdisëse nuk duhen fajësuar për sjelljen e tyre të atypëratyshme, por mund të gjykohen për mungesën e edukatës qytetare (familjare) para se të riprodhoheshin.

Por nuk është vetëm ndryshimi i pjesshëm dhe i përkohshëm kimik-neurologjik që mund të justifikojë gjithçka. Sepse ky ndryshim, ndonëse i ngjizur në hormone përgjithësisht anti-intelektuale, nuk e shndërron njeriun në idiot. Ekzistojnë zgjedhjet e vetëdijshme.

Kështu, nuk janë somnambulikë prindërit që me vetëdije zgjedhin të zaptojnë rrugët ekskluzivisht për biçikleta te Parku i Liqenit, duke e ditur që aty po pengojnë çiklistët, dhe pavarësisht faktit që kanë alternativa po aq dinjitoze transporti dhe përjetimi. Këta, me vetëdije abuzojnë privilegjin e prindërimit. Dhe në këtë rast, fëmija shërben si pasaportë për tejkalime që në kushte normale do të ishin të qortueshme.

Por nëpër këtë përsiatje nuk mund të anashkalohen edhe disa fakte dhe rrethana të patjetërsueshme. Gjithkush ka qenë fëmijë dikur, i lindur dhe rritur nga prindër që kanë përjetuar të njëjtat ndryshime neurologjike dhe kanë sakrifikuar që ne të vijmë dhe të zhvillohemi në këtë botë.

Të panumërt, ata që kanë duruar keqbërjet tona kur ne vetë kemi qenë fëmijë. Të denoncuar në gjykatën e moralit universal, komshinjtë katilë që të bezdisur nga loja e kalamajve në vakt dreke, zbrisnin t’ua çanin topat në oborret e përbashkëta. Edhe këto vrojtime kanë meritën e vet.

Dashamirësia ndaj fëmijëve dhe më të rinjve vjen si model instinktiv, por edhe si detyrë përtëritëse ndaj racës së madhe njerëzore. Dhe edukimi i mirë i të vegjëlve është domosdoshmëri për evolucionin, jo vetëm të species, por të virtytit tonë, të besimit arbitrar tek ai realitet i padeshifrueshëm objektivisht dhe objekt studimi të pandalshëm, që sipërfaqësisht dhe në mungesë të një emërtimi më të mirë, përfundojmë ta quajmë “gjendja njerëzore”.

Është një proverb afrikan, rëndom i keqkuptuar dhe i keqkontekstualizuar: “Duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë”. (Keq)Kuptimi i drejtpërdrejte është që e gjithë bashkësia duhet të preokupohet për ekzigjencat materiale të fëmijës në fjalë. Unë zgjedh ta interpretoj ndryshe domethënien e kësaj urtësie. Ndoshta, autorët kanë thënë që për ta formuar një individ në nivelin e një anëtari të pjekur të shoqërisë – një Qytetar – nevojitet dija dhe kontributi i përbashkuar i një komuniteti të tërë.

Kështu që një ditë, disa nga ne të mund të ankohemi, jo për këta fëmijë, por për syçeltësinë etike të prindërve të tyre. Dhe sikundër gangsteri i LSI-së në restorant, dikush mund të vërejë: “Thua kështu ngaqë ti vetë nuk ke fëmijë”. E vërtetë. Sepse po të dija t’i bëja nuk do predikoja për ta. Por është predikim i ndershëm.

7 Komente

  1. K
    Kpt

    Vjen era tekst i kopjuar.

    Përgjigjjuni
    1. U
      Uaizmen

      Ore, thuaje troç, këta me të cilët ke patur të bësh janë katunarë. Ashtu kanë qënë që në fillim dhe ashtu do ngelen gjithmonë. Njëlloj siç do ngelesh gjithmonë malok nga sallata e fjalëve që përdor per të thënë argumentin tënd.

      Përgjigjjuni
      1. A
        Arian

        Ti qenke grindavec rastet qe thoni ju jane 1/1000 e rasteve kur prinderit kerkojne ndjese me shume edukate

        Përgjigjjuni
        1. L
          L.Xh

          Të lumtë. Po më mirë na pëlqen viza e brekëve të Jorit, apo flokët e Luizit, etj, etj. marrina kot koti, se sa me edukimin bazë në familie. Kemi degradim të families e të shoqerisë, falë investimit të berishajve dhe likmetmonkakistave.

          Përgjigjjuni
          1. M
            Mare Nostrum

            Jo me gjithcka jam dakord por para kesaj shprehjeje heq kapelen : "Dhe asgjë nuk i irriton më shumë rustikët sesa elokuenca formale me distancim social." Perle!

            Përgjigjjuni
            1. D
              Dhëmbeli

              Një tërheqje vëmëndje per edukatën familjare . E keqja është se ky fenomen po shumohet më shumë tek disa nga fëmijët e familjeve të pasura! ?… mundet të shpjegohet edhe me pasurimin… e bosave pa edukim dhe shkollim. Gjithsesi , ja vlen si një leksion për edukimin e brezit të ri dhe të vjetër , me shëmbuj të besushëm .

              Përgjigjjuni
              1. K
                Kot per. Muhabet

                Nuk para komentoj edhe pse shpesh kam shumë dëshirë. Por ky, shkrim edhe pse nuk pata durimin t'i shkoja deri në fund, me krijoi një lloj përshtjellimi. Rëndom ka familje të papërgjegjshme për sjelljen e fëmijë në vende publike, dhe kjo është shenjë e mungesës së thellë të kulturës, edukatës shoqërore, normave të mirësjelljes dhe etikës. Por ndodh që të kesh rrotull edhe fëmijë me çrregullime të sjelljes, autizen, etj. Çfarë do të thotë kjo? Familjet e këtyre fëmijëve nuk duhet të dalin, nga strofulla këtyre, nuk mund të kalojnë momente të gëzueshme me familjarë e shoqëri? Per t'u kthyer edhe tek korsite e trotuaret. Çfarë do të thoshte zotëria kur nënat me fëmijët në karrocë nuk arrijnë dot të gjejnë një hapësirë për të zbritur/hipur nga/në trotuar pasi gjithë gjatësia e tij është e zaptuar nga makina, motra e biçikleta të parkuara ngjitur me njëra tjetren dhee abuzivisht? Po, kur trotuaret janë në gjendje mjerane sic është ai i disenjuar për këmbësorët buzë lanes? Sigurisht shumë anomali i vë re vetëm pasi të bie "halli" mbi, supe l, ju zotëria ka vendosur siç duket mos ta hapë atë derë (zgjedhje personale, e respektueshme). Por të bësh një shkrim në gazetë se po i prishet qetësia dhe rehati nga të qarat e një fëmije me duket e tepërt. Sugjerim për të do ishte te mbyllej në "kullën" e tij dhe të shijonte i patrazuar qetësinë parajsore pasi zhurma e të vdekshmeve qenka cingerruese per nervat e tij. Edhe jje herë nuk dua të justifikoj sjelljet e papërgjegjshme të prindërve, por kjo lloj indinjatë është e tepruar

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje