“Epopeja” e palavdishme 23 – vjeçare e “Parlamentit të ri”

26 Shtator 2025, 12:09Blog TEMA
“Epopeja” e palavdishme 23 – vjeçare e

Nga Hamdi Jupe

Historia e ngritjes së kuvendit të ri, ose siç njihet zyrtarisht: “Kompleksit të ri parlamentar” fillon në vitin 2002, kur ishte kryetar i Kuvendit profesori i nderuar Servet Pëllumbi. Gjatë tre viteve të drejtimit të tij u bë një punë e madhe për përgatitjen e dokumetacionit përkatës teknik e juridik. U organizuan konsulta e diskutime dhe u morën vendime të rëndësishme politike. I ngarkuar me detyrën e shefit të kabinetit, kam patur rastin të ndiqja nga afër punën deri në vitin 2005.

Me të u morën të gjitha strukturat e shtetit, (përveç Presidentit të Republikës) të drejtuara nga një Komision Shtetror i posaçëm. Në këtë Komision që drejtohej nga kryetari i Kuvendit, bënin pjesë gati gjysma e qeverisë, përfshi kryeministrin, sepse kjo do të ishte një ndërmarrje e madhe juridike, teknike  dhe financiare. Anëtar i tij ishte edhe kryetari i grupit më të madh parlamentar të opozitës, atëherë zoti Bamir Topi. Puna do të zgjaste për më shumë se një mandat parlamentar, që do të thoshte se mund të ndërrohej partia në pushtet, por ndërtimi duhet të vazhdonte.

Deri në maj 2005, për gati tre vjet, u përgatit i gjithë dokumentacioni paraprak. Në këtë Kompleks do të përfshihej salla e madhe e seancave plenare, e cila do të ndërtohej e re në oborrin e pasmë të godinës së ish – Komitetit Qendror; zyrat e deputetëve, zyrat e komisioneve parlamentave, të grupeve parlamentare, parkingu, hoteli për deputetët, mjedise për gazetarët etj. E gjithe ndertesa e ish – Komitetit Qendror do të integrohej në të.

Për këto arsye u hartua Detyra e Projektimit nga një grup prej 25 specialistësh nga më të mirët e vendit. Në majin e vitit 2005, pak kohë para se të shpëndahej,  Kuvendi miratoi me vendim të veçantë ngritjen e Kompleksit të ri Parlametnar, me te gjitha elementet e tij. Ai Vendim caktonte edhe afat: brenda pesë vjetëve duhet të ngrihej  Kompleksi. Këto dokumente janë të ruajtura në Arkivin e Kuvendit, me letër e në mënyrë elektronike. Mirënjohje të thellë  Profesor Pëllumbit që e çoi punën deri atje, megjithëse e dinte se parlamentin e ri do ta gëzonin të tjerët. Fatos Nano në cilësinë e kryeministrit dhe të kryetarit të KKRRT-së  mbështeti plotësisht projektin sa ishte në detyrë.

Këndo o muzë zemërimin e Jozefinës…

Dy ditë pasi kishte filluar detyrën  e kryetares së re të Kuvendit, (shtator 2005) i kam dorëzuar zonjës Jozefina Topalli në zyrën e saj kopje të vendimit të Kuvendit për ngritjen e Kompleksit Parlamentar, me kujtesën që i takonte të merrej ajo me kete punë tani, se ishte automatikisht Kryetare e Komisionit të posaçëm. Zonja Topalli e priti me entuziasëm këtë (ata nuk ishin në Kuvend kur ishte miratuar vendimi, dava bojkotesh të opozitës). Pas dy ditësh më pushoi nga puna, sepse isha “i kuq”. Këndo, o muzë, zemërimin (ideologjik) të Jozefinës… Më tej e kam ndjekur problemin si qytetar që dëshiron të shikojë të ngritur në këmbë një vepër me rëndësi kombëtare.  

Ajo kishte për detyrë të organizonte tani konkursin ndërkombëtar për projekt – idenë e Kompleksit. Konkursi u zhvillua me juri ndërkombëtare dhe u shpallën fituese projektet e tri kompanive të  huaja. Ato morën edhe honoraret përkatëse për çmimet. Deri këtu çdo gjë në rregull, me një punë pesëvjeçare, nga dy kryetarë të Kuvendit,  Zotit Pëllumbi dhe Zonjës Topalli.

Prish bucela e bëj kanaçe

Historia u prish pas kësaj. Kompania që kishte fituar vendin e parë në konkursin për projekt-idenë kërkoi një vlerë të madhe financiare për realizimin e projektit të zbatimit. Kjo ishte një shifër absurde dhe abuzive. Çdo kryetar kuvendi do ta refuzonte atë. Këtë bëri edhe zonja Topalli. Por më tej puna shkoi edhe më keq.  Ajo zgjodhi rrugën më të lehtë që të nxirrte në askund: e hodhi poshtë të gjithë punën e bërë gjatë pesë viteve në dy parlamente (bashkë me paratë e shpenzuara) dhe iu vu punës për ndërtimin e Kuvendit të ri te piramida, në krah të ndërtesës së qeverisë. Prish bucela, bëj kanaçe. Ta prishim piramidën prej betoni të Enverit dhe në vend të saj të ngrejmë piramidën (prej letre) të Jozefinës. Pas berihajit të saj, shkoi i gjithë Komisioni i posaçëm shtetror, bashkë me Berishën kryeministër e ministrat e tij në atë Komision. 

Çdo gjë nisi nga e para. Pesë vjet punë dhe mbi 1 milionë Euro të shpenzuara kot. U organizua një konkurs i ri. Fituese u shpall me pombë të madhe një kompani austriake projektimi. Edhe ajo mori honorarin e majmë. Gjithnjë nga taksat e shqiptarëve. Paret e shtetit, si ujët e detit. Realizimi në praktikë i projektit të saj kërkonte rreth 200 milonë Euro, pa llogaritur shkatërrimin e piramidës. Projekti i parë, që ishte hedhur poshtë tashmë, do të kushtonte rreth 30 milionë Euro për t’u zbatuar. Pra shtatë herë më e lartë “piramadia” e re e zonjës Jozefinë. Do bëjmë parlament, de more de, si lum ti popull mezi na ke!

Na rroftë projekti i ri! Qeveria (demokratike) nuk kishte para të paguante 5 mijë lekë (të reja) për bebet e porsalindura, siç ishte ligji i atëhershëm, jo më 200 milionë Euro për Kuvend të ri. Ajo, qeveria, i fali katër hidrocentralet pronë shtetrore (Ulza, Shkopeti, Bistri 1 dhe Bistrica 2) kompanisë së huaj, gjoja si privatizim, sepse nuk kishte para t’i shlyente TVSH-në e paguar. Sot në të katër ato hidrocentrale të ngritura me mundim në vitet e para të çlirimit nga pushtuesit gjermanë, valon flamuri turk. Për të ardhur keq.

Një qeveri (demokratike) me financa publike copë – copë, nuk mund të ndërtonte parlamentin me kosto 200 milionë Euro. Mbaroi edhe ajo “ëndërr parlamentare” që vazhdoi  aq sa mandati tetë - vjeçar i Jozefinës në krye të Kuvendit. Sa mirë bëri Luli, që e la dy mandate jashtë “tavës” së Parlamentit! Dosja u mbyll prapë në Arkivë. Po të zgjidhej prapë kryetare Kuvendi Jozefina, mund të ndërtonte një  parlament tjetër të ri (gjithnjë në letra) andej nga Zogu i Zi, se  tani, këtej, nga Bulevardi i madh, nuk kishte më vend.

Heshtje socialiste 12 - vjeçare

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nuk u bë i gjallë për ta rihapur këtë temë. Kur u zgjodh kryetar i Kuvendit zoti Gramoz Ruçi, e vura në dijeni me anë të një letre për historinë tanimë 15 – vjeçare të “Kuvendit të ri”, ku i kujtoja se krahas punëve të tjera, mirë do të ishte të merrej edhe me këtë projekt si kryetar i Komisionit përkatës. I theksoja, ndër të tjera, se nga punët e përditshme rutinë të Kuvendit, zor se do të mbetej gjë e madhe në kujtesën e shqiptarëve, ndërsa me ndërtimin e parlamentit të ri do të mbetej një kujtim i bukur nga puna katërvjeçare si kryetar.

Miku i vjetër Gramos nuk e vuri ujët në zjarr, ose ndoshta, nuk ia “fërshëllyen”, pra nuk ka gjetur mbështetje financiare nga qeveria socialiste e zotit Rama,  sepse tani duhej zgjidhur “qesja” për të realizuar veprën në terren, me projektet e konkursit të parë me vlerë 30 milionë euro. Dy kryetareve të tjera socialiste të Kuvendit nuk u shkrova. Pata frikë se po më akuzonin për manjak letrash, ves që nuk e kam. “Letrat” i botoj nëpër gazeta me emër e mbiemër. Ato, kryetarkat, nuk kishin këllqe ta nxirrnin “gomarin” nga balta ku e kishin zhytur “baballarët e kombit” gjatë 20 viteve. Doni shembuj, kujtoni Jozefinën.

Kush e zbuloi “Amerikën”?

Kryeministri socialist Edi Rama ka qenë i mirinformuar që në fillim për përpjekjet që ishin bërë në këtë drejtim, me cilësinë e anëtarit të Komisionit të posaçëm shtetror si ish – kryetar i bashkisë së Tiranës. Por gjatë 12 viteve në pushtet ai ka bërë zero lekë punë në këtë drejtim. Prandaj të mos bëjë sikur e zbuloi ai tani Amerikën, d.m.th, çështjen e parlamentit të ri dhe të na e paraqesë si “sihariq” të mandatit të katërt qeveritar. Thjesht, e kanë zbuluar të tjerët para tij. Gërmo Tare, gërmo, se janë 23 vjet kohë e humbur dhe miliona Euro të bëra rrush  e kumbulla për “kasollen” e deputeteve! Atje, te Vendimi i Kuvendit i vitit 2005, të firmosur nga plaku i urtë Servet Pëllumbi, ke për ta gjetur.  

Kështu u mbyll edhe kjo mesele 23 – vjeçare për “parlamentin e ri” në letra. “Meritë” kryesore për dështimin historik të saj kanë patur dy partitë kryesore që kanë qeverisur vendin dhe dy kryeministrat Berisha dhe Rama. Dymbëdhjetë vite kanë qenë në pushtet socialistët, të cilët i kam votuar rregullisht në çdo katër vjet, por edhe ata … pemë pa kokrra në këtë drejtim. E kanë një ngushëllim nga populli: Ustai nuk e rregullon kurrë çatinë e vet. ”Unë qaj për turpin e Gjermanisë sime” thoshte poeti Bertold Breht. Nuk qaj për turpin tetë - vjeçar të Jozefinës.

Ajo temë rihapet edhe një herë tjetër tani, fillimisht nga ish - kryetarja e Kuvendit, zonja Spiropali gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit. (Ah, këto fushatat na morën në qafë!) Tani ajo u ngrit zyrtarisht nga kryeministri Rama. Uroj që ky ta ketë me të vërtetë deklaratën. Dosjen aty e ka, te Arkivi i Kuvendit, me gjithë të bërat dhe të pabërat e saj. 23 vjet histori e “parlamentit të ri” “e burgosur” aty.

Natyrisht që duhet zgjidhur qesja nga qeveria, përveç donacioneve të mundshme. Nuk është ndonjë hata, sepse ndërtimi pritet të vazhdojë nja pesë vjet, kështu që harxhet do të shpërndahen në disa vite. Kjo do t’i nxirrte deputetët shqiptarë nga “koteci” i Enverit, ku vazhdojnë të “kakarisin” prej 70 vjetësh (përfshi edhe autorin e këtyre radhëve), në një ndërtesë të re dinjitoze me të gjitha shërbimet e nevojshme. Zoti na lashtë gjallë deri atëherë. Kush do ta shkruajë tani skenarin e tele - komedisë me titull: “Në pritje të parlamentit të ri?” Mbase e shkruan Djella. Epopeja e Ballit Kombëtar vazhdoi vetëm katër vjet. Kjo e tanishmja ka hyrë në vitin e 24 e kushedi se sa do vazhdojë. 

3 Komente

  1. T
    Tirona

    Pse ça kujtoni ju, zoti Hamdi!? Se Rama do zë bjerë dakort me një projekt që e ka hartuar dikush tjetët? Jo, or jo. .... Rama do të ketë, jo vetëm firmën e tij në atë projekt por edhe mëndjen e tij. Kështuqë prit harxhimin e disa miliona eurosh të tjerë për hartimin e një projekti të ri, dhe një konkurs të ri.

    Përgjigjjuni
    1. 1
      1

      Z.Hamdi.E di cme kujton ky shkrimi jot? Ne nje familje qe ri ne kasolle,me femije te reckosur,babai dhe mamaja te vene ne dyqan luksoz e te blejne kostume luxi.Perparesia e pare per Tiranen eshte uji.Qyteti te kete uj 24 ore dhe te zhduken bolieret,se kemi 35 vjet qe i shofim mbi taraca.Fola vetem per Tiranen ,po cope cope jane te gjith qytetet.(Nuk e di a bie dakort artikullshkruesi).Sa per parlamentin ,per vendin tone 140 deputete(parazite,qe rjepin kete popull) jane shume.50 do ishin normal .Kaq se plotesohen dhe nga portokallia (shfaqie bejne te dy palet)

      Përgjigjjuni
      1. J
        Je njesjh 1 !

        Shqiperia duhet te kete 61 deputete aq sa ka Bashki.

        Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje