“Gruaja e Cezarit nuk duhet vetëm të duket e pastër, duhet të jetë e tillë”: Shqipëria akrobaton midis fasadës dhe së vërtetës

28 Korrik 2025, 08:36Blog TEMA
“Gruaja e Cezarit nuk duhet vetëm të duket e pastër, duhet

Nga Ardi Stefa

Plutarku rrëfen në “Jetët paralele” se Cezari vendosi të divorcohej nga gruaja e tij Pompeia, jo sepse ishte provuar se ajo kishte bërë diçka të pahijshme, por sepse u përfshi në një skandal që cënonte perceptimin mbi pastërtinë e saj morale. Cezari tha: “Gruaja ime nuk duhet vetëm të duket e pastër, duhet të jetë e tillë.” 

Dhe kjo është një thënie që Historia e ka ruajtur jo pa arsye!

Në thelb, kjo thënie e lashtë nuk flet për martesën apo për gratë, por mbart një mesazh të fuqishëm për integritetin dhe standardet morale që duhet të ketë dikush, veçanërisht kur është pjesë e jetës publike për që ndodhet në pozita publike. Ajo është një thirrje e qartë për integritet të brendshëm, jo vetëm për fasadën morale që shpesh shfaqet para publikut.

Nëse e vendosim këtë thënie në kontekstin e sotëm shqiptar, ajo rezonon thellë me gjendjen e politikës, drejtësisë dhe etikës publike. Shqipëria është një vend në tranzicion të gjatë dhe të lodhshëm, ku reforma të rëndësishme janë ndërmarrë, por ku hijet e korrupsionit, klientelizmit dhe mungesës së transparencës vazhdojnë të ndjekin institucionet.

Në Shqipëri, sot më shumë se kurrë, kjo thënie tingëllon si një apel i fortë ndaj atyre që mbajnë përgjegjësi publike: politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve, zyrtarëve të lartë, por edhe figurave të tjera me ndikim në jetën publike.

Në një vend ku perceptimi për korrupsionin mbetet i lartë, ku reforma në drejtësi ende lufton me hijet e së kaluarës, dhe ku shpeshherë forma ka më shumë peshë se përmbajtja, duket se jemi më të shqetësuar për mënyrën se si duken gjërat, sesa për atë se si janë në të vërtetë.

Shqipëria është vendi ku fasadat mbulojnë realitetin, është vendi ku “të dukesh i ndershëm” shpesh është më e rëndësishme sesa “të jesh i tillë”. Njerëz që paraqiten si mbrojtës të ligjit, si zëra të pastërtisë morale apo si kampionë të reformave, që flasin për transparencë, betohen për ndershmëri e shfaqen në media me qëndrime morale të rrepta, ndërsa pas kamerave përfshihen në skandale, në lidhje me struktura korruptive e interesa oligarkike, konflikte interesi dhe vendime të diktuara nga interesa të ngushta personale apo klienteliste në kundërshtim me interesin publik. 

Vetëm në aparencë gjithçka duket e rregullt: konferenca për media, mesazhe në rrjete sociale, etiketa morale. Por nëse i heqim shtresën e sipërme, zbulojmë një realitet shpeshherë shumë të ndryshëm.

Figura publike që shfaqen si "reformatorë", por që janë të lidhur pazgjidhshmërisht me oligarkinë apo me struktura të errëta të pushtetit.

Kjo vlen veçanërisht për politikën shqiptare, e cila ka krijuar një kulturë të të “dukurit ndryshe”, ku njerëzit flasin për transparencë, ndërsa punojnë në errësirë; flasin për drejtësi, ndërsa mbyllin pazare; flasin për interes publik, ndërsa mbrojnë interesat e një grushti të pasurish e të pushtetshmish.

Reforma në drejtësi u prezantua si një nga ndryshimet më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar. Dhe me të drejtë. Kjo reformë ishte dhe mbetet e nevojshme. Por, ajo që mbetet për t’u parë është nëse kjo reformë do të akrobatojë midis shpresës dhe cinizmit; personat që po udhëheqin këto ndryshime janë realisht të pastër, apo thjesht duken të tillë, realisht me integritet apo të shitshëm. Edhe vettingu nuk është i pamposhtur, se janë përzgjedhur gjyqtarë e prokurorë që në letër i përmbushin kriteret, por që në jetën reale jetojnë me standarde të pajustifikueshme për rrogat që marrin. Atëherë çfarë është: reformë apo riciklim.

Në Shqipëri, klasa politike është e kapur nga perceptimi, i cili është kthyer në mjetin më të fuqishëm për të mbijetuar politikisht. 

Mjafton të kontrollosh mediat, të financosh propagandën dhe të ndërtosh një imazh. Por ajo që ndodh në prapaskenë është krejt tjetër: kontrata publike të dhëna në mënyrë selektive, investime të dyshimta, ligje të shkruara me dorën e oligarkëve, pasuri të paluajtshme që rriten në mënyrë të pashpjegueshme, kompani offshore dhe tenderë pa garë. Këto janë simptomat e një sistemi që është mësuar të duket i drejtë, por që rrallë është i tillë.

Ndërkohë integriteti i vërtetë ka rëndësi, sepse mungesa e tij e vërtetë po gërryen themelet e shoqërisë. Qytetarët kanë humbur besimin te institucionet. Të rinjtë nuk besojnë se suksesi mund të vijë nga puna e ndershme. Emigrimi nuk është vetëm ekonomik është shpesh moral dhe psikologjik. Një vend ku nuk mund të besosh te drejtësia, politika apo shoqëria civile është një vend që e ka humbur shpresën për ndryshim.

Në këtë klimë mosbesimi, ka ardhur koha të ndalojmë së u dhënë përparësi imazhit. Nuk na duhen më liderë që shfaqen si të pastër; na duhen njerëz që janë të tillë. Që kanë një jetë personale dhe profesionale që i qëndron nën mikroskop pa frikë. Që nuk kanë nevojë për makineri propagandistike për të mbuluar gjurmët, që jetojnë me ndershmëri, që veprojnë me transparencë, që marrin vendime pa u ndikuar nga interesa të jashtme dhe që moralin e kanë busull, jo maskë.

Në fund të fundit, “gruaja e Cezarit” është një metaforë për të gjithë ata që kërkojnë të jenë në pozita publike. Nëse duan të udhëheqin, duhet të kuptojnë se nuk mjafton të luajnë rolin e të ndershmit, duhet ta jetojnë atë ndershmëri. Në një vend si Shqipëria, ku plagët e tranzicionit ende nuk janë mbyllur, ku lufta për drejtësi është ende në zhvillim, vetëm integriteti i vërtetë mund të sjellë shpresë dhe besim të qëndrueshëm te institucionet.

Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri funksionale, atëherë duhet të kërkojmë standarde më të larta. Të mos kënaqemi me dukjen. Të kërkojmë llogari për atë që ndodh pas dyerve të mbyllura. 

Në fund të fundit, ashtu si Cezari, edhe ne kemi të drejtë të kërkojmë që ata që na përfaqësojnë të jenë jo vetëm të pastër në pamje, por të tillë në thelb. Përndryshe, do të vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri ku e vërteta është gjithmonë nën dyshim dhe drejtësia është gjithmonë një iluzion. 

Dhe kjo, në thelb, është mënyra më e sigurt për të dështuar si shoqëri.

5 Komente

  1. d
    drejtesi e munguar

    Z,Ardi,ajo qe kerkon eshte ideale por, ne Shqiperin e sotme nuk ka me idealiste.Te jesh i paster dhe te dukesh i paster ,vertet jane dy gjera te ndryshme,si e verteta dhe genjeshtra.E verteta lakuriq nuk e afron njeri kurse e genjeshtra e veshur bukur me rrobat e te vertetes mbreteron.Kjo eshte ajo qe po jetojme qe prej endres te "bukur",ta bejme Shqiperine si Europa,pa e ditur se ne televizor Europa duket shume e bukur.Por a eshte e tille?

    Përgjigjjuni
    1. Q
      Qytetari shqiptar

      Edhe ti Stefa, rene ne gracken e nocionit te korrupsionit klasik , ate ekonomik, kur korrupsioni me fatal historik, eshte ai i nje udheheqsi, qe me cdo mjet don te mbaje pushtetin,per te realizuar gjera qe shkojne ne te kundert me demokracine dhe historine., sic eshte ekzemplari piktor rama.

      Përgjigjjuni
      1. F
        Fieri

        Shoqëria e sotme shqiptare i ka kaluar kufijtë e çdo lloj shoqërie ku njerëzit jo vetëm që nuk vlerësohen por përkundrazi etiketohen si""Me fiksime,,dhe kjo kur dikujt i prishet klientela që ka me pronarët ku vendet e punës gjykohen pasditeve nëpër kafe kë do mbajmë e kë do ndjekim ky është realiteti ynë që ja ka kaluar çdo lloj shoqërie

        Përgjigjjuni
        1. .
          ..ne vitin 1990 shqiperia ra ne dore te keqe

          500 vjet otomanizem pastaj shpallja e pavaresise me breke neper kembe pastaj nje karagjoz se mbreti zog kudo mbizoteronte myslymanizmi dhe pluhuri e balta nje popull i goditur ne trurin e vogel. Erdhi enver hoxha qe u deh nga idete e rusise 45 vjete ky popull thoshte te roje partia dhe ja ku jemi tek '90 goditja fatale 750 sollievo gjenocidin ambjental , u betonizua dhe u shkaterua natyra dhe bregdeti. Krim dhe ky kryeminister humoristik nuk arin ta kuptoje cfare duhet regulluar per ta bere vendin te jetueshem. Durres-golem-kavaje- vlore-orikum-palase-dhermi -ksamil jane pasqyra e idjotesise shqiptare dhe paresi e politikes (ps sidomos ) per te mbajtur ne kontroll territorio. Faik konica thoshte..... te dhjere por krenare

          Përgjigjjuni
          1. i
            ilir

            thenia e lashte eshte : gruaja e cezarit nuk duhet vetem te jete e ndershme por dhe te sillet si e tille.

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje