
Fundvjeshta e tretë e atij viti të nëmur, më dukej se u thye e u bë copë e thërrime atje, mbi Qafën e Pazarit, në Gjirokastrën hijerëndë përballë një dimërimi jo të zakonshëm për mua. Kjo dukej edhe te shirat litarë mbi trupat e konviktorëve, por edhe te lotët e nxehtë të vërsnikëve të mi Pedagogjikas ardhur nga viset e ndryshme të vendit. Vështirë të ketë patur aq konviktorë herë tjetër…Ai 28 nëntor i hidhur sikur iku pa vezullimet e njohura festive e sugjestive të kohës. “-Me këtë kokë që paske ti, do të dërgoj 3 vjet ushtar, maksimalen do marrësh ! Mbase të vijnë mendtë, por nuk do t’i hanë as qentë…”.
Ulërima e Kryetarit të Degës Ushtarake, një shpirtlig e arrogant i pandreqshëm, po kërciste atë udhën e kalldrëmtë që dëgjonte e përcillte përditë ofshamat e rekrutëve të rinj nga fshati e qyteti. Për një vit do të merrja diplomën e mësuesit ! Vecse hakmarrja nuk e duronte dot drejtësinë. Ajo ishte verbuar nga sytë njerëzorë dhe goja i shkumëzonte nga injoranca me taborë ! Por dikush i maskuar nga vendlindja e vendshkollimi, më rrëmbeu pa mëshirë gjoja “për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak”. Në një kohë kur dhjetra djemve në fshatra ua shtynin disa herë atë ditë të shënuar (?). Madje kishte nga ata që detyroheshin të fusnin “mik” për ta mbyllur sa më shpejt atë kapitull të jetës. Përndryshe shtyhej martesa ose mbeteshin të fejuar gjatë (mbase një ditë do të shkruaj me hollësi për atë masakër shpirtërore në moshën më të bukur). Ama, vetëm 2 vetë rrëmbyen si hajdutshe, mua dhe Xhafon e mirë nga Buzi. Kryetari i plotfuqishëm e mbajti fjalën : Mi kopsiti kartat për 3 vjet ! Unë në Tiranë(Yrshek) dhe Xhafua 2 vjet në Shkodër…
Sikur gjithë ëndrrat rinore u përmbysën papritur nga një dorë djallëzore. Vetëm dashuria e parë në sythe akulloi e mbijetoi ! Ai prush i fshehur e mban njeriun në këmbë, , por edhe e shpëton nga marrëzitë dhe të pabërat në momente tepër të vështira. Filluan të më sillnin në repart libra shkollorë e fletore më shënime leksionesh. Violeta, shoqja e ardhshme e jetës, i qëndiste me duar e lotë të fshehur.(“Jeni ndoshta i vetmi cift që i shpëtuat paq “vigjilencës revolucionare” të Kuqos(kujdestarit tragjikomik) me shokë…”, më thoshte shumë vite më vonë në sheshin “Omonia” të Athinës, Panajoti, ish mësuesi im i dashur i fiskulturës që u bë sebep për t’u aktivizuar me skuadrën“Luftëtari”). Por…ca kohë ngelën të paprekura !
Kur pulsi im i “gazetarisë foshnjore” nisi të rirrahë përsëri, dërgova shkrimet e para në shtypin ushtarak. Botimi i tyre më zgjoi e më ngriti nga një pus dëshpërimi i thellë. Një foto e shkrepur në Yrshek, flet sot e kësaj dite sa qindra fjalë !...Oreksi për të mësuar librat e Pedagogjikes “Pandeli Sotiri” po hapej përsëri. Oreks që po shtohej bashkë me botimin e shkrimeve, deri te maja publicistike e kohës, “Zëri i Popullit”, ku faleshin firma jo dosido. Dalja në publikun e gjerë duke vendosur poshtë emrit e mbiemrit cilësorin “Ushtar”, nuk ishte gjë e vockël. Sikur po nisja të shtroja udhën për nesër në dyert e Universitetit të ëndrrave. Gati të gjithë redaktorët ushtarakë e civilë më falën mjaft kurajo, përzemërsi, ndihmë konkrete profesionale e korrektësi. Etja për librin ishte e prekshme te djemtë e reparteve, që përpinin e kalonin dorë më dorë ndonjë botim taze të kohës. Aty rifillova edhe vjershërimin e këputur në mes, atje, në Gjirokastrën dhimbjeshumë e gëzimepaktë. Por një ditë shokët e togës sime më mbushën mendjen për të bërë një vëzhgim për gjendjen jo të mirë të bibliotekave. Në Revistën “10 Korriku” më priti e më përcolli shkrimtari e gazetari i njohur jo pak, Halil Laze. E futi menjëherë në numrin e radhës, në shtypshkronjë. Kritikat me adresë të plotë, me emra e mbiemra drejtuesish që nuk ishin kritikuar kurrë publikisht, ranë si rrufe në qiell të pastër. Zhurma dhe leximi masiv i kaloi kufijtë e Brigadës së Parë të Këmbësorisë.
-Ore shokë, ju betohem për ideal të partisë, një b… ushtari të na godasë kështu, nuk ka bërë vaki, -kish shpërthyer i nervozuar Shefi i Aparatit Politik, Gaqua fare mediokër, duke lëshuar një Urdhër të prerë:- Autori të sikteriset nga Yzberishi, nesër të shkojë ku po hapet tuneli X për kohë lufte ! Atje t’i kalben eshtrat !...
Mirëpo pasdite, pa më thënë gjë mua, Kujtimi(oficer, komandant toge) poet i ri me rrënjë nga Malëshova e Përmetit, iku në Tiranë dhe takoi Halilin, redaktorin e shkrimit tim. Revoltë, zemërim qytetari e krijuesi serioz. I miri Halil Laze, pa kaluar shumë orë nga ai reagim sharlatan e hakmarrës, arrogant e fodull i shefit të Aparatit Politik, nuk kish qëndruar duarkryq përballë fatit të ushtarit bashkëpunëtor vullnetar i Revistës. Se si dhe qysh veproi atëhere, bashkë me Thoma Notin e dhembshur e zemërqëruar, nuk mu rrëfye kurrë. Dhe as i ra gjoksit ndonjëherë. Një telefonatë a fonogram nga Ministria e Mbrojtjes, befas erdhi e bëri jo pak bujë në repart: Të nesërmen do transferohesha në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë, në kërthizë të kryeqytetit, si redaktor në sektorin e krijimtarisë(për Dëshmorët dhe veteranët e LANC) ! Nuk thoshin kot : Fati ndihmon guximtarët, jo qaramanët . 1973 do të ishte viti që do shënjonte përfundimisht nisjen e një udhëtimi të vështirë, të gjatë e të bukur nëpër shtigjet e Gazetarisë Profesioniste…
Ku ta dija se pas dy vjetësh, mikut tim Halil nga Golëmi i Kurveleshit, do i hidhnin prangat në Redaksi “në emër të popullit” ! Dhe kujt ? Djalit të Feimit, Dëshmor i Atdheut, që e la ashtu motak dhe ra për Lirinë e Mëmëdheut (?!). Akuza paradoksale “për Agjitacion e Propagandë” ishte bërë si bukë e djathë, sidomos pas “zbulimit” të grupeve “armiqësore” në Ushtri e gjetkë. Po mbaroja vitin e dytë studentor dhe më pushtoi një trishtim i rëndë. Vajet e vetmisë me ligje labe të Xhixhos në agim e në muzg, rrënqethnin gurin e drurin në fund të rrugës “Vllazën Huta”. –Ah, e zeza Xhixho, kur qetësohej pak, thosh shpesh:”Na dogji si maci I Pilurit, o bir !...”, më tregonte pardje golëmasi Nino që e donte shumë Halilin tonë. Dhe ish nga të rrallët që i shkonte Xhixhos në shtëpi, sidomos pas prangosjes e burgosjes së birit të vetëm, djalit të Dëshmorit të Atdheut. “Ka qenë dikur një macok i tërbuar që po grinte zogjtë e pulat e fshatit,-rrëfente ajo..-Më në fund, një ditë e kapën, e lidhën, e lyen me vajguri dhe i vunë flakën. Por papritur u shpëtoi dhe vrapoi me flakën nëpër trup, shtëpi më shtëpi. I bëri adhap, u vurin furfulin, djaloo !”....Ajo gjëmë për djalin e vetëm që nuk e kyci kurrë gojën; humorin; ironinë; sarkazmën e qesëndinë ndaj cdo pushtetari të lig e anadollak, la gjurmë të thella në shoqëri e miqësi…Kur doli nga zgafellat e burgut të Spacit, kishte të njëjtën ironi e tallje. Nuk fliste hic me mllef a urrejtje. Madje qeshte me shpirt , sa herë i tregoja një episod real me një ish drejtues kryesor të Gjirokastrës. Kur i cuan gazetat e ditës në zyrë, tregojnë se e bëri rezil prurësin e parë: “Me kë talleni ju ? Tani jemi në 10 janar e ju më sillni 10 korrikun ?!...Po e përsëritët këtë prockë, jeni të shkarkuar nga puna !”(Deri këtu arrinte injoranca për një media jodosido dhe që dilte një herë në muaj)….Mirëpo, cudirat nuk kanë të sosur ! Fjala vjen,darka e fundit e Halilit me Dritëronë më fanepset sot e kësaj dite. Medituese e drithëruese. Kur punova pak kohë në Ministrinë e Drejtësisë(dikur Hotel “Arbëria”), shpesh nëpër mjediset e saj të rikonstruktuara më kaplonte një ndjesi pikëlluese. Sidomos në katin e parë e atë përdhes, ku dikur ishte restorant e kafene. Më bëhej sikur shikoja Dritëronë me Halilin tek kuvendonin dhe pinin raki të ngrysur e të vithisur. Darka e fundit para arrestimit ! Ishte hequr nga qarkullimi vëllimi me tregime “Vajza e Ishullit”. Pak më vonë e gjithë krijimtaria e shkrimtarit ushtarak. Humori me kripë i Dritëroit sikur i jepte më tepër forcë e durim :”…Majakovski nuk do të bëhej poet aq i madh, nëse nuk do ta përjashtonin disa herë nga partia”. Edhe fillimin e dramatizimit të romanit “Njeriu me Top”(për skenar filmi), Halilit ia sekuestruan(?). Pyetjet në hetuesi për poetin tonë të madh, ishin tepër të liga e tinzare. Vecse ata nuk e shitën kurrë njeri-tjetrin. Sepse pas “bisedave të rrezikshme” për kohën, mund të kaloje në satërin e pamëshirshëm të luftës së klasave…Tani vonë, një shoku im i shërbimit të detyrueshëm ushtarak te Brryli, më tregoi se Hallilin e kish denoncuar dhe doli dëshmitar në gjyq, një ish bashkëmoshatari ynë i repartit në Yzberish. U tmerrova ! Rrallë, kur e shoh nga larg, tjetërsohem menjëherë jo pak caste dhe ndërroj udhë duke sharë e shtrënguar nofullat. Shkurt, bëhem keq përballë atij njeriu “pa lyrë në fytyrë”(do thosh Gimi, miku im i vecantë nga Dushkaraku i Vlorës)….
Vitet e fundit, pranë Ministrisë së Jashtme, takova Visar Zhitin, poetin fatkeq që e pagoi shumë shtrenjtë Vargun dhe Fjalën e Lirë. Më kish ndjekur herët nga shtypi i shkruar. “Kristo, ti nuk e di që në dosjen time hetimore, pas kaq dekadash gjeta edhe ca vjersha të tuat, botuar në “Zërin e Rinisë” ! Madje dy qoshet e gazetës ishin djegur me cigare hetuesi, si me një lloj nervozizmi të pashpjegueshëm për lexuesit. U befasova dhe nuk e zhbiroj dot ende…”. E kam vrarë mendjen shpesh, Visar i dashur ! As ti nuk e ke ditur që unë isha rrëmbyer me përdhunë nga udha e mësuesisë. Por falë Violetës sime, shoqe klase; prindërve të mi të etur për shkollimin tonë dhe vecanërisht vëllait tim që sot e ke mik etj., kapërceva me sakrifica mjaft leqe e hendeqe të pamerituara, ngritur nga dy individë me pushtet e shpirtkatranë…Ishin thjesht frymëzime djaloshare. Por ti nuk ke si ta dish, që ato vargje ishin parë e redaktuar miqësisht nga Halil Laze, e më vonë nga Xhevahir Spahiu i pathyeshëm. Me siguri, as vetë Halili nuk e mori vesh kurrë atë karfosje këllirë në dosjen tënde hetimore…Për faqen e famshme letrare të “Zërit të Rinisë”, cdo të shtunë në mëngjes unë dhe një shok i lexuar nga Prrenjasi, niseshim herët nga reparti ushtarak i Yzberishit(thyenim pakëz edhe disiplinën) dhe e blinim nga të parët në Kombinat. Sepse shitej shumë shpejt. Pra, redaktori i parë i pashpallur zyrtarisht i atyre vjershave dhe ato në revistën “Nëntori”, ishte i paharruari Halil Laze ! Sot mund të hamendësojmë me të drejtë shumë gjëra. Por…Halili ka gremisur sytë përgjithmonë. Nuk ka kush të tallet e të qesëndisi si ai. Lindi në gusht dhe iku në gusht, në përcëllimën e djeshme e të sotme(Cuditërisht, emri i tij si gazetar e publicist i shquar ushtarak, paska ngelur jashtë Fjalorit të madh Enciklopedik “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë”(?). Ndoshta do isha komshi me të, te rruga “Vllazën Huta”. Dhe nuk ka theksuar kot mencuria e mocme: “Komshiu i mirë është “dera e parajsës”, komshiu i keq është si “dera e ferrit”….
Njerez qe te mbeten ne kujtese jo vetem per krijimtarine letrare por dhe shpirtin rebel e te madh te tyre qe regjimi anadollak kerkonte ti thyente, sikurse beri me Halil Lazen, Zhitin e te tjere. Faleminderit Kristo qe na solle Halilin gati te harruar me karakterin e tij te forte lab e shpirt gjere per njerzit qe cmonte. E kam njohur nga afer ate dhe penen permes shkrimeve dhe krijomtarise se tij. Sa mire qe kujtohesh per ta.
E kam njohur heret, Halilin, i nderuar Kristo. Ka qene nje krijues i talentuar dhe nje gazetar plot dashuri per profesionin, nje shok zemerhapur per cilindo koleg, jeta e te cilit mori rrokopujen plot dhembje ne mesin e viteve 70-te. E kam takuar per te fundit here pas ktheses se viteve 90-te duke asfaltuar xhadene prane Kinostudios te dikurshme, gjithnje buzegaz e te dashur. Ruaj kujtimet me te mira per kete mik, duke ju falenderuar qe e solle plot jete e te vertete portretin e tij ne shkrimin tuaj qe sapo lexova.
Shkrim i bukur dhe me vlere; kemi nevoje per me shume shkrime te tilla.
E kam njohur Halilin ashtu si e pershkrun gazetari i njohur i ketij shkrimi, me dashurine e paster per njerzi dhe kurr te perultur ndaj fodullve qe u fliste karrigia. Trim i mencur si i ati deshmor dje nene burneshe. Ja ben jeten sterre qente e kohes por ai mbeti Halili. I paharruar kujtimi i tij. Ty z.Kristo te falnderojme qe na prure Halil Lazen.
Te lumte penda Kristo Mertiri. Njerzit vdesin po te tille modele si Halil Laze rrojne ne perjetesi!
Shkrim brilant. Shkruar me shpirt qe te krijon emocione e te ben ti kthehesh rileximit te tij. Te lumte.
Bravo ,bravo Kristo Mertiri qe na sjell ne kujtese keto kujtime te bukura
Bravo ,bravo Kristo Mertiri qe na sjell ne kujtese keto kujtime te bukura