
Fiks 30 vjet më parë, pasi blemë disa gazeta shqiptare te kioska “Everest” në sheshin “Omonia” të Athinës, shkuam te hotel “Parnon” ku kishin bujtur një grup ish pedagogësh të Filozofisë në Universitetin e Tiranës, të cilët i nxorri në mes të katër rrugëve “Reforma”. Si “jashtë” kësaj fushe ishte poeti i papërsëritshëm e fatkeq Ndoc Gjetja, inxhinieri i naftës Kristo Goxhi, profesori i historisë Shaban Dervishi dhe unë gazetar profesionist i “Bashkimit” hedhur në krahët akull të papunësisë nga ata që rrëmbyen sa hap e mbyll sytë Redaksinë e mirënjohur !
Kontributi i paharruar i djaloshit të talentuar lushnjar, Gazmend Kapllani, refugjat i kapërcimit të maleve nga kufiri dhe më vonë student ekselent i Profesor Konstandinos Vudhuris (Kryetari Shoqatës Botërore të Filozofisë së lashtë greke) e asistent jo dosido i tij, na ngrohu jo pak pas asaj rrokullime të padëgjuar që kishim pësuar në mëmëdhe.
Në grupin nga Shqipëria, burri më i pjekur e më i rrahur “me vaj e me uthull” në jetë, ishte Profesori i nderuar, Hulusi Hako. Pa mbushur ende 60 vjec, e kishin nxjerrë në pension të parakohshëm nga auditorët e Kamzës ish debatikasin delviniot, veprimtarin e njohur të Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare (?!). Kujtoj castet kur filluam të shfletonim gazetat shqiptare në hollin e hotelit, disa ditë pas 5 Majit. Shkëndijat e debatit miqësor i ndezi një intervistë e Dritëroit…
Kur e pyetën Hulusiun se c’përshtypje i kish bërë Dita e Dëshmorëve, ne po prisnim të përgjigjej sic di ai : drejtpërdrejt, pa fjalë rrumbullake e kulpërake. Por Profesori sikur kroi grykën dhe lexoi një paragraf : “-Më kanë bërë përshtypje vizitat e pushtetarëve. Ata bënin vizita tek tradhëtarët e tek vrasësit e Dëshmorëve. Ndërsa populli i thjeshtë kishte hapur dyert për këta të fundit, për ata qindra djem e vajza me ëndrra të bukura për një Shqipëri të lirë dhe demokratike…Unë shkova te komshiu im Emin Mysliu (deputet i PD), që vëllai i tij 18 vjecar së bashku me dy shokë u pushkatuan nga fashistët dhe shërbëtorët e tyre. Madje, lexuam edhe Traktin original të atëhershëm, që ishte shkruar për ngjarjen e paharruar dhe ku nuk përmendej askund fjala Komunizëm, por vetëm Liri, Demokraci, Atdhe…Sivjet, fëmijët e shkollave nuk u lejuan të shkonin sic do vit me buqeta lulesh dhe të bënin roje nderi pranë cdo varri ! Ndaluan nje nderim të madh, të natyrshëm e tepër të sinqertë. Duke i ndaluar ua thyen zemrën dhe thyerjen e zemrës fëmija e mban mend gjersa të bëhet gjysh…”
Pas leximit me zë, Hulusiu u ngrys i tëri në fytyrë, e la pak mënjanë humorin e tij të hollë, rrëmbushi sytë e hoqi syzet dhe ra në një meditim jo të zakonshëm duke psherëtirë thellë. “Nuk i lëviz dot as presjen vërsnikut tim devolli !”, tha shkurt ai. Nuk e di se sa i hynë në punë parimet e Filozofisë së vërtetë, me të cilat u dashurua një jetë të tërë ! Emocione të forta nga të gjthë ne, sigurisht i përjetoi ish Debatikasi trim, që pas Clirimit kur sapo kisha lindur unë përfundoi studimet në Gjimnazin emërshquar “Asim Zeneli” të Gjirokastrës. Bashkënxënës me Kadarenë, Agollin e një plejadë të shkëlqyer që më vonë u bënë figura të dashura nëpër trojet shqiptare e më tej. Por Hulusiu ishte dhe mbeti i pastër, i papërgojuar kurrë në Universitetin e Moskës e të Tiranës si student e pedagog dinjitoz dhe me humor të këndshëm. Sot e kësaj dite flasin “për zotësitë e aftësitë e tij pedagogjike, nivelin e përmbajtjes së leksioneve në Filozofi e Ateizëm, për stilin tërheqës, për karakterin e shëndoshë dhe moralin e lartë”. 60 vjet më parë botoi librin e tij të parë. Ishte 32 vjec ! Tani ka nëpër duar të njëzetin. Titujt shkencorë i fitoi shkallë-shkallë dhe asnjëherë me katapult shtetëror a partiak. Me djersën e ballit dhe me këmbëngulje të rrallë studimore, me vullnet të hekurt e pasion të pashuar. Dhe ngjarjet historike, sidomos ato të LANC, nuk i pa kurrë nga katedra apo nga maja e thanës me syze e pa syze. Nuk mungonte apo të mbyllej në “kafazin” e namusqarëve ethebutë dhe të harronte udhët nga erdhi deri në majat e Arsimit Shqiptar. Përkundrazi. Në vitet 1995-’96, e kam prekur nga afër merakun, sedrën, mendimin e thellë, seriozitetin dhe kulturën e tij të lartë për zgjidhjen e Cështjes sonë Kombëtare. Brenda dhe jashtë vendit. I papërtuar e me laps në dorë. Për këtë flasin shumë edhe faqet e shtypit të Tiranës; por edhe ato të Prishtinës; në Manastir; në Skënderaj të Drenicës pranë shtatores së Adem Jasharit; në shkollën “Skënderbej” të Krajës në Malin e Zi dhe gjer te ligjërimet mbresëlënëse në Delfi; Rodos; Samos e në Romë për Antifashizmin si vlerë e patjetërsueshme e njerëzimit etj. E ka ruajtur dhe e ruan ende të kulluar Statusin e Veteranit të LANC. Jo rastësisht ka fituar “Cmimin e Republikës” ! Apo titullin e tij më të dashur: “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANC”…
Gjatë funddhjetorit që kaloi, 3 ditë para Vitit të Ri, buzë rrugës automobilistike në Grykën e Mezhgoranit, te një grusht shkëmbi si i rrokullisur nga Trebeshina ose i vërvitur me dorë nga qielli po capitej ngadalë me një tufë lule në dorë plaku i mencur e kokëplotë, veterani Hulusi Hako. Pas 78 viteve, një muaj më parë ishte vendosur një Pllakë Përkujtimore për gjyshin tim që i gëzoj emrin, torturuar, pushkatuar e flakur në greminë me urrejtje të pashoqe prej nazistëve gjermanë dhe ndonjë shërbëtor e kallauz i pacipë antishqiptar. Përzgjodhën e hoqën zvarrë nga kolona me 30 burra robër të vetmin burrë peshtanak, në një kohë kur i biri (babai im) kishte provuar mbi shpinë arrestimin, burgosjen në qelitë e kalasë së Gjirokastrës, dënimin dhe internimin në Guroren e tmerrshme të Shëngjinit në Lezhë (Tani vonë, kam ndjekur me drithërimë filmin e Bashkim Shehut për atë Kamp të nëmur të nazifashizmit,“Skëterrë ‘43”, film që mbeti pa u shfaqur pas vetëvrasjes së ish Kryeministrit më jetëgjatë !). Mirëpo, vlerat dhe antivlerat e asaj Lufte heroike u përplasën e po përplasen ende edhe gjatë Pluralizmit rrumpallë.. Dhe jo rrallë harrohen(djathtas e majtas) Partizanët e Dëshmorët, “lule djemtë e Nënave” shamizeza që e ngritën Shqipërinë lart dhe e radhitën në altarin vezullues të Koalicionit Antifashist Botëror…
Profesor Hulusiu ynë, vërsnik e mik i vecantë i Dritëroit që nga gjimnazi, në vend të një “autokritike” njerëzore(nuk erdhi dot në datën e ceremonisë zyrtare sepse ishte në Fushë-Krujë për Shote Galicën) zgjodhi e realizoi këtë lloj nderimi kuptimplotë. Por…nuk erdhi asnjë correspondent e kameraman lokal e qëndror (?!). Mjaft lule e kurora cuditërisht ishin ende të freskëta te Memoriali i ngritur, e ku erdhën edhe Tërmet Peci nga Tepelena, Edvin Tuci nga Përmeti, Klement Ndoni nga Këlcyra, Shkëlqim Guce nga Gjirokastra, mësuesi e vëllai i Heroinës, Nimete Progonati, Krenari i dashur; Profesor Zaho Golemi nga Tirana etj. U kujtuan me nderim të vdekur e të gjallë ! Kur më erdhi një video e regjistruar nga shoferi i makinës ku udhëtonte Hulusiu, u emocionova jo pak. Një delviniot, një Veteran e Profesor i nderuar në Grykën e Mezhgoranit, në atë Grykë ku historia gjëmon e rrjedh bashkë me Vjosën shekullore. Brez pas brezi. Atje ka folur edhe ca fjalë zemre përmes erës egërshane që shpërndante dhimbje, krenari, mall, dinjitet, nderim e vlerësim të vecantë për të rënët e kombit shqiptar, për atë nahije lavdimbuluar. Mjaft bashkëfshatarë të mi, po më luten t’u dërgoj videon… Por unë po e mbyll me mesazhin e Hulusiut, të shkruar në celular: “Xhaxhi Hulusiu të uron shëndet të plotë !...Ti po e vazhdon traditën sic është thënë “dardha bie nën dardhë”…Shkrimi yt për këtë Grykë, më befasoi. Një prozë poetike që më kujtoi “Zgalemin” e Gorkit me mendim e ndjenjë, histori dhe atdhetari, art dhe vizion. Të këndoftë pena ! Të përqafoj…”.(Ditët e fundit u gëzova kur mora vesh se një nga kandidaturat e propozuara për Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve, është edhe emri i Profesorit).
Ndërkohe që verën tani e kalon në Peshtan, ku djali i tij po investon në një projekt agroturizmi, gjeti rastin të shkonte deri tek gjimnazi i tij Asim Zeneli në Gjirokastër dhe të kujtonte drejtoreshen ta ftonte në 110 vjetorin e shkollës.
-Mos kujtoni se kam vdekur si të tjeruet i tha. Jam gjallë akoma. Dhe i dha adresën.
Jo më kot veteranët janë quajtur “monumente të gjalla të historisë”. Ata janë rralluar shumë. Mbyllin sytë e ikin me faqe të bardhë, por edhe me plot brenga e maraze. Dhe lenë prapa pasardhësit, gjakun e tyre të pastër. Sepse pa të kaluar nuk ka të ardhme. Lum kush i nderon !
E vleresoj shkrimin tuaj, ku jepni me realizem por dhe me shpirt figuren e Profesor Hulusi Hako. Njeri i nderuar, te cilin ne ish studentet e tij e cmonim dhe e respektonim per kulturen qe transmetonte por dhe per marredheniet e ngrohta qe mbante me studentet dhe stafin e pedagogve. Dhe keshtu ka mbetur modest ky veteran i nderuar i luftes, te cilit i uroj jete te gjate. Faleminderit z.Mertiri qe u sjell lexuesve figura teper te dashura si prof.Hulusiun.
Vete ku vete o shoku Kristo dhe tek komunistet ndalesh. Po ky Hulsi Hako nje komunist koketrashe ka qene gjithe jeten, tani ti thua qe ka shkuar ne fshat se femijet shijojne grabitjet qe kane bere ne vite. Nuk e di nese mer me vete dhe Idaet Beqirin nje komunist, avokat pa din e iman se eshte immoral e kushedi i kercen me zor ndonjeres ne familje. O Kristo pse nuk shkruan per Gurin e Bletes? Ose per Laver Bariun apo Stefanaq Pollon?
Ore po qenke trap fare ti. Ti rri e shikon Kriston qe ndalet tek komunizmi dhe nuk e shikon kur ndalet tek mamaja jote.
Degjome o Tajar. Si mund te shkruash keshtu per prof.Hulisiun. Lere mllefin nese nuk e ngaterron me ndonje tjeter. Hulusi Hako mbetet arkiv i pasur e me dinjitet.
Doni me per Belulin(Hulusiun,ne fakt Kriston)?. Mertiri eshte nje nostalgjik i asaj kohe.qe kalon permasat dhe proporcionet. Jam me Mertirin kur i heq kritike,kesaj mender demokracie,por mbas kesaj e nakatos keq me egon e vet dhe i kunderve ketyre zhvillimeve te mbrapeshta, nje nostalgji te semure,per kohen e skllaverise fizike dhe shpirterore te izolimit hoxhist,qe vrau dhe sakatoi keq ato ideale humane te partizaneve,qe shume nga ata qe u vrane ne lufte,po te jetonin do te dergjeshin ne burgjet e spacit apo skudres se pushkatimit te Hoxhes dhe Shehut.
Kristo Mertiri,nxenesi i pedagogjikes "Pandeli Sotiri", te njohe e s'me njeh, por me mire keshtu. Hulusiun e njoh mire, profesorin e materialzmit historik, por sot ne shkrimin tend , Kristo, ndjeva nje emocion; njeri me mish e gjak te atij vendi. Sot çdo njeri qe perkrah ate qe ai ka patur te mire e quajne nostalgjik, bile edhe komunist, harrojne komunat dhe bashkite se çfare jane e ti zberthejne keto emra; kjo eshte dija prandaj edhe flasin e veprojne keshtu, por kjo eshte edhe edukata, kultura, respekti, nderi, familja, shqiptaria e tyre. Kristo Mertiri te falenderoj pêr kete shkrim qofte per Hulusi Hako e qofte ato pak rreshta qe percolli Hulusi nga Driteroi. Merre edhe ti kete cope shkrim si nje kartoline te dikurshme qe shkruanim per vitin e ri nga nje i pa njohur. Hulusiut i uroj shendet e jete dhe ty shkrime te tjera qe prek kohen qe jetove dhe jeton per te gacmuar ne "nostalgjiket" qe na paskan kaq inat nevralgjiket e sotem!