Koherenca, besueshmëria dhe e drejta për të gjykuar

3 Korrik 2026, 23:21Blog Nga Shpëtim Luku

Koherenca, besueshmëria dhe e drejta për të gjykuar

Një mik, për të cilin kam konsideratë dhe respekt reciprok, më telefonoi këto ditë për të më shprehur disa rezerva lidhur me një shkrim që kisha publikuar pak ditë më parë në Facebook, me titull "Nuk mund të kesh të drejtë dy herë".
Gjatë bisedës u përpoqa t'i shpjegoja më qartë atë që kisha pasur ndërmend të thosha. I tregova se, në thelb, shkrimi përmbante edhe një shigjetë të tërthortë ndaj disa ish-zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste, të cilët për vite me radhë ishin ndër përfituesit më të mëdhenj të pushtetit, ndërsa sot janë shndërruar në kundërshtarët më të egër të Edi Ramës dhe të qeverisë së tij.
"Emërimi dhe katapultimi i tyre në poste të rëndësishme është, pa dyshim, një nga argumentet e kritikës ndaj Edi Ramës për mënyrën se si e konceptoi dhe e ushtroi pushtetin. Ishin zgjedhje të tij, qofshin ato në emër të risive, të reformimit të administratës apo të eksperimentimit me qeverisjen", i thashë. Duke i rreshtuar edhe emra konkrete protagonistësh publikë me biografi të fortë politike.
"Në këtë pikë nuk jam dakord me ty", ma ktheu ai. "Tek tjetri duhet të vlerësosh atë që thotë, jo kush është ai që e thotë."
Këtu u ndamë në mendim.
Sepse unë besoj se, edhe pse një argument duhet gjykuar mbi bazën e fakteve dhe logjikës së tij, nuk mund të shpërfillet plotësisht besueshmëria e atij që e artikulon. Nuk është rastësi që edhe në gjykatë avokati përpiqet të testojë besueshmërinë e dëshmitarit. Nëse ai ka gënjyer më parë, nëse ka ndryshuar vazhdimisht versionet ose ka interesa të dukshme, gjykata nuk është e detyruar ta shpallë automatikisht gënjeshtar. Por është e detyruar të jetë më e kujdesshme ndaj dëshmisë së tij.
E njëjta logjikë vlen edhe në jetën publike.
Kur dikush ka qenë për vite me radhë pjesë e një sistemi, e ka mbrojtur atë, ka përfituar prej tij dhe madje ka kontribuar në ngritjen e tij, ndërsa vetëm pasi largohet prej tij shndërrohet në akuzuesin më të ashpër, publiku ka të drejtë të pyesë: a është kjo një zgjim i ndërgjegjes, apo një revoltë e lindur nga zhgënjimi personal?
Kjo nuk do të thotë se gjithçka që ai thotë është e pavërtetë. Mund të thotë edhe të vërteta të rëndësishme. Por ato nuk mund të kërkojnë të njëjtin besim që do të meritonte një njeri i cili ka qenë koherent me parimet e tij gjatë gjithë kohës.
Koherenca nuk është luks moral. Ajo është një nga themelet e besueshmërisë publike, ndërkohë që vetë besueshmëria është kapitali më i çmuar i kujtdo që pretendon të flasë në emër të së vërtetës.
Prandaj nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë sot. Duhet të shpjegosh edhe pse dje kishe kaq shumë bindje për të kundërtën. Sepse e vërteta mund të ndryshojë rrallë, por njerëzit ndryshojnë shpesh. Dhe kur ndryshojnë, kanë detyrimin t'u shpjegojnë të tjerëve nëse kanë ndryshuar nga ndërgjegjja apo nga interesi.
Vetëm atëherë fjala e tyre fiton sërish peshë. Përndryshe, ajo mbetet e rrethuar nga dyshimi se nuk flet arsyeja, por mllefi.

Lini një Përgjigje