Nëse ka një llum të vërtetë në këtë protestë, janë ata që sulmojnë gazetarët

3 Korrik 2026, 11:25Blog Nga Hermes Kafexhiu

Është kulmi!

Kulmi i kulmit është të çosh dëm gjithë atë përpjekje shoqërore për shkak të ca firaunëve që dalin aty si “racistë politiko-socialë” dhe lëshohen si hordhi kundër të gjithëve që janë aty për të ndihmuar.

Janë po ata që dalin e bërtasin si të dalë mendsh, duke thënë: “Nuk i dua deputetët e rinj!”

Kur, në fakt, ata nuk kanë pasur asnjë ditë pushtet dhe po hyjnë në politikë me të mirat dhe të këqijat e tyre, si çdo njeri tjetër.

Nuk mund të dalësh aty e të bërtasësh nga mëngjesi deri në darkë, pa qenë i aftë të artikulosh pse e ke këtë mendim.

Nuk mund t’i fusim të gjithë në një thes. Nuk mund t’i barazojmë të gjithë pa e ditur se ku po shkojmë. Mbi të gjitha, nuk mund të shkojmë deri aty sa të shkatërrojmë gjithë punën e këtyre 33 ditëve.

Për 33 ditë e kam ndjekur këtë protestë dhe kam qenë aty. Mes njerëzve të mirë, qytetarëve, njerëzve të bukur dhe pranë gazetarëve.

Pikërisht këtu e kam gjithë revoltën.

Sidomos pas aktit të djeshëm, kur shoqja jonë e Top News, Keida Muka, u sulmua gjatë një transmetimi live nga protesta.

Nuk mund të kalojmë 33 ditë në heshtje vetëm e vetëm që, gjoja, të mos prishim frymën e protestës. Sepse, në të vërtetë, frymën qytetare të protestës nuk e prish kritika, por ky palaçollëk që buron nga një mendim i cekët, ekstremist, pa përmbajtje dhe krejtësisht populist.

Ky është populizmi nga i cili duhet të ruhemi.

Nga inatet e mbledhura në rrjetet sociale, të ushqyera edhe nga deklaratat e disa politikanëve të rinj që dalin me video duke thënë se “mediat na bojkotojnë”, kur në fakt mediat i kanë pasqyruar nga mëngjesi deri në darkë, janë krijuar edhe këto mendësi.

Gazetarët nuk mbajnë përgjegjësi për gabimet apo interesat e pronarëve të mediave. Pronarët kanë përgjegjësitë e tyre.

E përtej kësaj, nëse ky revolucion do të arrijë një përfundim, çfarë do të ndodhë nesër?

Do të dalin protestuesit e do të djegin Top Channel, Klan e media të tjera?

Këto akte tregojnë një revoltë të verbër të një pjese të shoqërisë, e cila duhet ta gjejë veten te alternativa dhe jo te dhuna.

Ne jemi në atë shesh për shumë arsye, por mbi të gjitha për mënyrën e qeverisjes, ndaj së cilës besojmë se duhet një formë tjetër.

Por forma jonë nuk mund të jetë më e egër se ajo që po kritikojmë.

Edhe një gjë tjetër, nëse nuk do të ishin gazetarët në Zvërnec, ajo ngjarje as nuk do të merrej seriozisht.

Ishin gazetarët ata që, përmes profileve të tyre personale, u kthyen vetë në media për të treguar të vërtetën. Ishin ata që e mbajtën këtë kauzë në vëmendje dhe kontribuuan që protesta të mbante për 33 ditë bulevardin.

Ndaj, kush sulmon gazetarët, është veçse llumi i kësaj proteste dhe ai që kërkon ta shkatërrojë atë.

5 Komente

  1. Q
    Qafkuqi

    Protesta lindi e shkateruar or mik,qe kur i mbushet rradhet tuaja me horra islamike dhe patriote te importuar. Sado te hiqeni sot si tolerante e te moderuar nuk mund ta ndryshoni dot me fytyren tuaj te vertete. Do korrni ate qe keni mbjelllur.Mbollet sharje dhe urrejtje ,mos prisni me shume se kaq.

    Përgjigjjuni
    1. K
      Kolegu i SPAK-ut

      Llumi jeni ju që mbroni hajdutët

      Përgjigjjuni
      1. R
        Rrup Tupi

        Shqipëria vërtet nuk po bēn hapat e duhur përpara,por kur sheh çfarë llumi po derdhet nga goja e sheshaxhinjve frikësohemi se ç'e ardhme na pret po ramë në dorë të këtyre. Pa investime të huaja,me urrejtje ndaj pronës private,kundër mendimit të lirë që nuk u shkon për shtat,jo vetëm që Shqipëri e Re nuk mund të jetë,por as llumhane komuniste jo.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Arben

          E meritojne, shumica e tyre jane ne sherbim te krimit dhe politikaneve te korruptuar .

          Përgjigjjuni
          1. O
            One

            Jam shum dakort. Nuk duhet sulmuar asnje person qe e mbeshtet protesten dhe qe ndihmon ne kauzen e saj primare. Qofshin gazetar, qofshin politikanet e rinj. As Shehaj, as Qorri, biles as ata deputet te PD apo PS qe nuk identifikohen si berishist apo ramist. Kjo eshte shum e rendesishme. Kjo vetem largon njerezit dhe e shuan perfundimisht protesten. Ekstremistet te qetesohen icik. Duhet pas kujdes se shum prej ketyre ekstremisteve mund te jen njerez te infilturar per kete qellim, sidomos ata te Sali bajges, ata jan mesuar me keto sjellje ekstremiste. Duhen mbajtur larg ata pasi po ndotin protesten dhe kauzen e saj. Po futi hundet Sali bajga, mori fund protesta, si ajo e studenteve pastaj.

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje