Në Muzeun e Shkodrës zhvillohet workshopi “Vishu me Traditë”

3 Korrik 2026, 12:17Kulturë TEMA
Në Muzeun e Shkodrës zhvillohet workshopi “Vishu me

Të njohësh veshjen tradicionale shqiptare do të thotë të njohësh historinë, identitetin dhe mjeshtërinë e trashëguar ndër breza. Me këtë mesazh, në Muzeun Historik të Shkodrës u zhvillua workshopi “Vishu me Traditë”, organizuar nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale.

Aktiviteti iu drejtua fëmijëve dhe të rinjve, të cilët patën mundësi të njiheshin nga afër me disa nga veshjet karakteristike të trevës veriore, si edhe me materialet, teknikat dhe procesin e punimit të tyre nga artizanët. Përmes kësaj nisme synohet edhe nxitja e të rinjve për t’u orientuar drejt sipërmarrjeve artizanale, kreative dhe tradicionale.

Jemi të fokusuar specifikisht tek veshjet tradicionale të rajonit të Shkodrës duke filluar që me veshjet qytetare të Shkodrës, por gjithashtu dhe të krahinave. Kjo që kam veshur është pjesë e veshjes qytetare, le të themi, të Shkodrës, por synimi është pikërisht ky që të promovojmë dhe të nxisim rininë që të bëhet pjesë e kësaj tradite dhe ta shohë si një mënyrë për të nxitur ata të krijojnë biznese që bazohen pikërisht tek tradita, tek dijebbërja jonë shumë e pasur sepse ka një kërkesë të lartë”, tha Erilda Selaj, Drejtore e Qendrës Kombëtare për Veprimtaritë Tradicionale.

Njohuritë e brezit të ri për elementët e traditës shqiptare, përfshirë edhe veshjet karakteristike të zonave të tyre, mbeten ende të kufizuara. Për këtë arsye, aktivitete të tilla shihen si një mënyrë e rëndësishme për të afruar të rinjtë me trashëgiminë kulturore dhe për të ruajtur mjeshtëritë artizanale që rrezikojnë të humbasin.

Bashkëpunimi me të rinjtë, me mosha të reja edhe me fëmijët pse jo, duke i prezantuar vlerën e trashëgimisë kulturore, vlerën e veshjes tradicionale me të gjithë statuset historike që ka ajo, vlerat e trashëgimisë kulturore që ajo ka, ne mundohemi të nxisim të rinjtë që të jenë pjesë e artizanatit”, u shpreh Edlira Sulaj, drejtuese e fondacionit “Tradita Popullore”.

Veshja tradicionale shqiptare mbetet një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, duke përcjellë historinë, identitetin dhe vlerat e traditave shqiptare ndër breza.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje