nga Kaliopi Nastos
Takimi i parë me një vepër shpesh nuk ndodh përmes faqeve të shkruara, por përmes zërit të autorit të saj. Gjatë një takimi të organizuar nga klubi i librit Albas, pikërisht i dedikuar për këtë libër, pata fatin të dëgjoja Ag Apollonin të shpaloste shtresat e përsiatjeve të tij mbi krijimin e këtij libri. Të dëgjoje autorin të zbërthente konceptin e ujkut dhe të kësulkuqes moderne përpara se të kisha hapur faqet e librit, më krijoi një lloj preludi magjepsës; ishte sikur po dëgjoja udhërrëfyesin e një labirinti përpara se të hyja në të. Kjo eksperiencë e shndërroi leximin e mëvonshëm në një proces zbulimi, ku zëri i Apollonit oshëtinte si jehonë, gjatë gjithë procesit të lëçitjes.
Por kush është Ag Apolloni? Ai shquhet si një ndër zërat më përfaqësues, provokues dhe polivalentë të letërsisë bashkëkohore shqipe në Kosovë. Shkrimtar, poet, dramaturg, studiues dhe profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, ai ka drejtuar revista të rëndësishme kulturore si “Jeta e Re “dhe “Symbol”.
“Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, u botua nga shtëpia botuese Bard Books në vitin 2022, dhe shënon një zenit të letrësisë eksperimentale shqiptare e kosovare, duke u vlerësuar dhe përkthyer edhe në gjuhë të tjera.
Në sipërfaqe, romani ndjek rrugëtimin e dy personazheve, Maksit dhe Loritës, përmes një dialogu të thukët e plot tension ekzistencial. Maksi është një dramaturg që po shkruan një vepër teatrore mbi mitin biblik të Juditës dhe Holofernit, ndërsa Lorita është aktorja që mishëron këtë rol. Megjithatë, ky udhëtim fizik dhe profesional kthehet shpejt në një zbritje të frikshme në honet e memories kolektive të Kosovës. Përmes kërkimit të tyre, romani shpërfaq fatin e tmerrshëm të grave, burrave, fëmijëve të përdhunuar gjatë Luftës së Kosovës, duke pyetur nëse paqja ka ardhur vërtet apo nëse lufta thjesht ka ndryshuar formë e fytyrë.
Vepra është ndërtuar mbi parimet e metafiksionit historiografik dhe të asaj që vetë Apolloni e quan “cartoon logic” (logjika e animacionit) brenda një romani eksperimental. Libri thyen barrierat tradicionale të zhanrit të romanit duke ndërlikur prozën narrative dhe tekstin dramatik: Faqet e librit kalojnë pa paralajmërim nga proza e mprehtë e historisë së Maksit dhe Loritës në skenat e mirëfillta të dramës teatrore (siç është pjesa XXIV mes Leas, Juditës dhe Holofernit). Do të shohim se Apolloni përdor dhe një formë të dokumetarit ku shtjellohen dëshmitë e transkriptuara të viktimave të luftës, të cilat Maksi i mbledh si “fragmente të personave të përdhunuar” për romanin e tij, duke thyer kështu iluzionin e pastër fiksional.
Stili i Apollonit karakterizohet nga një ironi e tejskajshme intelektuale. Ai luan me konceptin e “krizës së leximit”, duke argumentuar përmes personazheve se sot njeriu lexon gjithçka, nga faturat e rrymës te statuset e rrjeteve sociale, por ka humbur aftësinë për të deshifruar thelbin e tragjedisë njerëzore.
Gjetja më gjeniale e romanit qëndron te kodimi onomastik i personazheve: Lorita: Funksionon si një lojë e hapur fjalësh me Lolitën e Nabokovit, duke evokuar humbjen e dhunshme të pafajësisë. Në rrafshin etimologjik, emri vjen nga latinishtja laurelium (Dafinë). Ky është një referencë e drejtpërdrejtë ndaj mitit të Dafnes, vajzës së përdhunuar dhe ndjekur nga hyu Apollon, duke krijuar një lidhje të jashtëzakonshme auto-referenciale me vetë mbiemrin e shkrimtarit (Apolloni). Lorita është njëherësh Kësulëkuqja, viktima e luftës dhe aktorja që luan Juditën për të kërkuar hakmarrje.
Maks Ujkani: Mbiemri i tij (Ujku) e zhvesh menjëherë maskën e tij. Ai është “Ujku i sëmurë” i përrallës, demiurgu dhe dramaturgu që shkruan tragjedinë. Kur Maksi thotë se po “mbjell dhëmbë dragoi në arën time”, ai pranon rolin e tij si kultivues i dhimbjes dhe traumës përmes artit.
Apolloni ndërton një urë polifonike ku referencat mitologjike, biblike dhe ajo popullore e folklorike bëhen bashkë për të treguar të njëjtën traumë. Në libër defilojnë: Mitologjia Greke dhe Bibla: Paralelizmat me Dafnën, Filomelën dhe Persefonën përdoren për të treguar se dhuna ndaj femrës është një makth arketipik. Rishkrimi i historisë së Juditës dhe Holofernit kthehet në një alegori të luftës së Kosovës.
Përrallat Klasike: Autori zbërthen variantet e sheqerosura të Vëllezërve Grim dhe Charles Perrault. Ai nxjerr në dritë origjinën e errët të Kësulëkuqes, duke provuar përmes shprehjes së vjetër franceze “elle avoit vû le loup” se përralla ka qenë gjithmonë një tregim i koduar mbi përdhunimin.
Pop-Kultura dhe Muzika: Përdorimi i figurave si SpongeBob SquarePants (përmes stilit të cartoon logic) bashkëjeton me vargje të tëra këngësh në anglisht nga Leonard Cohen, Bob Dylan, apo vargjet e famshme të dëshpëruara të dëgjuara në makinë: “The poor stay poor, the rich get rich / That’s how it goes…”.
Nga pikëpamja gjuhësore, romani operon me një thyerje të vetëdijshme stilit. Gjuha standarde e përdorur në diskutimet akademike dhe filozofike (ku citohen Lakan, Breht apo Gertruda Shtajn) përplaset dhunshëm me dialektin e Kosovës në momentin e dëshmive të luftës. Ky kalim te “m’plas zemra kur i shoh moshataret…” apo “m’kanë rre m’kanë vra”, nuk është thjesht zgjedhje gjuhësore, por një domosdoshmëri etike: trauma nuk mund të rrëfehet me gjuhë të krehur akademike, ajo ka nevojë për zërin e gjallë dhe të gjymtuar të dialektit që lëngon.
Ag Apolloni ka arritur të shkruajë një vepër ku teatri, miti, përralla dhe dëshmia historike shkrihen për të dhënë një diagnozë të tmerrshme të pasluftës. Është një roman që të mbetet gjatë ndër mend, pikërisht sepse na kujton se ujdia fsheharake mes historisë, mitit dhe përrallës është e shkruar me gjakun e viktimave.
Lini një Përgjigje