Akademia e Shkencave përfaqësohet në takim ndërkombëtar

3 Korrik 2026, 14:19Kulturë TEMA
Akademia e Shkencave përfaqësohet në takim ndërkombëtar

Akademikja Mimoza Hafizi përfaqësoi Shqipërinë në takimin ndërkombëtar mbi politikat e kërkimit dhe inovacionit në Evropë.

Takimi me temë “Për lirinë e pestë evropiane dhe garën globale: Zërat nga shkenca” i zhvilluar në Bruksel u organizua nga Këshilli Evropian i Shkencës (ERC) dhe Akademia Kombëtare e Shkencave e Gjermanisë – Leopoldina.

Aktiviteti bëri bashkë mbi 100 përfaqësues nga vende të ndryshme të BE dhe përtej saj si edhe nga India, Japonia etj. Takimi u zhvillua në pesë panele tematike, të fokusuara në çështjet kryesore të debatit mbi të ardhmen e shkencës dhe inovacionit.

Tematika kryesore e takimit e dedikuar konceptit të Lirisë së Pestë Evropiane, përmblodhi diskutime që lidheshin me zhvillimin e lirë të dijes, kërkimit, inovacionit dhe talentit, duke mëshiruar ambiciet e Evropës për të përballuar sfidat e një periudhë të karakterizuar nga konkurrenca dhe tensionet globale.

Diskutimet u përqendruan gjithashtu edhe në ravijëzimet ku do të synohet fokusi i Programit të Dhjetë Kuadër të Bashkimit Evropian për Kërkimin dhe Inovacionin (FP10 – Horizon Europe), si edhe për angazhimin e përgjithshëm të Komisionit Evropian në fushën e shkencës. FP10 është një nga programet më të rëndësishme ku bazohet politika evropiane për kërkimin dhe inovacionin e cila synon rritjen e konkurrueshmërisë dhe autonomisë strategjike të Evropës përmes inovacionit dhe kërkimit shkencor, si dhe mbështet fuqishëm bashkëpunimin ndërkombëtar në shkencë dhe teknologji në kushtet e paqëndrueshme gjeopolitike.

Në përfundim aktiviteti u mbyll me 10 konkluzione, të cilat do të shërbejnë si rekomandime këshillimore për hartimin e politikave të Bashkimit Evropian në fushën e kërkimit dhe inovacionit.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje