Kostoja e të jetuarit ndershëm në këtë vend!

13 Mars 2023, 20:08Blog TEMA

Kostoja e të jetuarit ndershëm në këtë vend!

Nga Emirjon Senja

Në Shqipëri të kushton shumë ndershmëria.

Kushton aq shumë të jetosh ndërshem dhe me dinjitet sa mund të paguash deri edhe me jetë këtë “mëkat”.

Kostoja e ndershmëisë fillon si një taksë e përhershme që duhet të paguash sa herë zgjedh të mos prishësh radhën; kur shlyen taksat, faturat, apo kur zbaton rregullat e qarkullimit rrugor, kur beson te sistemi dhe shteti që presupozohet që është aty për të të zgjedhur hallin, pasi përherë ka kodoshë që do të përfitojnë në këto raste duke i dhënë një shuplakë të mirë egos tënde, e cila në çdo rast duhet të përmbahet që të mos lesh kalamajtë rrugëve.

Kostoja vazhdon e rritet teksa për shkak se vendi është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave, ti nuk investon dot për të bërë një biznes, ashtu pra, ndershëm, pasi ai përballë apo anash është i gatshëm të investojë dyfishin apo trefishin tënd, pa patur frikë se mund të falimentojë pasi e do vetëm për të printuar fatura duke të çuar kot kursimet e jetës.

E nëse për ty ishin kursimet e jetës, për atë anash apo përballë ishte një “rrugë” apo një “goditje” në sistemin e kalbur që kemi ndërtuar, me të korruptuar, rryshfetçinj e matrapazë, me sytë e shkuqur gjak, në pritje të presë së radhës.

Për shkak të situatës së paprecedentë të krijuar në treg nga flukset e mëdha të parasë së zezë, babëzisë së përgjithshme që na karakterizon, tangërllëkut, por edhe padijes së theksuar, po paguajmë çmime të llahtarshme për një metër katror apartament, për ushqime, makina, veshmbathje, etj.

Sërish, ti që je i ndershëm dhe ke të ardhura modeste apo normale do të duhet të jetosh me kutin e atyre “anash apo përballë” duke përballur çmime dhe kosto jetese si në shtetet më të zhvilluara në botë.

E nëse ke zgjedhur të jesh biznesmen i ndershëm, lloj lloj banditi të troket në derë duke kërkuar taksën e tij, përpos rryshfetit që është kthyer në normë sa herë që ata me kravata apo me bexha të futen në zyra.

E sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, ti do të jetosh me dinjitet duke punuar, me djersën e ballit si i thonë llafit, por sërish “ata anash apo përballë” nuk të lenë duke të vrarë në vendin e punës, ashtu egërsisht, krejtësisht pa faj, siç vranë mbrëmë Mimozën, e siç mund të na vrasin secilin prej nesh nesër në lokal, rrugë, dyqan, qendër tregtare, zyrë, kudo!

Sa më është dhimbsur ajo zonjë fisnike mbrëmë!

5 Komente

  1. p
    pinoku

    Bukur. Shqipëria nuk është për njerëzit e ndershëm. Është vetëm për hajnat, banditët, kriminelët, kurvat, të korruptuarit. Ja pse ikin shqiptarët. Disa ikin për tu bërë të pasur në Perëndim me drogë dhe krime. Disa se duan të sigurojnë të ardhmen e fêmijëve të tyre, qoftë edhe duke punuar me djersë dhe ndershmëri në çdo lloj pune, veçse që të shpëtojnë nga këllira që ka pushtuar Shqipërinë. Si mund të jesh i ndershëm dhe të jetosh në Shqipëri?! Kjo është pyetja. Prandaj njerëzit e ndershëm ikin nga sytê këmbët. Shqipërinê ia kanë lënë Bishës, Metës, politikanëve hajdutë, gjykatësve të korruptuar, mjekëve që të lënë të ngordhish si qen po nuk u dhe bakshish etj etj. Pa folur këtu për llumin, kriminelët, të fortët që ta nxijnë jetën. Populli i poshtër shqiptar, në shumicên e tij, bëhet zap veçse me dru dhe diktaturë. Veçse ashtu bëhet pulë. Si përfundim i ka bekuar Zoti ata që kanë ikur nga ky vend. Më shumë krime në Shqipëri se në Gjermani! Tê parët në botë për frymë popullsie për krime dhe vrasje brenda dhe jashtë vendit! Aferim na qoftë. Lum ata që na e sollën këtë ditê.

    1. ?
      ????????????????????????

      O ZOT sa gjynah ,,u prefsh ne paqe

      1. B
        Baliu

        Shkrime migjeniane te shek. XXI.

        1. S
          Sara

          Shumë e vërtetë. E thene troc. Shumë pak vlerësohet ndershmëria, dinjiteti,vlerat pasi ne si shoqëri vlerësojmë plehrat, hajdutët e kriminelet. Programet televizive e formatet e ndryshme promovojnë njerëz pa dinjitet, pa integritet, pa moral por që ka bërë pare, "te fortin" e qytetit apo te lagjes. Pavarësisht se si i kanë krijuar këto pasuri, janë të pritur pas pasurimit të shpejtë dhe nuk nderon kush njeriun e punës e njeriun e ndershëm. Po kështu edhe politika mbështet të " fortët ", pasi ata i sjellin vota. Janë ata që përfitojnë vende pune e avantazhe të tjera nga pushteti. Në këtë kuptim jemi një shoqëri e dështuar nga vlerat dhe morali. Prandaj nga aty duhet të fillojë ndryshimi që të mos kemi viktima të pafajshëm e ku ndershmëria te respektohet...

          1. i
            illyrian

            Është një fjalë që është hequr fare nga fjalori përditshëm shqiptarë, ajo është ndërgjegjja, është zhdukur jo vetëm si fjalë por edhe si mënyre të qeni, kemi humbur ndërgjegjen dhe kuptimin e të bëri pjesë e këtij populli... pa atë edhe më keq pritet të jetë...

            Lini një Përgjigje