Nga Lutfi Dervishi
Pyetja që mbetet sot nuk është “kush e vrau gjyqtarin?
Po e marrim të mirëqenë që politika ka fajin e vet, qeveria përgjegjësitë, media dhe prokurorët e gjykatësit popullorë që kanë kthyer tastiren në kallashnikov kanë pjesën e tyre. POR...
Pyetja më e vështirë është:
Kush do ta gjykojë drejtësinë?
Sepse nëse ajo nuk e gjykon veten, do ta gjykojë turma. Dhe turma nuk njeh as ligj, as kanun, as falje.
Nëse autori krimit (e me të edhe familjarët) kërkuan ndjesë, turma kërkon shpagim!
Nuk janë të paktë njerëzit që kanë mllef me drejtësinë. 120 mijë dosje janë kapicë në pritje të gjykimit.
Vetëm në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari u vra në tavolinën e punës, punojnë 31 gjyqtarë. Duhet të ishin 78. Çdo ditë shtohen dosjet, çdo ditë akumulohen vonesat, çdo ditë grumbullohen pakënaqësitë.
45 mijë e 374 dosje janë në pritje në këtë gjykatë, statistikë e muajit shtator! (33 mijë dosje janë transferuar nga gjykatat e mbyllura).
Çdo vit shtohen rreth 13 mijë dosje.
Reforma premtoi pastrim, por solli edhe paralizë.
Vetëm 67% e gjyqtarëve dhe 65% të prokurorëve janë në punë. Me më pak se dy të tretat e trupës, sistemi funksionon duke u çapitur e zvarritur.
Drejtësia me këtë ritëm vonohet aq shumë sa të heq shpresën dhe të çon në dëshpërim.
Dhe ndërsa në gjykata dosjet bëhen stivë, shteti paguan faturat. Vetëm dekadën e fundit,për shkarkime të padrejta, nga buxheti shtetit kanë dalë 17 miliardë lekë.
Mijëra çështje të fituara kundër administratës tregojnë se padrejtësia nuk është rastësi, por model pune.
Vetë qeverisja e gjyqësorit ka kusuret e veta. Krimi nuk ka lidhje vetëm me sigurinë dhe godinat, por edhe me funksionimin e sistemit.
Pas shtatë vitesh nga ngritja e institucioneve të reja të reformës në drejtësi, asnjë gjykatë (përveç të Lartës) nuk ka një kryetar të emëruar. Këshilli i Lartë Gjyqësor, që duhet të garantojë funksionimin e sistemit, ende nuk ka miratuar rregulloren për drejtuesit e gjykatave.
Humbja e jetës gjyqtarit duhet të jetë një moment i vërtetë ndërgjegjësimi, jo një status 24-orësh në Facebook. Institucionet e drejtuese duhet të dalin nga heshtja, e të marrin përgjegjësite.
Qeverisja e gjyqësorit duhet të kishte dalë prej kohësh me plan emergjent për plotësimin e vendeve bosh në gjykata. Me ritmin e tanishëm duhen. 13 vjet që të plotësohen vendet bosh në gjykata e prokurori! Thjesht nuk mund të vazhdohet kështu..
Padrejtësia ose ndjesia e padrejtësisë është aq e madhe sa te viktima një pjesë nuk shohin gjykatësin, por padrejtësinë. Dhe e konsiderojnë ngjarjen si akt dëmshpërblimi.
Ka njerëz në sistemin e drejtësisë që i shohin njerëzit si të jenë miza. U duket vetja mbinjerëzorë. U duket se mund të bëjnë gjithçka dhe ndaj kujtdo!
Nuk mund të vijohet duke normalizuar idenë se është normale që një proces civil ne një shkallë gjykate të zgjasë 7 vjet, që duhet të ndërhyjë ambasada që të zbardhet vendimi gjyqësor për një shtetas të saj, që një gjyqtar mund të gjykojë 10 çështje në ditë, që burgimi pa afat për çështje banale është bërë refren, apo se shkrirja e gjithë gjykatave të Apelit është histori suksesi! Nëse dikush ka harruar duhet të kujtohet se mbyllja e gjykatave u bë për "hartën e re gjyqësore"
Esponentët e gyqësorit sa herë dalin në publik flasin dhe kërkojnë pavarësi. Nuk flasin kurrë për problemet e brendshme të drejtësisë dhe si mendojnë t’i zgjidhin ata. Aq shumë flasin, sa të krijohet përshtypja, se janë krijuar për të marrë pavarësinë. Duket se për ta misioni është pavarësia, se vetëm për atë shqetësohen. Inshallah do vijë dita të flasin për drejtësinë që të fillojmë të shpresojmë, se po fillojnë të mendojnë për të.
Dhe ja ku kthehemi te pika fillestare: Kush do ta gjykojë drejtësinë? Nëse institucionet drejtuese të sistemit (KLGj, KLP) nuk e zgjidhin paralizën dhe nuk plotësojnë vendet bosh, ata po ftojnë një gjykim tjetër. Po ftojnë shpagimin. Askush nuk duhet të mashtrohet se ky zemërim popullor vjen rastësisht. Ai është fryt i vonesave, i mbingarkesës dhe i arrogancës së perceptuar. Kjo tragjedi duhet të jetë alarmi i fundit: ose drejtësia e gjykon veten shpejt dhe me efikasitet, ose e pret një gjyq që nuk respekton asnjë rregull. Zgjedhja nuk është midis reformës dhe status-quo-së; është midis rendit ligjor dhe shpagimit të turmës.
Shikoni një pjesë nga deklarata e gjyqtarëve në takimin e datës 9 tetor: “Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj”. Domethënë, nëse kushtet e punës dhe të sigurisë nuk janë të mira, gjyqtarët janë të justifikuar të japin vendime të padrejta. Deklaratë kjo e miratuar dhe e duartrokitur nga qindra gjykatës dhe drejtues gjykatash dhe cuditërisht e anashkaluar nga gjithollogët e paneleve të darkës. Wtf!
Drejt dhe saktë.
Dakord me pyetjen që bën shkrimi: "Po drejtësinë kush do ta gjykojë?!". Për këtë, përgjigjen është munduar ta japë gazetari Lutfi Dervishi. Por, në vijim, kam një pyetje tjetër, si të thuash invers me të parën: "Pse ka mijra dosje të pa shqyrtuara nga drejtësia, që kanë sjellë këtë kolaps të saj, për rrjedhojë dhe një mllef publik po kaq të madh për drejtësinë?!". Dhe kjo pyetje merr përgjigje po me një pyetje tjetër: "Kush i krijon këto dosje?! Përjashtuar dosjet penale, pse ka kaq shumë çështje civile për gjykim si psh për pronat (shumica), ankimime ndaj vendimeve administrative, konflikte biznesi për mosrespektim kontratash, divorce etj, etj?! Të gjitha këto, sa nga politika, shoqëria civile apo mediumi mund të analizohen veçmas dhe të dilet me propozime konkrete për minimizimin e tyre me akte ligjore po e po, por dhe me zgjidhje alternative pa shkuar fare në gjykatë. Për të shpjeguar pse kjo ngarkesë kaq e madhe nëpër gjykata, po ndalem në një moment të thjeshtë, të jetuar vetë. Në vitin 2018, pra para 8 vjetësh ISSH (Instituti i Sig, Shoq.) në mënyrë flagrante, antiligjore, jo transpsarente dhe pa një vendimarrje me akt ligjor nga organi kompetent i institucionit, ju pret pensionin suplementar mijra pensionistëve që e përfitonin atë sipas ligjit. Ky akt administrativ i brendshëm haptas antiligjor, solli një zinxhir padish në gjykatat administrative ku në bllok, kundërshtohej akti i saj i paligjshëm. Them i paligjshëm dhe flagrant, sepse pa përjashtim, të gjitha e "aktet" e ISSH nga gjykatat u rrëzuan si të paligjshme dhe ajo detyrohej të kthebte gjithë ndalesat e paligjshne për personat e dëmtuar. Për uroni, në gjykim merrnin pjesë dhe nga avokatura e shtetit, e cila në paligjshmëri, ishte palë me ISSH. Nuk u mjaftuan që një zinxhir vendimesh administrative të tyre u rrëzuan, gjithsesi ata i ankimuan ato në Apel!!! Aty për shkak të mbingarkesës, shqyrtimi i tyre zgjati 7 deri 8 vjet. Në pritje të drejtësisë shumë prej pensionistëve ndërruan jetë, një pjesë edhe pse pas një pritje të lodhshme e të gjatë e morën drejtësinë, ndërsa shumë janë ende në pritje. Nuk mjafton pritja e gjykimit, por edhe pas marrjes së vendimeve të tyre, zbardhja zgjat minimumi 3-4 muaj!! Justifikimi? Kuptohet numri i paktë i magjisteatëve etj. Atëhere në gjithë këtë kalvar, cilët kanë vuajtur? Pjesa më sensitive e shoqërisë, pensionistët dhe në këtë rast padrejtësia merr një kuptim më të veçantë. Po kush do t'ia dijë?! Bordi i ISSH me në krye subjektin e SPAK Arben Ahmeraj ish ministrin e ekonomisë dhe financave, jo dhe jo, por as drejtuesit kryesorë të vendit si Rama, Ruçi dhe Nishani në rolet respektive, të cilëve iu drejtuan që ta frenonin procesin, por nuk denjuan as t'i përgjigjeshin formalisht firmëtarëve, një pjesë e mirë e të cilëve persona publikë?! Tani, për këtë shtresë shoqërore, ndër vite shërbëtorë të shtetit, veprohet në këtë mënyrë të paligjshme dhe më pastaj të lodhshme për të marrë drejtësi, qysh në zanafillë veprohet padrejtësisht nga një institucion shtetëror i rëndësishëm si ISSh, atëhere kështu "quo vadis" Shtet i së Drejtës, kur për çështjet që rendita në fillim ku dosjet e padrejtësive, dhe këto, jo dhe aq për shkak të drejtësisë janë mal, cilët do duhet të përgjigjen? Në rastin konkret ky institucion, dhe në veçanti juristët e saj, a duhet të mbajnë përgjegjësi për shkeljet flagrante në bllok të ligjit?! Për më tepër, kur gjithë kjo paligjshmëri e tyre rrëzohet 100% nga gjykatat, a duhet të bëhet një analizë dhe, mbasi të evidentohen shkaqet dhe fajtorët, të mbahet edhe qëndrim?! Për këto parregullsi dhe papërgjegjshmëri të administratës, që nxisin ankesa pafund, në fund të fundit, për të gjetur të drejtën s'kanë kujt t'i drejtohen tjetër përveç gjykatave? Dhe kështu për faj edhe të administratës, sidomos në çështjet objekt i gjykatave administrative, jemi këtu ku jemi. Fatkeqësisht!!
kush e kontrollon Drejtesine Per mendimin tim: 1. nqs vendimi i gjykates se pare rrezohet ne Apel do ti kerkohet llogari gjygjtarit ose je i paafte ose eshte i korroptuar te merren masa 2 nqs vendimi i apelit rrezohet ne gjykaten e larte ,ti kerkohet llogari ose te pa afte ose te korroptuat te merren masa. fjalite qe perdorin ka gjykata me te larta eshte perdhonim qe i behet qytetari se ata nuk kane kontroll dhe tallen me qytetaret dhe asnje here nuk ka drejtesi