Nga Fatos Çoçoli
Sa prej nesh kemi kaluar në trotuaret e ngushta të qyteteve tona kryesore, shumica të zëna pjesërisht me rreshta tavolinash të kafeneve dhe restoranteve, apo pikave të tregtimit me pakicë? Ndoshta të gjithë prej nesh. Sa prej nesh kemi qenë edhe të detyruar të dilnim në rrugë, për të shmangur hapësirat e zëna të trotuareve publike, duke rrezikuar ndonjë sponde makine? Ndoshta shumica prej nesh. Sa prej nesh jemi ndjerë të pafuqishëm në vendin tonë për të ndryshuar këtë situatë anormale, duke thënë me mendje, ose shokut apo të afërmit: “Eh, ky vendi ynë nuk bëhet!”?
Ndërkohë, në ditët e fundit, për ata prej nesh që nuk janë në zonat bregdetare, por ende durojnë vapën e qyteteve, kemi ndjerë diçka të përzier, kur kemi parë shumë hapësira sheshe apo trotuare, të boshatisura nga zënia me rreshta tavolinash apo konstruksione panelesh me xhama të lokaleve dhe kioskave të stërzgjatura në mjediset tona publike. Kemi përjetuar një ndjenjë lehtësimi, të përzier me një tjetër ndjenjë pakënaqësie ndaj shëmtirës së përkohshme të krijuar, bashkuar edhe me ndjenjën e pasigurisë dhe dyshimit se mos kjo boshatisje mbushet sërish me zgjatime private, siç ka ndodhur rëndom në të kaluarën. Apo do të jetë i përhershëm ky ndërtim i shtetit ligjor në këtë përmasë dhe bashkitë vërtet do të sjellin projekte të bukura për qytetarët në boshatisjen e shëmtuar që erdhi nga aksioni?
Nisma e Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në qytetet tona kryesore, me theks të veçantë në Tiranë, Durrës dhe qytetet bregdetare si Vlora e Saranda, është paraqitur si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’ua kthyer qytetin qytetarëve. Për të ndaluar procesin e shëmtuar disa dekadash tashmë, të zaptimit të trotuareve, parqeve, brigjeve të detit dhe shesheve publike nga ndërtimet pa leje, kioskat, lokalet dhe bizneset që kanë zgjeruar aktivitetin jashtë çdo rregulli e logjike bashkëjetese mes sipërmarrjes private dhe hapësirave publike. Kryepyetja e qytetarëve, përtej shqetësimeve të vogla sociale të atyre të punësuarve në bizneset që një pjesë të mirë të aktivitetit e mbështesnin mbi kaparimin e hapësirës publike, është:
A do të vijojë gjatë ky aksion, për të sjellë shtetin ligjor në kaosin tonë urban, apo do të jetë jetëshkurtër, si shumë të tjerë përpara tij? E vërteta e parë është që një kontroll të tillë të rreptë urbanistik nga Policia Bashkiake dhe punonjës të Institutit të Kontrollit dhe Menaxhimit të Territorit (IKMT) nuk kemi parë deri tani në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Si dhe kundërpërgjigje të menjëhershme të vetë bizneseve kaparuese, që kanë çmontuar brenda natës strukturat prej duralumini dhe xhama në zonat e zëna, si dhe hequr rreshtin e dytë të tavolinave dhe karrigeve në sheshe apo mbi trotuare. Megjithëse nisma kryeministrore ka marrë mbështetje nga pjesa dërrmuese e qytetarëve dhe nga opinioni i arkitektëve të pashitur te bizneset abuzive, nuk kanë munguar disa kritika tërësisht të drejta.
Shumë qytetarë kanë pyetur gati me pezëm: “A nuk mund të pritej sa të mbaronte ky sezon veror turistik shumë i rëndësishëm dhe të nisej aksioni në ditët e para të tetorit”?! Disa të tjerë kanë theksuar rrezikun e përzgjedhshmërisë në zbatim. Opozita dhe qytetarë të ndryshëm pretendojnë se ndërhyrjet bëhen në mënyrë përzgjedhëse, duke kursyer sipërmarrje private me lidhje politike dhe duke goditur më shumë tregtarët e vegjël. Opozita ka theksuar me të drejtë edhe mungesën e alternativave deri tani, për të prekurit më rëndë nga nisma. Disa nga personat që humbasin hapësirat e zëna, si tregtarët ambulantë, shprehen të pambrojtur dhe të paofruar me alternativa të ligjshme për punën e tyre.
Vërtet, nisma për lirimin e hapësirave publike mund të jetë një hap pozitiv drejt urbanizimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në qytetet tona kryesore, por ama, suksesi i saj do të matet në mënyrën se si zbatohet në praktikë: A do të jetë një aksion i qëndrueshëm dhe i drejtë? A do të zbatohet njësoj për të gjithë? A do të shoqërohet me politika sociale për ata që preken? Vetëm një qasje gjithëpërfshirëse dhe e ndershme mundet dhe do ta bëjë këtë nismë një model real të menaxhimit modern urban në Shqipëri. Duket se momentalisht, luftën për qytetarinë dhe rregullin urban në qytetet tona e ka fituar nisma kryeministrore. Bizneset kanë paralajmëruar protesta përballë Kryeministrisë. Të shohim si do të vijojë.
O Tos bej ndonje shkrim kritik ndonje here. I ben mire vendit . Opozite nuk ka. Ndaj them. Te pakten sa bente kritike gazeta Bashkimi para viteve 90. Flm.
Kontrolle te policise bashkiake te pakten ne Tirane kane filluar dhe mua me duken mjaft serioze, por kam dyshimin se nuk do e cojne dot deri ne fund, pasi shumica e zaptuesve te hapesirave publike jane te majte dhe mbrohen direct nga ca krere te qelbur te Partise. Te pakten dy te tille une I kam ketu poshte pallatit dhe e shoh se c'behet. Megjithate qofsha une I gabuar dhe le te presim per te pare fundin.
Fatos ! Ke shumë të drejtë në veçanti në disa drejtime Së pari .Asnjë selektim të mos ndodhë pra ca të njerkës ca të nënës. Në se ndodh kjo atëhere ky aksion jo që nuk ka vlerë por është maskarallëk me autor dhe çertifikues Edi Ramën. Së dyti.kjo punë të çohet deri në fund dhe në çdo skaj të qyteteve të Shqipërisë për ndryshe përsëri kjo është një aksion i dështuar që më mirë të mos kishte filluar fare se sa të lihet në gjysm të rrugësSë treti. Dhe kryesorja .Te vazhdojë ky kontroll e rikontroll gjatë gjithë vitit duke mos e lënë as një të pa ndërgjegjshëm të abuzojë dhe të përfitojë nga vakumi i kontrollit permanent i teritorit nga jugu në veri . Është pikërisht kontrolli dhe dënimi me fushata që e ka sjellë situatën në këtë derexhe.Së katërti. Për përgjegjësit e lejimit të ksaj situate nga qëndra në bazë duhet të ketë masa drastike penale , administrative dhe financiare, ndryshe shumë shpejtë do të veprojnë më me forcë dhe nënë hundën e organeve ligjzbatuese shkelësit e ligjit ..Përmanenca e veprimit të kontrollit, goditja pa mëshirë e shkelësve të ligjit dhe përmirësimi e forcimi i ligjit për goditjen e çdorasti në kohë dhe penalisht dhe jo thjeshtë administativisht e financiarish me ca gjoba qesharake kjo e edukon me forcën e ligji shkelësi ndryshe ky cikël do të vazhdojë të agravohet.Mos , mos e lini këtë aksion tu dështojë sepse populli pret rregull, ligj, drejtësi dhe mbitë gjitha , për të gjithë dhe jo për disa të përkëdhelur dhe vetëm për kohë fushatash.
Edhe ti Cocol, qe pergjithesisht ben shkrime dhe analiza te mira, shkruan si nje fare Zef Mazi per bomben atomike; pyetja a do vazhdoj aksioni,? Pastaj dhjete variante pergjigjesh per te mbushur radhet.
Kam dy muaj pres nga policia bashkiake për lirimin e hapësirës publike nga hekurat e parkimit para pallatit.Po pres të kaloj Kryministri para pallatit ku banoj unë.Adresa ime është Rr.Dalip Zavalani P.2 -Tiranë,700 metra larg qëndrës.P.s.Nuk kalojnë turistë.