Mbyllja që forcon demokracinë dhe kartoni i shumicës që e zbraz nga kuptimi

27 Tetor 2025, 08:00Blog TEMA
Mbyllja që forcon demokracinë dhe kartoni i shumicës që e

Nga Thoma Gëllçi

Në Shtetet e Bashkuara, qeveria federale është mbyllur që nga 1 tetori 2025, sepse Kongresi nuk arriti të miratojë ligjet e nevojshme të buxhetit për vitin fiskal 2026. Pra, për 26 ditë me radhë, qeveria më e fuqishme në botë është ndalur pjesërisht, mijëra zyra janë mbyllur, punonjësit federalë nuk paguhen, dhe shumë shërbime publike po funksionojnë vetëm në minimum. Kjo është mbyllja e dytë më e gjatë në historinë amerikane, pas asaj të viteve 2018–2019. Arsyeja kryesore është përplasja mes republikanëve dhe demokratëve për mënyrën si do të shpenzohen paratë publike: republikanët duan të shkurtojnë programet sociale dhe shëndetësore, ndërsa demokratët kërkojnë të ruajnë ndihmat për shtresat më të varfra dhe të zgjatin kreditë tatimore që ulin kostot e sigurimit shëndetësor për qytetarët.

Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump duket si njeriu më i fuqishëm në botë, që mund të bëjë ç’të dojë, në fakt ai ka përballë një sistem që i thotë: “Ndal, deri këtu!”
Në dukje, kur qeveria mbyllet, duket sikur shteti ka dështuar. Por në të vërtetë ndodh e kundërta — kjo tregon se pushteti nuk është në duart e një njeriu të vetëm. Çdo vendim duhet të kalojë nëpër debat, kundërshti dhe marrëveshje. Në Shtetet e Bashkuara, pushteti është ndarë në mënyrë që asnjë parti, edhe nëse ka shumicën, të mos mund të vendosë gjithçka vetë. Për të miratuar buxhetin apo ligje të rëndësishme, duhet të bisedojë dhe të gjejë një marrëveshje me opozitën. Nëse nuk e bën këtë, ligjet nuk kalojnë dhe qeveria mund të mbyllet, siç ndodhi edhe këtë herë.

Kjo është pjesë e qëllimshme e sistemit amerikan: askush nuk ka “dorë të lirë” mbi shtetin. Ky lloj kontrolli siguron që vendimet të mos merren vetëm nga një grup, por të kalojnë përmes debateve, përplasjes së ideve dhe kërkimit të kompromisit.
Në këtë mënyrë, pushteti nuk bëhet pronë e një partie, por mbetet i përbashkët.

Në Shqipëri ndodh e kundërta: kur një parti fiton zgjedhjet, ajo merr pothuajse gjithçka në dorë — qeverinë, parlamentin, institucionet dhe shpesh edhe kontrollin e informacionit. Opozita mund të flasë sa të dojë, por në fund vendos shumica, me ngritjen e kartonëve jeshilë. Kështu, çdo gjë kalon shpejt e pa pengesa, por edhe pa debat të vërtetë.

Pra, në Amerikë sistemi është ndërtuar që pushteti të ndalet kur duhet, ndërsa në Shqipëri është ndërtuar që të mos ndalet kurrë — dhe pikërisht aty qëndron ndryshimi midis një demokracie që frymon dhe një që rri në rresht.

Në Shqipëri, pas çdo zgjedhjeje parlamentare, njeriu që fiton – “njeshi”, siç e quajnë shpesh – bëhet praktikisht i plotfuqishëm. Ai kontrollon qeverinë, shumicën parlamentare, institucionet vartëse dhe shpesh edhe pjesë të drejtësisë e të administratës publike. Kur qeveria përgatit buxhetin, ai shkon në Kuvend si një formalitet.

Diskutimet në komisione ose në seancë plenare mund të zgjasin 24 apo 48 orë, por janë më shumë një maratone retorike sesa një përballjeje reale idesh. Deputetët e opozitës flasin për t’u dëgjuar në media, deputetët e mazhorancës lexojnë tekstet e përgatitura për të mbrojtur “sukseset e qeverisë”, dhe në fund, gjithçka përmbyllet me ngritjen e kartonëve jeshilë. Asnjë presje nuk ndryshohet nga buxheti i paraqitur. Ajo që qeveria ka vendosur që në fillim, ajo bëhet ligj. Parlamenti është thjesht një dekor, një skenë që i jep ngjyrë procedurës, por jo përmbajtje. Kjo është arsyeja pse shumë shqiptarë ndihen të përjashtuar nga politika – sepse e kuptojnë se, pavarësisht debateve, vendimi është marrë që në fillim.

Në sistemin amerikan, një ngërç i tillë si ky i tetorit 2025 mund të duket i lodhshëm dhe me pasoja për njerëzit e zakonshëm, por në thelb është një formë e kontrollit demokratik. Ai tregon se qeveria nuk mund të shpenzojë paratë publike pa miratimin e të dy palëve. Kjo mbyllje është pasojë e mungesës së kompromisit, por në të njëjtën kohë është edhe dëshmi e nevojës për kompromis. Ajo detyron palët të negociojnë, të dëgjojnë njëra-tjetrën, të kërkojnë pika të përbashkëta. Demokracia, në thelb, është arti i të jetuarit me mosmarrëveshje, jo i shuarjes së tyre me forcë. Nëse një palë do të kishte fuqinë absolute për të kaluar çdo gjë që dëshiron, nuk do të kishte më demokraci, por vetëm sundim shumice.

Në Shqipëri, mbyllja e qeverisë është e paimagjinueshme, sepse sistemi është ndërtuar mbi idenë se stabiliteti është më i rëndësishëm se balanca e pushteteve. Qeveria e ka shumicën, shumica e ka parlamentin, parlamenti i ka duartrokitjet. Dhe kështu, çdo buxhet kalon pa vështirësi, çdo ministër i qeverisë është i sigurt se fondet e tij do të miratohen pa kundërshti, çdo institucion që duhet të mbikëqyrë shpenzimet publike është i varur nga e njëjta forcë politike që i shpërndan ato. Kjo gjeneron një kulturë politike ku kompromisi shihet si dobësi, dhe ku opozita trajtohet si zhurmë, jo si pjesë e domosdoshme e procesit.

Nëse do të donim të mësonim diçka nga Amerika, do të ishte pikërisht kjo: një demokraci e vërtetë nuk matet me shpejtësinë me të cilën kalon ligjet, por me cilësinë e debateve që paraprijnë miratimin e tyre. Më mirë një qeveri që ndalon përkohësisht punën sepse po kërkon zgjidhje të balancuara, sesa një qeveri që ecën pa asnjë pengesë drejt vendimeve të parapërcaktuara. Mbyllja amerikane është e dhimbshme për punonjësit e shtetit, për familjet që presin paga dhe për qytetarët që varen nga shërbimet publike, por është edhe një provë se shteti nuk është pronë e askujt. Në Shqipëri, mungesa e një mekanizmi të tillë e bën buxhetin – dhe politikën në tërësi – pronë të një njeriu dhe të partisë së tij.

Prandaj, sado e çuditshme të duket, një mbyllje si ajo amerikane është simptomë e një sistemi që funksionon. Ajo tregon se pushteti nuk është mur i pakalueshëm, por mekanizëm që mund të ndalet, të sfidohet dhe të detyrohet të dëgjojë. Kur çdo gjë kalon pa zë, me duartrokitje të sinkronizuara dhe kartonë jeshilë në rresht, nuk kemi më debat, por regji. Në atë pikë, qeveria mund të jetë hapur, por demokracia është ajo që ka fikur dritat.

8 Komente

  1. M
    Munika

    Pooo. Amerika si vend primitiv qe eshte, mund te marr shembull nga Kosova jone qe po vetqeveriset qeveriset edhe pa qeveri. Prova qe u be keta 9 muaj ŕezultoi me sukses.

    Përgjigjjuni
    1. K
      Kaq

      Pavarsish se kam krijuar nje lloj respekti per Gellicin( per punen qe beri ne tvsh” rtsh tani, champions league, formula nje etj etj) me kete shkrim tregon nje nga semundjer kryesore qe ne vuajme. Ate te “ ja e pashe- lexova atje dhe ata keshtu e bejne”. Pa ditur fare se s’i fuksionon shoqeria e “ atje”, pa ditur me te voglin aspekt shoqeror e ligjior, thjesht “ atje” e bejne keshtu e mbase keshtu eshte me mire. O z Gellici… ne amerike ka pasur lufte civile ku jugu dhe veriu me mire zgjidhnin te vrireshin sesa te pranonon qe i qeverris nje qeverri “ jugore ose veriore” ndaj dhe ligji ne fjale. Pra u krijia qe te mos kishte lufte e jo per demokraci. Tjetra o Gellic eshte se i vetmi vend qe e ka kete ligj eshte amerika. Te tjeret nuk kane demokraci?! Dhe e fundit. Ky ligji qe pakica kontrollon shumicen eshte pikerisht ai ligji qe ben kerdine ne korrupsion madhor ne usa por si gjithmone semundja jone e padijes dhe e mendjelehtesise sesi i konceptojme gjerat na nxjerr ne konkluzione te gabuara. Eshte si puna e kooperativave ku bashkimi sovjetik na tha qe nuk fuksionon ne vende te vogla e malore por ne “ e kishim pare atje”

      Përgjigjjuni
      1. P
        Populli jashte loje

        Faleminderit per kurajon e qartesine ne kete shrimp. "Forca" e kartonave te shumices parlamentare mungesa e nje opozite qe nuk synon debat e kompromis( konkretisht per buxhetin) e ka kthyer parlamentin ne nje kolektiv kokeboshesh weverrine ne kukulla te kurdisura dhe opoziten ne nje grup qeniesh te hazdisur. Populli jashte loje.

        Përgjigjjuni
        1. T
          Taipi

          Shko e qiu fshatar muti.

          Përgjigjjuni
          1. S
            Socialistet e New York

            Rama, vendos Thomain ne RTSh te na leshon sinjalin e RTSh ne fukarejve shqiptare ne emigracion, ndryshe nuk do kesh vota emigrantesh per PS.

            Përgjigjjuni
            1. J
              Ja ke fut kot o Thoma

              O thoma. mos ia fut kot. Opozita jonë është opozitë hauresh. Ajo di vetëm të gjuajë me shishe, të djegë karrige dhe në asnjë mënyrë të dialogojë. A e pe çfarë bënë ditën e parë kur do diskutohej buxheti? E kthyen parlamentin në stallë lopësh! Dhe ti jep mend tani. Kemi një opozitë skandaloze dhe të urryer nga shumica e popullit. Prandaj edhe pozita bën qejf. Prandaj mendohu para se të shkruash.

              Përgjigjjuni
              1. B
                Bureto

                Kushtetuta dhe struktura shoqërore e Amerikës dhe Shqipërisë janë si drejtëzat e kithëta. Historikisht sistemi politiko-shoqëror amerikan nuk ka vërtetuar në asnjë rast se një parti mund të ketë maxhorancë njëherazi në të dy dhomat e Kongresit (parlamentit) si Dhomën e Përfqësuesve dhe atë të Senatit, sidomos e këtij të dytit. Pra nuk mund të ketë maxhorancë që ka në një dorë si pushtetin ekzekutiv (presidentin) ashtu atë legjislativ dhe sidomos atë të drejtësisë. Aktualisht, realiteti shqiptar falë Kushtetutës së saj, vullnetit të shqiptarëve dhe një opozite për të qarë hallin në zgjedhjet e 11 majit, prodhoi një maxhorancë absolute që sigurisht nuk e lejon dot balancën e shëndetshme politike, e cila pastaj prodhon çdo realitet tjetër demokratik. Përgjegjësia sigurisht anon sa nga opozita që në gjëndjen se ku është katandisur, po aq nga kultura demokratike e shqiptarëve përkundër asaj amerikane, por dhe gjetkë në shoqëritë e tjera demokratike, krijon si opozitat ashtu dhe maxhoranxat. A mund dhe duhet të ndryshojë ky realitet? Sigurisht që po, po në këtë rast duhet të forcohet opozita dhe në mungesë të saj edhe legjislacioni që mundëson krijimin e realiteteve të reja politike për të thyer monopolin malinj midis PS dhe PD, dy pjellave të vjetra të pas rënies së diktaturës komuniste, që atëhere kur u rezikohet ky realitet, dmth, monopoli i pushtetit brenda tyre, merren mirë vesh për bukuri me njëra-tjetrën. Zgjidhja? Duhet ndryshimi i kulturës demokratike të shoqërisë, e cila duhet me votë t'ua thyejë atyre këtë monopol. Ana, ky është një realitet që varet nga shumë faktorë politiko-socialë të shoqërisë shqiptare, ndryshimin e të cilit është koha që do ta tregojë si do evoluojë. Si mbyllje, krahasimi që Th. Gëllçi, autori i shkrimit, bën për realitetin shqiptar me atë amerikan, sipas mendimit tim, nuk bën fare sens.

                Përgjigjjuni
                1. K
                  K O R C A

                  More , me vjen cudi me kete artikull ! Ku jeton z. Gellci qe flet nga maja e Olimpit per opoziten e sotme shqiptare ? A i ke syte ne balle ti , se cfar banaliteti perfaqeson opozuta e Sali Berishes , qe ka mbledhur gjithe vulgun dhe llumin e shqiptareve dhe e ka futur ne parlament ?! Pjesa derrmuese e deputeteve te opozites jane njerez te dhunshem qe nuk vene aspak ne pune logjiken e ndjenjen e pergjegjesise , duke filluar qe nga kanibali i Vicidolit e me radhe i karakterizon nje egersi e vecante . Jo nje here , Sali Berisha ka deklaruar boterisht : Ti , Edi Rama je armiku im dhe une jam armiku yt ! Ne vitet e para , kur u zgjodh president , ai fliste me hipokrizi : Jemi opozitare , por jemi vellezer ! A mund te kete bashkepunim e mirekuptim per mbarevajtjen e ketij vendi , kur te dy palet qenkan armiq ? Saliu ka 30 e kusur vjet me uren e zjarrit ne dore qe djeg e pervelon institucionet e shtetit dhe vret , si pa te keq fare , protestuesit e pa armatosur e me duar ne xhep , duke kercenuar se do vriste me doren e tij vete shefin e opozites se atehereshme . Prandaj z. Gellci keto leksione nuk ngjitin tek shqiptaret . Ulu me kembe ne toke per te perceptuar realitetin qe perjetojme ne kete tranzicion te tejzgjatur e te japesh kontributin tend me mend , jo me teori te thata jashte realitetit .

                  Përgjigjjuni

                  Lini një Përgjigje