
Nga Aranit Muraçi
Vendimi i qeverisë për legalizimin e kanabasit në vendin tonë është interpretuar gjerësisht, dhe si gjithçka tjetër është kundërshtuar politikisht, por me një ndryshim; sikur të ishte një vendim i padëgjuar më parë në asnjë vend tjetër të botës. Maqedonia e Veriut, vendet e tjera fqinje dhe ato të BE-së (me qëllim eksportimin ose që të luftojnë paligjshmërinë), e kanë marrë me kohë një nismë të ngjashme, për legalizimin e kanabisit. Në rast legalizimi ose jo, gjithçka varet nga serioziteti i shtetit.
Ndërkohë, një deputet i opozitës u shfaq sot në rrjetet sociale gjatë 'inspektimit' të një parcele kanabisi, duke kontestuar vendimin e qeverisë, por pa dhënë detaje se ku e kishte zbuluar parcelën dhe nëse ishte ai apo policia që kishte bërë zbulimin e "madh". Nëse "zbulimi" është bërë nga deputeti ai mund të vihet nën akuzë për bashkëpunim me trafikanët, gjithnjë nëse para "inspektimit" nuk e ka njoftuar policinë. Gjithçka tjetër është show.
Megjithatë, legalizimi i kanabisit nuk do të thotë se mund të ndalet më tej paligjshmëria e tij. Janë institucionet ligjzbatuese ato, që luftojnë paligjshmërinë. Nëse institucionet nuk reagojnë ndaj paligjshmërisë, fenomeni do të mbetet shqetësues edhe në rast legalizimi. Forcimi i institucioneve është debat tjetër për të cilin çuditërisht debatohet më pak.
Studimet e deritanishme kanë treguar se konsumimi i kanabisit nuk ka asnjë lidhje me paligjshmërinë. Ata që duan ta konsumojnë e gjejnë gjithmonë atë. Legalizimi do të thotë se të interesuarit për konsum vetjak mund ta gjejnë në një treg të formalizuar, ose edhe në farmaci. Ashtu si për alkoolin dhe duhanin, rol në uljen e numrit të përdoruesve mbi rrezikun luan familja dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë përmes institucioneve arsimore dhe kulturore.
Qeveria ka për detyrë të trajtojë fenomenin e përhapur gjerësisht në interes publik duke hartuar politika konkrete për të ndihmuar institucionet në luftën ndaj paligjshmërisë së këtij fenomeni. Shqipëria nuk është se po merr një nismë që Europa nuk pajtohet ose nuk e njeh atë. Thjesht nga legalizimi i kanabisit ekonomisë sonë mund t'i shtohen disa të ardhura ndryshe nga deri më tani.
Për më tepër, institicioneve, organizatave dhe mediave europiane nuk u ka bërë aspak përshtypje vendimi i legalizimit të mundshëm të kanabisit në Shqipëri. Kudo tjetër paligjshmëria dhe mosreagimi i shtetit, si ndaj çdo fenomeni tjetër të paligjshëm, përbën shqetësim.
Kanabisi do të testohet si një medikament për lehtësimin e dhimbjeve te mijëra britanikë – të cilët, sipas mediave britanike, - nëse do të ketë sukses, mund të jetë ndër rekomandimet e Shëndetit Publik, si medikament i mundshëm.
Kanabisi do të merret çdo ditë nga 5,000 pjesëmarrës me dhimbje kronike, të shkaktuara nga disa sëmundje përfshirë artritin. Instituti Britanik Kombëtar për Shëndetin do të vlerësojë më pas nëse kanabisi duhet të miratohet si një trajtim mjekësor për deri në 15 milionë të rritur. Rreth një në tre të rritur në Angli kanë dhimbje kronike, të përcaktuara si dhimbje që zgjasin më shumë se tre muaj. Kanabisi në Britani mund t'i lejojë njerëzit të mjekohen – duke iu drejtuar tregtarëve të ligjshëm të drogës ose porositur drogë përmes internetit – dhe mund të jetë më i sigurt se opioidet, një trajtim konvencional i deritanishëm në kushtet e dhimbjeve kronike.
Sakaq, gati gjysma e evropianëve mbështesin legalizimin e përdorimit të kanabisit për të rritur dhe 30% janë të interesuar ta blejnë atë, sipas të dhënave të sondazheve nga konsulentët e industrisë. Qasja liberale e Evropës mund të korrë shumë përfitime ekonomike dhe financiare, siç po ndodh me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë parë një rritje të përdorimit të kanabisit gjatë pandemisë.
Sipas "Hanway International", një kompani konsulence me bazë në Londër, dhe "Curaleaf International", shumica e evropianëve mbështesin dyqanet legale të kanabisit. Megjithatë, ata nuk janë në favor të rritjes së bimës në shtëpi. Ky raport vjen një javë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi një projekt-ligj për të shfuqizuar ndalimin federal të marihuanës. Ndalimi ka shkaktuar probleme ligjore si për përdoruesit ashtu edhe për bizneset në shtetet që kanë legalizuar drogën.
Gjermania është një nga shumë vendet evropiane që e ka legalizuar kanabisin, ndërsa vende të tjera e konsiderojnë atë të paligjshëm për përdorim të përgjithshëm. Malta ishte vendi i parë evropian që lejoi kultivim të kufizuar për përdorim personal të kanabisit. Sipas "Prohibition Partners", tregu evropian i kanabisit do të kalojë 3 miliardë euro të ardhura në vit deri në vitin 2025. Pritet një rritje prej 400 milionë euro nga viti i kaluar. Gjermania është tregu më i madh në kontinent.
Shqipëria është konsideruar nga vlerësimi i disa prej institucioneve dhe mediave të huaja prej vitesh se mund të jetë tregu më i madh i paligjshëm i kanabisit në kontinent. Edhe vetë legalizimi kërkon një proces sa më transparent dhe ligjor. A do të mund ta ulë legalizimi i kanabisit paligjshmërinë? Kjo është çështja!
Lini një Përgjigje