
Kur media elektronike arrin të krijojë me perceptuesin e vet një lidhje të fortë, mbështetur në dorëzim dhe mirëbesim, fuqia ndikuese e saj rritet. Është një ecejake e e mbushur sa me sukses, aq dhe me dështime. “Vija e kuqe” gjendet te pyetja: A e krijon media një dorëzim të vullnetshëm dhe mirëbesim në raportin trasmetues-perceptues? Pikërisht këtu na përplaset në fytyrë fuqia sociale e saj, përfaqësimi sa më i gjerë i interesave të njerëzve, komuniteteve, krejt shoqërisë. Sot ka pa fund pakënaqësi, mëri e shfryrje zemërimi për karakterin shpesh spekulativ të medieve tona elektronike. Qasja ime kritike (dhe jo vetëm e imja) është raporti i shthurur që ekziston sot midis medieve që quhen “kombëtare”, atyre që quhen “publike” dhe të tjerave që janë në mes, anash, kundër, pro apo thjesht “agjenci” pronarësh e lobesh ekonomike tregtare. Unë vë re se në emisionet e televizionit kombëtar RTSH vazhdon të ketë një sy të vëmendshëm ndaj vlerave kombëtare, traditave antropologjike, historisë, personaliteteve të vendit, jetëshkrimeve të njerëzve të thjeshtë, filmave shqiptarë, shfaqjeve teatrore, arteve pamore, muzikës shqiptare, përmes shumë rubrikave, filmave dokumentarë, reportazheve. Ruajtja e një nordi “shqiptar” flet për optikë të drejtë, por ky televizion ka nevojë të rrit fuqinë tërheqëse përmes pranisë së elementeve artistike, përmirësimit teknologjik të imazhit, rubrikave emancipuese, tërheqjes së mendimit më të specializuar, honorareve etj.
Televizioni kombëtar “Top Chanall” ka disa vite që përgatit dhe trasmeton programin “Big Brother”, një format i marr nga televizionet e huaja. Ai përveçse mbledh shumë shikues, sidomos pjesën masive e të rëndomtë të shoqërisë, të cilët kanë nevojë për pak “cirk”, për pak “thashethemnajë urbane”, nga ana tjetër ai synon të krijojë modele qytetare të sjelljes, të menduarit e kohës, shpërfaqjen e karaktereve të virtytshëm, çka duhet vlerësuar. Mirëpo kjo nuk ndodh gjithkund e përherë. Banorët e kësaj ngrehine-eksperimentale, mbyllur si në një vathë moderne (si te romanet e George Orëell “Ferma e kafshëve” dhe “1984”), provojnë vetveten përmes shpalosjes së marrëdhënieve me njëri-tjetrin, rrengjeve, kurtheve, hipokrizisë, dashuriçkave, tradhtive, sherreve, idiotësive dhe lojës për të fituar. Por fatkeqësisht ata nuk e kanë nivelin e përfaqësimit më të mirë të shoqërisë. Të shumtët janë artistë të humorit, njerëz që kanë krijuar një farë portreti televiziv dhe nuk sheh thuajse fare njerëz të profesioneve të tjera, po aq të njohur e të suksesshëm. Sigurisht ata nuk besoj se pranojnë. Nuk mund të luajnë vetveten. Intimiteti i çdokujt është diçka e shenjtë, e patjetërsueshme. Duhet të jesh një farë ekzibicionisti që lehtësisht e “shet” veten te syri i tjetrit. Po e njëjta strukturë është edhe programi “Ferma Vip” e Vizion Plus, veçse më i dobët. Për këtë shkak, nga një program që ofron shembull dhe model qytetarie, sjelljeje, cilësie kulturore dhe njohjeje, ato kthehen në do farë “spektaklesh” rëndomtësie, ku pikërisht standardi dhe epëria e diskutimit bien poshtë e shpesh përfundojnë në sherre banale. Po e njëjta gjë duhet thënë edhe me programe të tipit “Përputhen” të Top Chanall. Paçka se ai kryen një mision emancipues në masën e rinisë, posaçërisht në kuptimin e dashurisë, thyerjen e tabuve, lidhjet në çift me qasjet e guximshme, diskutimet e shpenguara mes pjesëmarrësve, nga ana tjetër, përfaqësimi dhe cilësia e diskutimit lë ende për të dëshiruar.
Imazhi televiziv është sot një pushtet perandorak. Ai shemb klonet: ato politike, ato antropologjike, ato fetare, ato nacionale, ato urbane e plot kësish. Media jonë elektronike në përgjithësi i respekton tri shtyllat a tri atributet thelbësore të saj: jetën, të vërtetën, përditësinë (informacionin). Ajo duhet të jetë një shqiptuese dhe mbrojtëse e madhe e të vërtetës. Por jo rrallë ajo bëhet dhe një manipuluese e shtrembëruese e saj. Varet çfarë kahu e interesash tërheqin më shumë. Po t’u hedhësh një sy televizioneve tona menjëherë të bie në sy kontrasti, dikush vetëm bardhë, tjetri vetëm zi. Ndodh diçka, televizionet kacafyten: njëri mburr, tjetri shan. Unë si shikues e kam të paraparë se çdo të thotë “Syri Televizion” dhe çdo të thotë “ABC”, çdo të thotë Fatos Lubonja e çdo të thotë Blendi Fevziu e co. Shkoi Rama në Athinë dhe në Milano, dikush tha bëri spektakël, mori gjithë nëpunësit e bashkive, patronazhistët dhe mbushi stadiumet, dikushi tjetër tha ishte një shpërthim i dashurisë për kryeministrin tonë, gjigandin Rama etj. Te televizionet sot manipulohet jo pak duke krijuar militantë, tifozeri politike dhe jo mendjekthjelltësi, jo shqyrtime të drejtpeshuara. Qasja bardh e zi, e institucionalizuar në marrëdhëniet e acaruara pozitë-opozitë, më tutje nëpër bisedat televizive mes po të njëjtave fytyra, ku mendimi ndihet që larg, pushton po njësoj mendësinë e atyre që drejtojnë televizionet tona. Rëndom e vërteta përthyhet gjegjësisht prirjeve dhe përkatësive politike ideologjike që një medie ka; gjegjësisht rrethit të interesave të atyre që e financojnë, pronarëve dhe lobeve ekonomike-politike. E vërteta mbulohet sepse ajo është e rrezikshme. Ose, siç thoshte Niçja, “e shëmtuar”…
Krijimi i iluzioneve, ekzotizmi, farfuritë urbane - a nuk është kjo një dobësi e medies sot. Le të marrim një shembull. Në kushtet e një Shqipërie ende të varfër, gjithandej flitet e flitet gjer në bezdi për turizmin. Turizmi këtu e turizmi atje, sikur s’ka probleme të tjera ky vend. Turizëm në një fshat të braktisur, turizëm në një majë mali, turizëm në një qytezë thuajse të braktisur e pa njerëz, turizëm në rrugët plot gropa, theqafje e sheshe të përvëluara të qendrave urbane, turizëm në kryeqytetin e mbytur nga makinat pa hapësira parkingu, turizëm në karrot e tërhequra me buajt zhytur në baltë. Turizëm te stallat dhe baxhot diku, te stanet, dhitë, bagëtia. Vallë vetëm me turizëm do ta ngop barkun ky vend?! A nuk është një fabrikim iluzioni tepria me fjalën “turizëm”, njësoj si ai slogani i Cezarit se popullit i duhet “bukë dhe cirk”? Krijimi i këtij iluzioni sa të bukur aq dhe të rrejshëm, ka pushtuar gjithë ekranet, dhjetëra rubrika televizive, emisione, lajme, reporterë…
T’i shikosh sot ekranet tona kanë një inflacion çoroditës për dukurinë e emigrimit, që përkthehet si “shpopullim” i vendit. Sipas meje ky është një fenomen i natyrshëm i lëvizjes emigratore në hapësira “perandorake” të tregut dhe kushteve më të mira të jetës. Nuk ndalet, as sot as mot. Por, nga ana tjetër, ai është dhe një problem i mprehtë ekonomik, social gjer dhe politik. Rënia e po të njëjtës këmbanë “shpopullimi, shpopullimi…” është kthyer në kalë beteje të luftës politike, rrjedhimisht humbet vërtetësia, shtrembërohet e shndërrohet ajo në një makth, frikë, katastrofë kombëtare etj. Televizioni lipset të gjejë dritaren e kthjellët të shikimit dhe trajtimit të fenomenit, jo të bjerë në lojën politike të partive për pushtet.
Sa argëtues është televizioni ynë? Kjo është një tjetër çështje. Që të ndërtosh programe televizive argëtuese, kërkohen moderatorë të zot, artistë me emër. Kërkohen, po aq, para. Duke mos pasur para, shumë nga stacionet televizive janë katandisur në zyra lajmesh dhe bisedash politike duke e lodhur dhe larguar publikun. Në këtë rast media mban ndezur po të njëjtin zjarr: diskutimin e lodhshëm politik. Janë një rreth i ngushtë analistësh, të cilët me tallje i kanë quajtur “gjithologë”, sepse paguhen fort mirë për sherret që ndezin me njëri-tjetrin duke ngacmuar po njësoj me majën e shpatës prej toreadori demin e egërsuar të tifozerive dhe militantizmit politik. Dhe kur mbetesh fare thatë dhe s’ke çfarë të transmetosh, atëherë o burra me vrap ku ka një vrasje, një përdhunim, sidomos prit sa të vijë mbrëmja dhe turru me kuç e me maç poshtë dritares së një “ishi”, quhet heroi i Rrugës së Shpresës (!!!), nuk lodhet së foluri me delirin e marrëzishëm të heroit; merr ca fjalë prej andej, mbush e mbush minuta të tjera me llogje pleqsh të mbaruar. Kjo medie e njëanëshme, vetëm politike, pa emisione formuese e kulturologjike, pa elementet argëtuese, e kthen gjithçka në një mërzi të madhe. Dhe ky është mjerimi i medies elektronike…
Pershendetje prof.Papagjoni! Si gjithmone i vemendshem ne shkrimet tuaja,ju pergezoje edhe per shkrimin tuaj te fundit! Problemet qe ngrini jane shume aktuale, drejtuesit e tv kombetare,publike apo lokale duhet ti vene gishtin kokes. Sa per RTSH shoh nje permisim te programeve qe japin. Nuk ka qene keshtu. Por bashkohem me ju qe rtsh ka akoma nevoje per qasje me “agresive” ne kuptimin e mire te fjales,per programe edhe me te mira e me terheqese. Po te afrosh njerez te ditur dhe te kulturuar,me integritet shoqeror dhe intelektual,njerez qe flasin shqip-shqip dhe promovojne shqipen si gjuhe komunikimi normal,dhe jo vulgaritete,njerez profesioniste(gazetare) dhe jo gazetaruce qe zgerdhihen dhe kur bejne gafa dhe nuk dine te kerkojne ndjese,qe harrojne qe eshte tv shteteror dhe kane nje audience qe i ndjek, qe ai(RTSH) eshte institucion publik ku kane derdhur djersen dhe sakrificat e panumurta shume drejtues te nderuar,telekroniste,operatore,foles te radios dhe tv, deri tek punetori i fundit per nga organika. Sa per tv private,ka shume per te thene,por per ato le te pergjigjet AMA. Na shkruaj me shpesh profesor Papagjoni
Edhe Papa edhe Gjon? Sa kombinim i "bukur"! Dikur ka qene PapaJanis perpara Turqise Strategjike por kohet ndryshojne. Cpopullimi zoti i Nderuar Josif behet qellimisht ne Bregdet. Qe nga nderprerja e Shkollave Greke mijeravjecare nga Veziret,Pashallaret,Bejleret,Agallaret,Hoxhallaret,Dervishet,Myhipet etj. Ata ishin Administrata Osmane. Hipokrizia e kryeministrit Rama me kombesi Greke nga e Ema ne Greqi eshte per mua e pritshme. Ne Vend te falenderoje Greqine per ndryshimin e Emrave Turq ne Greke (Te njejten kane bere Turqit,Sllavet,Italuanet etj) po i tregon dhembet e kalbura te Arnautistanit. Kujt? Greqise? Kjo popullsi ne Vorio Epirin e Pirros dhe Kastriotit ishte e Greqise para Osmaneve. Sic thote dhe Zonja e Sorbones Eleni Arveler qe To Bizantio ine Eliniki Istoria (Bizanti eshte Histori Greke). Kaq e thjeshte. Interesat e atyre qe ndane Epirin e Pirros dhe Kastriotit ne te Veriut Osmane dhe te Jugut Greke eshte Fatkeqesia me Madhe e Kombit Greke.